E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset në Holandë Riku i Korçës

 
Frederik Arifi ishte një nga personat më të kërkuar në më shumë se 130 vende të botës. I akuzuar për vrasje në rrethana të cilësuara, ai së bashku me të vëllanë dyshohen se në vitin 2001 kanë marrë peng e më pas vrarë Dhimitraq Mediun
 
 
Korçë - I shpallur në kërkim në më shumë se 130 vende të botës, prangoset në Holandë nga Interpoli një nga njerëzit më të kërkuar të shtetit shqiptar. Frederik Arifi, i larguar nga burgu në vitin 1997, ka konsumuar një vepër të rëndë penale në Holandë, aty ku ka qenë dhe destinacioni i tij pas arratisjes nga Shqipëria gjatë revoltës në burgje në mars të vitit 1997. 
Duke iu referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se 43-vjeçari, banor i lagjes 8 në Korçë, akuzohet për “vrasje në rrethana të cilësuara”. Ai është ndaluar për llogari të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë në mungesë “burg pa afat”. Gjithashtu ndaj Arifit rëndon edhe akuza për “rrëmbim e mbajtje peng të personit”. Historia e krimit për të cilin do të dalë para drejtësisë shqiptare vjen nga vendi ku ai ka qëndruar për një kohë  të gjatë, Holanda. Duke iu referuar të njëjtave burime, mësohet se në 15 maj të vitit 2001, në Amsterdam i kapuri tashmë nga Interpoli ka marrë peng shtetasin Dhimitraq Mediu nga fshati Boboshticë në Rrethin e Korçës. Për lirinë e tij ai iu ka kërkuar të afërmve një shumë prej rreth 200 milionë lekësh. Pasi familjarët e tij i dorëzojnë 50 milionë dhrahmi, pengu gjendet i vrarë.
Kanë qenë të afërmit e Dhimitraq Mediut, që kanë kërkuar ndihmën e shtetit holandez, ndërkohë që pas kësaj nis edhe kërkimi i Arifit. Ai ishte shumë i njohur edhe për policinë e këtij shteti, ku dhe ka kryer një dënim për llogari të drejtësisë, ndërkohë që kërkohej edhe në disa shtete të tjera të Europës, ku kishte konsumuar të tjera vepra penale. Ngjarja e rëndë e regjistruar jashtë kufijve të Shqipërisë, por me një shtetas shqiptar, do të gjykohet në kryeqytet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërkohë që 43-vjeçari ka dhe disa vite burg të pakryera për një dënim prej 15 vjetësh të marrë nga Gjykata e Durrësit nga viti 1994 për veprën penale “vrasje të mbetur në tentativë”. 
Irena Vreto
 
 
 
Riku dhe Hamiti, historia kriminale e dy vëllezërve
KORçë - Frederik Arifi, i njohur me pseudonimin Riku dhe Hamit Arifi, i njohur me nofkën “Hamit Vëra”, janë akuzuar për një sërë veprash penale në qytetin e tyre të lindjes në Korçë. Aktiviteti i tyre, sipas policisë, ka qenë i tillë, që për një periudhë kohe ata janë konsideruar si të fortët e qytetit. Hamiti është prangosur në vitin 2003, në çastin kur po furnizonte me karburant makinën e tij, në periferi të qytetit të Korçës. Në atë kohë ai kishte vetëm tri ditë që ishte kthyer në vendlindje nga Holanda nëpërmjet aeroportit të Rinasit. Sipas policisë, Hamiti ishte është shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e një emigranti shqiptar në Holandë. Por policia e qytetit të tij të lindjes e akuzonte edhe për disa vrasje të kryera në Korçë, për trafik droge, për pengmarrje, prostitucion e trafik fëmijësh. Dikur rreth vitit 1998, Hamit Arifi ishte arrestuar në Maqedoni, ku vuajti dënimin prej 5 vjetësh burg dhe më pas është ekstraduar në Holandë. Nuk dihet se në ç’rrethana është arratisur nga vendi i dënimit në Holandë. Një nga akuzat më të rënda që iu është bërë dy vëllezërve korçarë, Hamit dhe Frederik Arifi, është ajo e pengmarrjes dhe vrasjes së një 27-vjeçari nga Boboshtica e Korçës, Dhimitraq Mediu. Riku dhe vëllai i tij u kanë kërkuar familjarëve të Medit 200 milionë lekë, në këmbim të jetës së tij. Vëllai i Dhimitraqit, i cili ishte emigrant në Greqi, mblodhi të gjitha kursimet e tij dhe pasi mori marrë borxh ku mundi, ka shkuar në doganën e Kapshticës dhe i ka dorëzuar Hamit Arifit gjobën e kërkuar. Por Hamiti, sapo ka marrë paratë, u ka telefonuar bashkëpunëtorëve të tij në Holandë, duke i porositur ata të eliminonin pengun. Autoritetet holandeze kanë sjellë në Shqipëri trupin e pajetë të 27-vjeçarit, i cili është varrosur në fshatin e Boboshticës.
Ndërkohë, mendohet se vrasja e fundit, e kryer nga Frederik Arifi, ka ndodhur në vitin 2002, në qytetin e Korçës. Kur ka marrë vesh arrestimin e vëllait të tij në Maqedoni, ai është kthyer në Shqipëri dhe është strehuar në fshatin Gjonmadh të Korçës. Fillimisht Riku ka shkuar si bujtës në familjen Zaçellari, por më pas ka qëndruar aty forcërisht, së bashku me të dashurën e tij shtatzënë. Teksa ishte duke ecur së bashku me djalin e familjes Zaçellari, Klevin, dhe një shokun e tij, është përballur me policin e Korçës, Anesti Minga dhe dy kushërinjtë e tij. Minga ka ndaluar Klevi Zaçellarin, pasi ai ka pasur në dorë një pistoletë. Ndërkohë, Frederiku i ka kërkuar atij që ta lëshojë atë. Polici nuk i është përgjigjur thirrjes dhe ka kërkuar që vetë Frederik Arifi të dorëzohej. Kur ka parë se edhe vetë rrezikohej nga policia, Riku ka hapur zjarr me breshëri, duke lënë të vdekur shokun e tij, Klevi Zaçellarin, dhe duke plagosur efektivin e policisë dhe dy kushërinjtë e tij. Që pas kësaj ngjarjeje, policia shqiptare nuk kishte pasur më asnjë të dhënë për vendndodhjen e Rikut të Korçës.
Re. Rre
 
 
 
Durrës
 
Sherri në picerinë e Plazhit për një femër
Durrës - Policia e Durrësit ka identifikuar autorët që plagosën me armë zjarri tre shtetas mbrëmjen e së dielës, midis të cilëve edhe një shtetas nga Azerbajxhani. Nga ana tjetër, është bërë e ditur edhe motivi se përse ka ndodhur kjo ngjarje e rëndë. Efektivat policore të qytetit bregdetar kanë identifikuar si autorë të ngjarjes shtetasit Gjovalin Paluca, 33 vjeç, nga Lezha dhe Gjergji Tushaj, 46 vjeç, nga Korça. Personat e mësipërm janë shpallur në kërkim nga efektivat policore, ndërkohë që identifikimi i tyre është bërë pas hetimeve intensive menjëherë pas ngjarjes në afërsi të bar-restorant-piceri “Da Silvano”.
Ngjarja
Rreth orës 18:00, dy personat e shpallur në kërkim, Gjovalin Paluca dhe Gjergji Tushaj kanë qenë në shoqërinë e një femre në lokalin ngjitur me piceri “Da Silvano”. Në të njëjtin lokal kanë qenë edhe klientë të tjerë të rastësishëm, midis tyre edhe 28-vjeçari nga Azerbajxhani, Turral Maksut Oz, i cili kishte leje për qëndrim të përkohshëm në vendin tonë. Në kohën që të gjithë personat kanë qenë në lokal, Gjovalin Paluca dhe Gjergji Tushaj kanë shkëmbyer fjalë me azerbajxhanasin, duke dyshuar se ai “kishte ngacmuar” femrën që ishte me ta. Pas shkëmbimit të fjalëve, ata kanë dalë në verandën e lokalit dhe aty kanë nisur të shtënat. Policia nuk ka saktësuar se cili nga dy personat e shpallur në kërkim ka qëlluar me armë zjarri, por nga këto të shtëna ka mbetur i plagosur 28-vjeçari nga Azerbajxhani, Turral Maksut Oz dhe bashkë me të edhe dy klientë të tjerë që gjendeshin rastësisht në të njëjtin lokal. Shtetasi nga Azerbajxhani ka marrë plagë në këmbë, ndërsa dy të tjerët, Leonard Naska, 55 vjeç, ka marrë një plumb në bark. Shtetasi tjetër i plagosur ka qenë Abdulla Osmani, edhe ky me plagë në këmbë. Të tre personat e plagosur janë dërguar në spitalin e Durrësit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Leonard Naska është nisur drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, meqenëse gjendja e tij ka qenë më e rëndë. Policia e Durrësit ka bërë të ditur se aktualisht që të tre personat e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën dhe po punohet për kapjen e autorëve të identifikuar për këtë ngjarje.
A. Kalemasi
 
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›