E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prangoset trafikanti italian i makinave

18/02/2005  Bllokohet fuoristrada

KORÇË - Ndalohet një italian, i dyshuar si trafikant mjetesh motorike në vendin tonë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 11:30 në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Në këtë pikë u bë bllokimi i mjetit tip Fuoristradë, me ngjyrë të kuqe, me targë CR 720 FT i drejtuar nga shtetasi italian, Giuseppe Lapiello, i cili menjëherë është shoqëruar në zyrën e trafiqeve pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë. 33-vjeçari ka kaluar nga dogana greke dhe më pas është drejtuar për në doganën shqiptare. Gjatë kontrollit të dokumenteve është arritur në dyshimin se makina mund të ketë qenë e vjedhur. Sipas verifikimeve të kryera nga zyra e lartpërmendur ka rezultuar se shtetasi italian ka hyrë disa herë në vendin tonë me mjete të ndryshme dhe ka dalë prej saj pa mjet. Për këtë arsye, italiani 33-vjeçar dyshohet si trafikant i mjeteve motorike dhe aktualisht ndodhet i shoqëruar në zyrën e antitrafiqeve Korçë. Të dhënat e automjetit të bllokuar, i cili dyshohet se është vjedhur i janë dërguar Interpolit për verifikim të mëtejshëm. Kjo është hera e dytë gjatë 2 viteve të fundit që një shtetas italian është ndaluar, pasi është dyshuar si trafikant mjetesh motorike.

Precedentët

16 qershor 2004

SHKODËR - Një trafikant italian automjetesh është arrestuar nga policia e Shkodrës, në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në këtë rreth, e cila ndodhet rreth 14 km larg qytetit të Shkodrës.

Mario Vangelisi, 53-vjeçari italian, nga Breshia, u arrestua ndërsa tentonte që me një automjet luksoz tip “Benz” të hynte nga Mali i Zi në Shqipëri. Pas ndalimit dhe verifikimeve të para, është mësuar shumë shpejt se Vangelisi ishte i dyshuar për trafik automjetesh. Pas dyshimeve për një rast të trafikimit të mjeteve motorike, në bazë edhe të shkëmbimit të informacionit, u mësua gjithashtu se, 53-vjeçari Mario Vangelisi, në të paktën 12 raste të tjera kishte hyrë në Shqipëri me 12 automjete të ndryshme dhe se ishte larguar prej këtej pa ato.

4 shkurt 2005

SHKODËR – Shërbimet e policisë së Shkodrës kapën 26-vjeçarin Miograd Vukmir Kruscic, në pikën e kontroll kalimit të Doganës së Hanit të Hotit, duke hyrë në territorin shqiptar nga atdheu i tij, Mali i Zi. Pas verifikimeve të duhura dhe kryerjes së veprimeve proceduriale, rezultoi se dokumentacioni që dispononte shtetasi malazez, për drejtimin e automjetit tp BMV X5, ishte i parregullt. Mbi këtë bazë, ndaj këtij shtetasi u mor masa e ndalimit dhe u bllokua me cilësinë e provës materiale autovetura tip BMV, bashkë me dokumentacionin. Burime brenda policisë, bëjnë të ditur se automjeti ishte vjedhur në Mal të Zi, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›