E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasi kalimtarin me motor, mbetet i plagosur edhe vetë



FUSHË-KRUJË – Një 35-vjeçar, teksa po udhëtonte me motoçikletë, ka përplasur një këmbësor në aksin rrugor Fushë Krujë – Bubq, duke përfunduar bashkë me të në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas tyre, motoçikleta që drejtohej nga shtetasi Gëzim Kulla, nga Fshati Kullë i Durrësit, po udhëtonte në drejtim të Fushë-Krujës. Në afërsi të fshatit Mazha e Vogël, 35-vjeçari ka goditur kalimtarin Asllan Kulla, që për rastësi ishte i afërm i drejtuesit të motoçikletës. Si pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë Asllan Kulla dhe vetë drejtuesi i motoçikletës Gëzim Kulla. Të dy janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, ku ndodhen të shtruar në repartin e reanimacionit. Policia e Krujës, e ardhur në vendngjarje, ka përcaktuar si shkak të aksidentit mungesën e vëmendjes nga ana e drejtuesit të motoçikletës. Po ashtu, 35-vjeçari nuk ka pasur kaskën mbrojtëse gjatë drejtimit të mjetit. Dy të lënduarit kanë marrë fraktura të shumta në trup. Çështja ka kaluar për hetim në Prokurorinë e Rrethit të Krujës.

Tri “maska” të armatosura grabisin lokalin ilegal të bixhozit

KORÇË – Rikthehen grabitjet me armë në rrethin e Korçës, ku gjatë ditës së djeshme ka mbetur i plagosur një person. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se tre persona me maska dhe të armatosur grabitën një lokal ilegal bixhozi në qytetin e Korçës, duke shkaktuar plagosjen e një personi. Burimet policore nuk kanë bërë të ditur emrin e personit të lënduar, ndërkohë që janë vënë në kërkim të autorëve të ngjarjes. Grabitja me armë ndodhi në rrugën e Dishnicës, pranë një pike karburanti në qytetin juglindor. Gjatë katër javëve të fundit kanë ndodhur disa grabitje me armë në këtë qark.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›