E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranimet dhe pagesat për shkollën e lartë part-time

 Ministria e Arsimit bën me dije se për të gjitha programet studentët do të paguajnë 65 520 lekë të ndarë në këste, në përputhje me kreditet e lëndëve që do të frekuentojnë në çdo vit akademik.

Vendimi përcakton se studentët e shkëlqyer përjashtohen nga tarifa e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Kategoritë sociale ku bëjnë pjesë personat që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidët, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës e të ish- të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. Ministria e Arsimit pritet të nxjerrë udhëzimin për datat dhe afatet e regjistrimit. Kuotat janë të ndara në katër nëngrupe. Nga totali prej 1370 studentësh, 1230 do të jenë pranime të reja.

Për transferim studimesh janë përcaktuar 40 kuota. Për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve do të ketë 60 pranime, ndërsa 40 studentë do t’i përkasin kategorisë së ish-të përndjekurve politikë. Janë 40 vende që do të zihen nga studentët që duan të transferohen në të njëjtën degë, por në universitet tjetër.

Sipas vendimit, shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit (Republika e Kosovës, Maqedonia, Mal i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja) dhe shtetasit e huaj që do të vazhdojnë studimet në një program studimi me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptarë. Mesatarja e shkollës së mesme është ndër kriteret kryesore për komisionet e përzgjedhjes së kandidatëve. /Start/

                                                                                             2012-01-15 12:01
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›