E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranimet, kuotat për 176 programet studimore

23/10/2009  Universitetet, pikët minimale që duhen për t’u pranuar gjatë fazës së tretë përzgjedhëse

Kandidatët që ende nuk kanë siguruar një vend në fakultetet publike për këtë vit mund të aplikojnë për plotësimin e formularit A-3, në të cilin janë listuar 232 programe të ndryshme studimi. Personat që tashmë e kanë tërhequr këtë formular, do të përzgjedhin sipas rendit zbritës 10 preferenca nga më e pëlqyera te më pak e pëlqyera. Para se të bëjnë këtë renditje, duhet të konsultohen edhe me kufirin e pikëve minimale që janë pranuar gjatë fazës së regjistrimit përfundimtar. Duke ditur pikët minimale si dhe kuotat e mbetura pa realizuar për secilën degë, është më e lehtë të bëhet përzgjedhja e degëve ku shanset për t’u shpallur fitues janë më të shumta. Për t’u ardhur në ndihmë të gjithë aplikuesve të kësaj faze, gazeta “Metropol” do të publikojë të plotë listën e 176 programeve të listuara në formularin A-3, përbri të cilave do të jepen edhe kuotat që kanë mbetur pa u realizuar si dhe pikët minimale të pranuarit të fundit në atë degë gjatë regjistrimeve përfundimtare. Sipas udhëzimit për pranimet e fazës së tretë, maturantët kanë të drejtë të plotësojnë formularin dhe ta dorëzojnë atë pranë drejtorive arsimore deri në mbrëmjen e 26 tetorit. Pas kësaj date të dhënat e çdo formulari do të depozitohen pranë APRIAL-it, ku pritet të nisë renditja e fituesve sipas çdo programi.

Përzgjedhja

Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30.10.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara si dhe 600 kuotat e tjera që janë miratuar nga Këshilli i Ministrave për këtë vit akademik.

Publikimi

Universitet duke filluar nga data 31.10.2009 do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›