Godo: Tenderat me ilaçet, korrupsion pa masë
Reformat e Godos do të jenë akoma më të dukshme në vjeshtë. Duket se ministrja e re do të presë muajin shtator që të shpallë akoma më mirë reformat dhe prioritetet e dikasterit që ka marrë në drejtim. Këtë e ka konfirmuar dje gjatë një vizite në spitalin rajonal të Durrësit. Gjatë takimit, ministrja deklaroi se tenderat në mjekësi e sidomos në ilaçe janë problemi më i madh i shëndetësisë. “"Rryshfetet që marrin mjekët dhe infermierët është vetëm pjesa e dukshme e korrupsionit, por më problematik është korrupsioni me tenderat" – deklaroi ajo.
Reformat
Duke prekur problemin më shqetësues të shëndetësisë, ministrja e Shëndetësisë Godo, informoi dje në Durrës se për këtë “në muajin shtator në Kuvendin e Shqipërisë do të paraqitet një paketë ligjore që synon përmirësimin e shërbimit shëndetësor”.
Ministrja Godo zhvilloi dje një vizitë në spitalin rajonal të Durrësit, ku gjatë takimit me shefat e shërbimeve dhe mjekë, ajo siguroi se janë marrë të gjitha masat që brenda muajit të ardhshëm të ndryshojë plotësisht gjendja e rëndë e krijuar në furnizimin me medikamente mjekësore në spitalet e vendit.
Duke folur për luftën ndaj korrupsionit në sistemin e shëndetësisë, ministrja Godo cilësoi se "kjo reformë duhet të zhvillohet jo vetëm aty ku personeli mjekësor merr ryshfet për shërbimin spitalor, por kudo ku është e pranishme".
Për ministren Godo, reforma në sistemin mjekësor duhet të bëhet me hapin e duhur për të mos gabuar me emërimet politike, por duke u mëshuar cilësive profesionale të drejtuesve.
Ajo vlerësoi infrastrukturën e spitalit të Durrësit, duke cilësuar se në të ardhmen ky spital mund të jetë një qendër universitare me të gjitha elementet e saj. Ministrja Godo premtoi se specialistëve do t'u vihen së shpejti në dispozicion aparaturat e nevojshme që mungojnë dhe që i shërbejnë shëndetit të qytetarëve.
Më parë, ministrja Godo zhvilloi disa takime me autoritetet vendore, gjatë të cilave u diskutua për problematikat e shëndetësisë në qytetin bregdetar. Gjatë takimit të organizuar në mjediset e prefekturës, ajo kërkoi më shumë informacion lidhur me decentralizimin e sistemit shëndetësor, me qëllim përmirësimin e këtij shërbimi për qytetarët.
Spitali rajonal
Prefekti i qarkut, Klodian Pajuni, kërkoi pajisjen sa më të shpejtë të spitalit rajonal me aparaturat e skanerit dhe të dializës, mjaft të rëndësishme për këtë zonë me rreth 400 mijë banorë. Ndërsa kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, e informoi ministren e Shëndetësisë rreth problematikave të qytetarëve e veçanërisht pensionistëve, që u drejtohen strukturave spitalore dhe shërbimit të mjekut të familjes.
Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo u dekretua në këtë post në fund të muajit korrik, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha. Ajo zëvendësoi në këtë post ish-ministrin Nard Ndoka.
Qeveria, fonde për aksin Durrës-Spitallë
Kryeministri Berisha ka mbajtur sërish premtimin e tij të dhënë në takimin e fundit me autoritetet e pushtetit vendor në Durrës, për çeljen e fondit për ndërtimin e aksit rrugor tepër të rëndësishëm prej 11.7 km që lidh qytetin bregdetar me Spitallën. Lajmi pozitiv ka mbërritur në Bashkinë e Durrësit gjatë ditëve të fundit. Ministria e Transporteve nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ka njoftuar se do të marrë përsipër dhënien e fondit për ndërtimin e rrugës Durrës-Spitallë, njërit prej akseve më të rëndësishme të qytetit. Ishte vetë Kryeministri Berisha vetëm 2 muaj më parë që deklaroi se “qeveria do të japë fonde për realizimin e projekteve për rrugën në fjalë, si dhe për rrugën e tregut industrial”. Dhe pikërisht në kohën kur bashkia po mendonte për sigurimin e fondeve për rrugën e Spitallës, qeveria njoftoi se po kryhen modalitetet për çeljen e fondit. Kjo është një rrugë 11.7 km e gjatë dhe për rikonstruksionin e saj nevojiten 2 milionë dollarë. Rruga përshkon lagjet 2, 15 dhe 18 dhe përgjatë saj ndodhen objekte të rëndësishme si prefektura, Drejtoria e Policisë, spitali rajonal, varrezat e qytetit, si dhe një numër subjektesh private të cilat kanë punësuar një numër të madh të punësuarish të cilët udhëtojnë çdo ditë në këtë aks rrugor. Në fund të vitit të kaluar Bashkia e Durrësit dërgoi në Ministrinë e Transporteve projektin e detajuar për këtë rrugë fill pas deklaratës së Kryeministrit Berisha.
Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, tha se “punimet në këtë aks do të nisin brenda këtij viti, porsa të vijë fondi. Bashkia ka mundësi që të investojë në akse të tjera rrugore”.