Rrugorët, gjoba emigrantëve Lushaj: “Janë të padisiplinuar në trafik”
Xhemal Lushaj, shefi i Qarkullimit Rrugor në Durrës, tha dje për “standard” se “duke u përballur me trafikun tepër të rënduar të sezonit, ne po ndeshemi çdo ditë edhe me sjelljet e padenja të shumë emigrantëve që qarkullojnë me mjetet e tyre”. Sipas tij, ata ecin mbi shpejtësinë e lejuar, shkaktojnë aksidente dhe kaos, duke krijuar premisa të rrezikshme. Policia e Qarkullimit Rrugor në Durrës ka nisur marrjen e masave drastike ndaj tyre. Me qindra gjoba dhe dokumente makinash të bllokuara janë bilanci i policisë rrugore gjatë këtyre ditëve. Pjesa më e madhe e këtyre masave ka prekur emigrantët, të cilët kanë ardhur me makina nga vendet ku janë rezidentë. “Policia Rrugore e Durrësit ka kaluar në shërbim me orar të zgjatur gjatë kësaj periudhe dhe patrullat e saj janë vendosur si në rrugët e qytetit, ashtu dhe në autostrada. Gjatë kësaj jave janë vendosur mbi 1100 gjoba dhe janë bllokuar afro 140 dëshmi qarkullimi, kryesisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, - deklaroi Lushaj. Drejtuesit e Policisë Rrugore në Durrës kanë konstatuar se një pjesë e mirë e emigrantëve të cilët kanë ardhur për të kaluar pushimet e verës në vendin e tyre, shkelin rregullat e qarkullimit në një kohë që në vendet ku janë rezidentë i zbatojnë me përpikmërinë më të madhe. Ata lëvizin nëpër rrugë me shpejtësi mbi normën e lejuar, nuk vendosin rripat e sigurimit, parkojnë në vende të ndaluara dhe në mjaft raste, sillen keq me policët e shërbimit rrugor, gjë të cilën nuk e bëjnë në vendet ku jetojnë e punojnë. Kjo, pa dyshim se kanë frikën e ligjit. Nga ana e saj, policia ka qenë e vendosur në zbatimin e ligjit dhe këtë sezon numri i aksidenteve është 50 për qind më i vogël se ai i një viti më parë. Lushaj tha se “asnjeri nuk do të tolerohet, madje do të aplikojmë edhe bllokimin për 1 vit të patentave të tyre”.