E Diel, 1 Nëntor 2026

Programet master, sa do të pranohen në çdo degë

Programet master do të jenë masive dhe jo elitare, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, në të cilin përcaktohen rekomandimet për numrin e studentëve që do të pranohen në çdo program. Ky udhëzim, që botohet sot në gazetën “standard” përcakton se numri i studentëve të rekomanduar për çdo degë të ciklit të parë, ose thënë ndryshe të ciklit bachelor do të jetë pak a shumë i barabartë me numrin e studentëve që do të pranohen në ciklin e dytë, ose thënë ndryshe, master.

Numri i studentëve

Në udhëzim përcaktohet se “grupet mësimore në programet e studimit të ciklit të parë, ciklit të dytë dhe në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë, rekomandohet të organizohen me numër studentësh” nga 60 për shkencat natyrore, deri në 120 për shkencat sociale, juridike, politike dhe psikologjike. Në këtë mënyrë, rekomandimi i ministrisë ka të detajuar të gjithë lëmën e lëndëve që do të kenë master në universitetet shqiptare.

Në këtë mënyrë, udhëzimi përcakton se për shkencat e natyrës do të duhet të pranohen 60 studentë në ciklin e dytë për çdo program, po aq sa edhe në ciklin e parë. Ndërkohë që për shkencat e aplikuara, ku do të përfshihen shkencat inxhinierike, teknologjike dhe ato bujqësore, ministria rekomandon që numri të jetë përafërsisht 80, ndërsa në ciklin e parë në këto shkenca 100.

Për sa u përket shkencave ekonomike, filologjike, historike dhe filozofike udhëzimi përcakton 100 studentë për çdo program masteri dhe 120 për çdo program bachelor. Numrin më të madh të studentëve në sistemin e masterit pritet ta përballojnë shkencat juridike, sociale, psikologjike dhe politike me 120 dhe 150, në ciklin e dytë dhe të parë, përkatësisht.

Ndarja në grupe

Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit nuk përcakton vetëm numrin e studentëve që do të ketë çdo program masteri që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Në këtë udhëzim përcaktohen edhe detaje të imtësishme, si ndarja në grupe mësimore brenda një viti akademik. Kështu, në bazë të programeve të ndryshme master, të cilat do të kenë kërkesa të ndryshme, do të ketë edhe numër të ndryshëm studentësh që do të ndjekin leksionet e seminaret.

Në udhëzim janë përcaktuar tri kategori, në bazë të kërkesave specifike që kanë. Në këtë mënyrë, për programet e masterit që do të kenë praktika mësimore ose profesionale, grupet nuk do të përbëhen nga më pak se 25 studentë dhe nga më shumë se 40 studentë. Ndërkohë, në lëndët ku do të zhvillohen laboratorë do të jenë 10-15 studentë. Rast të veçantë përbëjnë akademitë, të cilat i kanë të parapërcaktuara kurset.

Në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sportit “Vojo Kushi”, çdo grup do të përbëhet nga minimumi 10 studentë dhe maksimumi 15 studentë, ndërsa në Akademinë e Arteve do të jetë edhe numri më i vogël i studentëve për grup, me 5-10 për secilin program. Ndarja në grupe vlen si për ciklin e parë, edhe për ciklin e dytë të studimeve.

Seleksionimi

Në ndryshim nga sa përflitej, për notën mesatare si bazë e pranimeve në sistemin master, asgjë nuk është vendosur ende. Sipas burimeve, nota mund të jetë një ndër kriteret e pranimit, por në shumicën e rasteve ajo do të anashkalohet. Specialistët thonë se në rast se aplikantët për master do të jenë më pak se kuotat e miratuara, atëherë ka gjasa që të gjithë të përfshihen, pavarësisht kërkesave specifike.

Gjithsesi, në shumicën e shkollave pasuniversitare kërkohet certifikatë e mbrojtjes së gjuhës angleze, pasi në shumë prej tyre mësimi zhvillohet edhe nga pedagogë të huaj. Specialistët tregojnë se diploma e nivelit të parë që ka studenti duhet të jetë në një profil të përafërt me shkollën ku aplikon. Kështu, për Studime Evropiane, duhet medoemos një diplomë e fushës shoqërore, përfshi këtu edhe ekonominë.

Nga ana tjetër, edhe konkurset e pranimit kanë specifikat e tyre. Në këtë mënyrë disa shkolla i zhvillojnë konkurrimet me anë të dosjeve që paraqesin kandidatët, në të cilat përfshihen rekomandime, jetëshkrimi, formular i përgatitur dhe një ese e shkurtër.

Fushat e studimit Numri i rekomanduar i studentëve

cikli I Numri i rekomanduar i studentëve

cikli II

Shkenca natyrore 60 60

Shkenca të aplikuara

(inxhinieri, teknologji dhe shkenca bujqësore) 100 80

Shkenca ekonomike, filologjike, historike, filozofike 120 100

Shkenca juridike, sociale, psikologjike, politike 150 120

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›