E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranimet në universitete, maturantët që zgjedhin gjuhët e huaja më të favorizuar për të qenë fitues

Fatmir Vejsiu: “Koeficientet për Gjuhët e huaja janë më të lartë se degët e tjera”. Matura Shtetërore, si do procedohet me zgjedhjen e gjuhës së huaj

Maturantët që kanë përcaktuar si lëndë me zgjedhje gjuhët e huaja, dhe si degë do të zgjedhin po një gjuhë të huaj, do të jenë më të favorizuar për të zënë një vend në auditorët e universiteteve. Ky fakt është bërë i ditur nga drejtori i i Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Ky i fundit sqaron se koeficientet për gjuhët e huaja, me të cilët do të bëhet përllogaritja e pikëve janë më të lartë, krahasuar me degët e tjera. “Janë dy aspekte, së pari, që janë shtuar gjuhët e huaja, dhe së dyti ka tjetër vlerësim në koeficient në gjuhët e huaja. Por, Anglishtja është më e kërkuara nga fakultetet”,- shpjegon drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH. Ndërkohë Vejsiu zbardh edhe disa nga detajet e formularit A2, që tashmë po shpërndahet në të gjitha shkollat e vendit. “Formulari A2 Ka 215 drejtime studimi, kjo rëndon vizualisht formularin. Ka emrin, mbiemrin, atësinë, gjeneralitete dhe numrin e ID që janë të personalizuara, të prodhuara nga APRIAL, mesatarja që plotëson shkolla, detyrim i shkollës ka dhe preferencat e subjektit”,- vijon Vejsiu.
Gjuhët e huaja
Vlerësimi i gjuhëve të huaja me koeficiente më të lartë se lëndët e tjera është një taktikë që Ministria e Arsimit e ka përdorur edhe një vit më parë për pranimet në universitete. Por, ndërsa vitin e kaluar si lëndë me zgjedhje maturantëve u ofroheshin vetëm tri gjuhë të huaja, që ishin Anglisht, Frëngjisht dhe Italisht, këtë vit, ato do të jenë pesë. Drejtuesit e MASH-it vendosën që në Maturën 2009 të shtonin edhe dy gjuhë të huaja si lëndë me zgjedhje dhe konkretisht Gjermanishten dhe Spanjishten. Një vit më parë, maturantët që dhanë si lëndë me zgjedhje Anglishten patën më shumë mundësi për tu shpallur fitues në universitete. E njëjta mundësi do t’u jepet maturantëve edhe për këtë vit, jo vetëm për këtë gjuhë, por për të pesta. Kjo për arsye se të gjitha degët e fakulteteve publike, përveç lëndëve të profilit të tyre, kanë vlerësuar me koeficient të lartë gjuhët e huaja. Për shembull, Letërsia përveç lëndëve të tjera shoqërore ka koeficientuar edhe Anglishten me 1.3, ndërsa lëndët natyrore me 1.0. Matematika edhe pse degë natyrore ka koeficientuar edhe Anglishten me 1.3, ndërsa lëndët shoqërore me 1.0. Kjo do të thotë se kandidatët që përzgjodhën Anglishten si lëndë me zgjedhje, nëse dalin me rezultate të mira në këtë lëndë, kanë mundësi që pikët e tyre të koeficientohen me 1.3, duke arritur kështu një pikaverazh më të lartë.
Pretendimet
Pas përfundimit edhe të provimeve me zgjedhje pritet që maturantët brenda javës që vjen të plotësojnë edhe formularin A2 për të renditur degët që ata preferojnë. Në bazë të koeficenteve që janë vendosur për çdo degë dhe të formulës që tashmë nuk ndryshon, duke mbledhur notat e provimeve të detyrueshme, dhe të atyre me zgjedhje si dhe duke i shumëzuar me koeficentet përkatës llogariten dhe pikët për çdo degë. Specialistët e Ministrisë së Arsimit këshillojnë që maturantët para se plotësojnë formularin, të bëjnë llogaritë në mënyrë që pretendimet për në universitet të mos jenë më të larta se niveli i tyre. Ekspertët e hartimit të testeve për provimet me zgjedhje po hartojnë rreth 12 teste, për lëndët: Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Ekonomi-Filozofi, Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht. Tezat do të përmbajnë pyetje me zhvillim dhe alternim. Përsa i përket vlerësimit ai do të bëhet nga vlerësues të jashtëm si: mësues, pedagogë apo specialistë të tjerë në fushën e arsimit.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›