Tregtimi i gazit, METE nis aksionin për të mbyllur pikat e paligjshme
Të gjitha pikat e gazit që shesin këtë produkt në mënyrë të paligjshme dhe pa plotësuar kushtet e tregtimit të tyre, do të mbyllen. METE ka nisur aksionin për të mbyllur të gjithë pikat e paligjshme dhe ato që përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve. Jo të pakta janë rastet kur bombolat e gazit tregtohen në njësi shitje ushqimore, kjo gjë nuk do të lejohet më. Nisur nga mungesa e sigurisë, që është vërejtur në instalimet dhe impiantet që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, Këshilli i Ministrave, më dt. 27 janar 2009 ka miratuar vendimin nr. 114, për marrjen e masave emergjente për përmirësimin e situatës së sigurisë në këto aktivitete. Për realizimin e këtij objektivi, dhe në zbatim të VKM, u kijua menjëherë Grupi ndërinstitucional i Punës, i drejtuar nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ku bëjnë pjesë tre zv.ministra, (i METE, i MPPTT dhe i Ministrisë së Brendshme), si dhe drejtuesit e Inspektoratit Qendror Teknik (IQT), Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar (INUK), agjencive rajonale të mjedisit (ARM), si dhe Drejtorisë për Mbrojtjen nga Zjarri dhe për Shpëtimin (PMNZSH). Grupi i Punës hartoi menjëherë udhëzimin e përbashkët të firmosur nga tre ministrat, për marrjen e masave për zbatimin e vendimit nr. 114 të Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit u përcaktua ngritja e Grupeve Rajonale të Punës, në rang qarku, nën drejtimin e prefektëve, detyra e të cilëve ishte të identifikonin subjektet që nuk plotësonin kushtet e sigurisë, si dhe ato të cilat nuk janë pajisur me lejet dhe licencat përkatëse për ushtrimin e veprimtarisë. Nga informacionet e mbërritura konstatohet se situata më emergjente rezulton të jetë në përpunimin dhe tregtimin e gazit në Tiranë, si dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit. Është konstatuar se procesi i transvazimit të GLN (gazit të lëngëzuar të naftës) nga bombola në bombol, duke bërë mbushjen e tyre në pika shitje e ambiente brenda zonave të banuara, pa lejet përkatëse, është i pasigurt pasi nuk ka asnjë elementë sigurie teknike, është proces i pakontrolluar, kryhet në prezencë të qytetarëve, ambientet janë të papërshtatshme dhe kanë personel të pakualifikuar. Ky proces është klasifikuar në grupin e katërt të nivelit të sigurisë, që do të thotë se ka rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. Gjithashtu janë identifikuar instalime të paligjshme të autogazeve pranë stacioneve të karburanteve për automjete brenda zonave të banuara, të cilat klasifikohen me nivel rrezikshmërie të Grupit të Tretë dhe si të tilla duhet të mbyllen. Janë identifikuar një numër i madh pikash transvazimi e autogazesh të paligjshme në Tiranë që kryejnë këto veprimtari të rrezikshme dhe për t’iu përgjigjur kësaj situate në mënyrë energjike është planifikuar të kryhet një aksion ndërhyrjeje në të gjithë territorin e qytetit. Për këtë, është përgatitur një Plan Veprimi me objekt mbylljen e këtyre veprimtarive dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve. Aksioni ka nisur dje në ora 10:00. Janë krijuar dy grupe kontrolli me përfaqësues të strukturave të IQT, mbrojtjes nga zjarri dhe të Inspektoratit të Ndërtimit, të cilat do të mbështeten nga forcat e policisë. Janë përcaktuar zonat e kontrollit mbi bazë minibashkie për secilin grup, si dhe u janë dhënë përgjegjësve të grupeve adresat përkatëse të identifikuara. Por grupet e kontrollit do të kryejnë edhe krehje të zonave ku janë caktuar të kontrollojnë, për të zbuluar edhe pika të tjera të paligjshme të përpunimi te gazit. Në rast konstatimi të kundërvajtjeve ligjore, grupet e kontrollit do të kryejnë procedimet përkatëse ligjore. Ky operacion parashikohet të zgjasë tre ditë.