Sejdini: Investimet e kryera gjatë këtij viti
"Kam marrëdhënie korrekte me Kryeministrin Berisha dhe ai ka ditur të vlerësojë punën e Bashkisë së Elbasanit, edhe pse ajo është fituar nga socialistët", ka pohuar kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas tij, qeveria për vitin 2007 i ka akorduar Bashkisë së Elbasanit një fond prej rreth 1 milion euro, nga të cilat 36 milionë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëfinancim me Bashkinë e Elbasanit, 15 milionë lekë nga grandi konkurrues, si dhe 70 milionë lekë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kjo e fundit e ka miratuar këtë fond për ndërtimin e një shkolle të re në qytetin e Elbasanit. Kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, ka deklaruar se "tashmë është bërë tenderi dhe së shpejti nisin punimet për ndërtimin e një shkolle të re në oborrin ekzistues të shkollës 9-vjeçare "Qamil Guranjaku". Gjithashtu, sipas tij, në fund të këtij muaji do të zhvillohet tenderi për rikonstruksionin e bulevardit "Qemal Stafa" deri tek Kalaja e qytetit, e cila do të kthehet në një shëtitore moderne dhe karakteristike për këtë qytet. Ndërkohë, bashkia ka realizuar një sërë investimesh, ku nga këto 63.5% janë realizuar nga buxheti i shtetit, ndërsa 59.1% nga buxheti i bashkisë. Momentalisht po kryhen punime për rikonstruksionin e rrugës në lagjen "Ptoleme Xhuvani", "Kol Toli", sistemim e asfaltim te rruga "Sul Papri", rikonstruksioni i rrugës horizontale te xhamia në lagjen "Skënderbej", rikonstruksion i rrugës te lagjja "Vullnetari" dhe është duke u ndërtuar ura në përroin e Zaranikës në lagjen "Vullnetari", që, sipas Sejdinit, janë punime në përfundim e sipër. Ndërkohë, kanë përfunduar punimet për rikonstruksionin e rrugës së konviktit të studentëve të Universitetit "Aleksandër Xhuvani", si dhe një rrugë dytësore në bulevardin kryesor "Qemal Stafa". Gjithashtu, ka përfunduar tenderi dhe kanë nisur punimet për rikonstruksionin e rrugës në lagjen "17 Marsi", si dhe vazhdon puna për shtrimin e trotuareve në lagjen NSHU. Sipas Sejdinit, nga grandi konkurrues prej Ministrisë së Punës së Brendshme me bashkëfinancim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit kanë nisur punimet në rrugën "Mbretërore" të qytetit. Ndërsa për buxhetin e vitit të ardhshëm, sipas Sejdinit, janë qytetarët ata të cilët do të vendosin për investimet që do të kryhen në vitin 2008, në lagje të ndryshme të qytetit.