Nxënësit denoncojnë drejtorin se kërkon lekë për shkollën
Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të sistemit 9-vjeçar në Fier, presion mbi nxënësit për të paguar lekë. Një rast flagrant i presionit për lekë nga ana e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave është denoncuar edhe pranë Drejtorisë Rajonale Arsimore të Fierit. Në denoncimin e mbërritur në DRA-në Fier ishin prindërit dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Andon Xoxe", ata që shpjegonin sesi mësuesit e shkollës në fjalë dhe drejtori i shkollës impononte nxënësit për të dhënë një shumë prej 200 lekësh të reja, me qëllim rikonstruksionin dhe lyerjen e shkollës. Të ndodhur para një presioni të tillë, nxënësit ua kanë shprehur me naivitetin e tyre problemin prindërve dhe këta të fundit, pasi kanë mbledhur senatin e shkollës kanë nisur denoncimin drejt institucionit arsimor në Fier. Kreu i DRA-së Fier, Tahir Kastrati, edhe pse i angazhuar me punë të tjera për interesimin e gazetës, ia ka deleguar prononcimin vartësit të tij, Ilir Lugaj, i cili mban postin e shefit të burimeve njerëzore. Ky i fundit, në deklarimin për gazetën, ka pranuar shqetësimin e drejtë të prindërve dhe mbërritjen e denoncimit dhe ka thënë se një ekip kontrolli ka shkuar drejt shkollës së denoncuar. "Në denoncim tregohej për një shumë lekësh, që drejtori dhe mësuesit u kërkonin nxënësve. Ne si drejtori arsimore, duke e respektuar iniciativën e këtyre nxënësve dhe prindërve të tyre, menjëherë kemi reaguar, duke dërguar drejt shkollës përkatëse dhe të gjitha shkollave ekip kontrolli. Rezultatet që do të vijnë nga ky ekip do të shoqërohen edhe me ndëshkime. Ne kemi një urdhër nga MASH-i lidhur me lekët që u kërkohen nxënësve, por duhet patjetër respektimi i të gjitha pikave të këtij urdhri", ka pranuar për "Shqip" Ilir Lugaj, shef kuadri pranë DAR Fier.