E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkeologët, studim varrezës 600-vjeçare të klerikëve

Një takim mes kreut të bashkisë dhe mitropolitit të Korçës pritet të vendosë përfundimisht se çfarë do të bëhet me vendin ku janë zbuluar eshtrat e dhespotëve dhe ku më parë ka ekzistuar kisha 600-vjeçare e Shën Harallambit. Vendi, në të cilin janë pezulluar tashmë edhe punimet për ndërtimin e palestrës së shkollës 9-vjeçare "Sevasti Qiriazi", do të bëhet edhe objekt studimi për faktin se aty ekzistojnë varre të vjetra dhe bëhet fjalë për një varrezë masive të shekujve të mëparshëm. Zbulimi ka tërhequr edhe interesin e specialistëve të arkeologjisë së Korçës. Disa studiues dhe specialistë të arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës janë në pritje të akordit me bashkinë për të nisur edhe kërkimet me interes arkeologjik dhe historik në këtë zonë që është nën administrimin e kishës. Por për sa kohë që punimet në këtë vend dhe gërmimet janë kryer nga ana e institucionit lokal me firmën kontraktore për shkak të një investimi për shkollën, nga ana e muzeut arkeologjik bëhet e ditur se më parë duhet që të merret edhe miratimi i bashkisë për t‘u hapur rrugë gërmimeve dhe kërkimeve të mëtejshme me interes arkeologjik. Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, ka bërë të ditur se është në pritje të një takimi me mitropolitin, Hirësinë e Tij, Imzot Johani, me të cilin do të bien edhe dakord se si do të veprohet më tej me zonën në të cilën janë pezulluar punimet në territorin ku ndodhet shkolla dhe që pretendohet se është pronë e kishës për të mos pasur konflikte me Kishën Ortodokse dhe komunitetin fetar. Pas publikimit të lajmit, se nga punimet në vendin ku më parë ka qenë kisha e Shën Harallambit janë gjetur eshtra herë pas herë në 40 vitet e fundit dhe për sa kohë që flitet për ekzistencë të varreve të vjetra, drejtori i muzeut arkeologjik, Florenc Cenolli, thotë se aty duhet të kryhen patjetër studime dhe kërkime arkeologjike për të hedhur dritë mbi faktet e pazbuluara deri më tani nga ky aspekt lidhur me këtë kishë dhe varrezat masive. "Me ndërmarrjen e pezullimit të punimeve nga ana e Bashkisë së Korçës dhe që në momentin e parë kur është hedhur nga ana e kishës edhe pretendimi se aty mendohet të ketë ekzistencë të varreve të hershme të dhespotëve, besimtarëve dhe qytetarëve korçarë, e kemi parë me interes të nisim edhe studimet në vendin ku kanë qenë themelet e kishës. Zbulimi i disa eshtrave dhe pretendimi se edhe më parë këtu ka pasur raste të ngjashme, ka shtuar interesin tonë për një studim arkeologjik. Për këtë, edhe pse nga ana e bashkisë mund të ishim njoftuar që në momentin e parë për të marrë pjesë gjatë inspektimit, nuk është vonë që në bashkëpunim edhe me degën e Monumenteve të Kulturës të shohim nga afër këtë territor".

Nga ana e tij, kreu i bashkisë nuk është shprehur në rast se do të miratojë edhe gërmimet në këtë vend për studime arkeologjike pavarësisht nga interesi i studiuesve, pa marrë më parë një vlerësim dhe mendim nga ana e Kishës Ortodokse, e cila ka qenë e para që ka reaguar, duke kërkuar edhe pezullimin e punimeve për shkak të varreve dhe themeleve të kishës së vjetër. Ndërkohë që punimet e investimit prej 50 milionë lekësh nuk janë penguar në pjesën tjetër të territorit të shkollës për sistemimin e sheshit. Vetëm pjesa ku pretendohet se janë varret e dhespotëve është izoluar nga gërmimet dhe punimet për ngritjen e palestrës. Në vendin ku nisën gërmimet e ekskavatorëve, punimet kanë shkuar deri në betonimin e një pjese të themeleve mbi të cilat do të ngrihej edhe palestra. Por sipas të dhënave nga bashkia, aty ku është hedhur betoni tashmë, nuk cenohen themelet e kishës së dikurshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›