“Pranvera frankofone” ne Tirane dhe Permet
Muzikë, poezi dhe diskutime për gjuhën frënge përballë gjuhëve të tjera. Këto aktivitete janë planifikuar në kalendarin e "Pranverës Frankofone" për sot, në Tiranë dhe Përmet. Aktivitetet hapen në orën 11.00, në Sheshin Skënderbe, me një spektakël muzikor dhe poetik të organizuar nga shkolla "Viktor Hygo". Pasdite, ora 18.00, në Qendrën e Informacionit të Bashkimit Evropian (EUIC), organizohet konferenca me temë: "Përdorimi i shprehjeve frënge në gjuhën greke". E ftuar në këtë takim nga Ambasada Greke në Shqipëri profesoresha e Universitetit të Gazetarisë në Selanik, Anastasia Doulkeri. Pasdite poetike zhvillohet edhe në qytetin e Përmetit, nismë e Shoqatës "Elena Gjika". Në Bibliotekën e Qytetit të Përmetit, sot e njëjta shoqatë hap edhe ekspozitën e librit francez, deri më 30 mars. Në Korçë, po sot, në ambientet e "Aleancës Franceze", zhvillohet konkursi "10 fjalët e Frankofonisë", me nxënës të Liceut Artistik "Raqi Qirinxhi", seksioni dy-gjuhësh. Kurse, në Tiranë, Pranvera Frankofone vijon me filmin "Gjyshet e Revolucionit", realizimi i regjisores Petra Selishkar, përfaqësuese e filmit eksperimental. Shfaqet sot, ora 19.00, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias "Marubi", në Tiranë.
Në Shkup nisi java e filmit frankofon
Me filmin francez "Koha verore" në regji të Olivie Asajasit, i xhiruar në vitin 2007, sonte në Kinotekën e Maqedonisë, do të hapet Java e filmit frankofon. Deri më 27 mars, kur do të mbyllet revia, do të shfaqen pesë filma në gjuhën franceze. Nesër, në program është filmi zviceran "Anri Dinan, i kuq në kryq" i Dominik Otnen-Zhirarit, i vitit 2008. Në ditët e ardhshme do të shfaqen edhe "Vajza nga Monakoja", film francez i An Fontenit (2008), filmi senegalas "Hienat" i Xhibril Diop Mambetit (1992), filmi belg "Heshtja e Lornës" i Zhan-Pjer dhe Lik Dardenit (2008) dhe filmi rumun "Vera e paharruar" i Luçan Pintilies, i xhiruar në vitin 1994. Javën e filmit frankofon e organizojnë Qendra franceze për bashkëpunim "Zhan Mone" nga Shkupi, Kinoteka e Maqedonisë, ambasadat e Rumanisë dhe të Zvicrës dhe Valonia-Brsiel Internacional.
“Liza” kryeson për javën e tretë në SHBA dhe Kanada
Filmi “Liza në Botën e Çudirave” i regjisorit Tim Burton vazhdon të jetë filmi më i ndjekur në kinematë e SHBA-së dhe Kanadasë, duke monopolizuar kreun e klasifikimeve për javën e tretë rresht. Filmi “fantasy” ka fituar 34.5 milionë dollarë në fundjavën e trete, duke i çuar në 265 milionë fitimet që nga shfaqja e tij e parë në ekranin e madh.
Rivali i tij më i afërt është “Diary of a Wimpy Kid”, i cili sapo doli u rendit në vendin e dytë me 21.8 milionë dollarë në javën e parë. Filmi në fjalë ka lënë pas komedinë “Gjuetari i Shpërblimeve”, me Jennifer Aniston dhe Gerard Butler, që ka fituar 21 milionë dollarë.
24 Mars 2010