Pranverë në Kosovë shfaqet në Torino
Në përvjetorin e parë të pavarësisë së shtetit të dytë Shqiptar të Ballkanit, Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra i propozon publikut torinez një dëshmi të gjallë të ngjarjeve të përjetuara nga populli Kosovar ditën e pavarësisë. Në datën 26 shkurt në Muzeun e Rezistencës, Depërtimit, Luftës, të Drejtave dhe Lirive në c.so Valdocco 4/a në Torino do të shfaqet filmi dokumentar Pranverë në Kosovë, i regjisorit Erjon Kadilli.
Përmes pamjeve të filmuara nga regjisori i ri me origjinë shqiptare Kadilli, i cili do të jetë i pranishëm në sallë, filmi synon të sjellë pranë publikut atmosferën e ndezur dhe emocionet e mëdha të asaj dite historike, të parë me sytë e protagonistëve të saj. Në qendër të dokumentarit është pikërisht populli kosovar, ëndrrat e tij dhe shpresa për të ardhmen, e cila i është mohuar shpesh gjatë rrjedhës së historisë. Dokumentari është një udhëtim emocionues dhe prekës në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë të Kosovës dhe në qytetin e tyre, Prishtinën, ku janë ende të dukshme gjurmët e luftës, por ku edhe shpresa për jetën është ndoshta më e fortë se tjetërkund. Në shfaqjen publike të 26 shkurtit, ku hyrja do të jetë e lirë, do të marrin pjesë prof. Guido Franzinetti i Universitetit të Torinos dhe prof. Vincenzo Cucci, kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit. Takimi do të drejtohet nga gazetari Benko Gjata, korrespondent i ATSH-së në Itali. Ky event i propozuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra është realizuar me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, të Federatës së Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontit si edhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino. Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatraka vite që merret me organizime aktivitetesh të cilat kanë në qendër të tyre shqiptarët. Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e sa më të shpejtë të qytetarëve shqiptarë në shoqërinë italiane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë. Shoqata mbështet plotësisht kauzën Kosovare dhe ka organizuar veprimtari të ndryshme në favor të pavarësisë dhe njohjes së plotë të saj nga bashkësia ndërkombëtare.
Email This Klikime: 5
Email This Klikime: 5