E Diel, 1 Nëntor 2026

"Nderim viktimave të sistemit komunist" Kronika dhe dokumentarë për viktimat që dënuan gjyqet e diktaturës

Ekspozita në Muzeun Historik Kombëtar, ka për qëllim të shfaqë realitetin e asaj kohe
Sot në Muzeun Historik Kombëtar do të çelet ekspozita me titull "Nderim viktimave të sistemit komunist", e cila i kushtohet atyre që u vranë pa gjyqe për fjalën e lirë, por dhe atyre që vuajtën burgjeve të regjimit komunist. Ajo do të jetë e ndërtuar mbi katër elementë kryesorë artistikë si foto-instalacioni, që është dhe struktura bazë e ekspozitës,  instalacion qendror, me një gardh me tela me gjemba që është pozicionuar në qendër të ekspozitës, projeksionet filmike, të cilat janë kolazhe vizive që shfaqin momente të përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës së komunizmit, objekte të përditshmërisë së të burgosurve të dhuruara prej tyre apo familjarëve të tyre, etj. Ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist" ka për qëllim të shfaqë realitetin e asaj kohe. Ajo është e ndërtuar mbi katër elementë kryesore artistikë, të cilat janë ndërveprues me njëri-tjetrin. Sipas ministrit Pango teknologjia për elementin e parë është përdorur për të tërhequr vëmendjen e publikut me mesazhin që ajo përcjell. Elementi i parë është foto-instalacioni që është dhe struktura bazë e ekspozitës. Janë rreth 180 metra linearë printime fotografish origjinale në cilësi të lartë, bardhë e zi të cilat qarkojnë tërë ekspozitën të kthyera në foto instalacione me ndriçim nga pas. Kjo teknologji është përdorur për të tërhequr vëmendjen maksimale të publikut  tek mesazhi që përcjell ngjarja si edhe për të krijuar gjendjen e gjysmë errësirës të domosdoshme për këtë lloj  ekspozite, u shpreh ai dje në konferencën e shtypit. Pjesa më interesante në ekspozitë do të jetë dhe elementi i dytë, që është një instalacion qendror, një gardh me tela me gjemba. Gardhi do të jetë 15-metra i gjatë dhe 3-metra i lartë që është pozicionuar në qendër të ekspozitës. Përzgjedhja e këtij elementi është bërë për ti kujtuar publikut një fragment sado të vogël  të pamjes së përditshme të mijëra shqiptarëve që vuajtën në burgjet dhe kampet e punës përgjatë sistemit komunist. Ky gardh me tela me gjemba është dhe një përkujtim për qindra shqiptarë që u masakruan përgjatë diktaturës në përpjekje për tu larguar nga vendi drejt perëndimit. Gardhi simbolizon në të njëjtën kohë edhe barrierën e fundit të shoqërisë tonë, mungesën e vullnetit  për tu distancuar nga krimet e së shkuarës. Këto janë idetë që përbëjnë këtë instalacion (gardh) dhe e kthejnë atë në një element qendrorë të kësaj ekspozite,cilësoi ndër të tjera titullari i MTKRS. Ekspozita që do të hapet sot përkon me ditën kur 18 vjet më parë ranë mitet e komunizmit në vendin tonë.  Ekspozita, e para e këtij lloji në vendin tonë dhe me këto përmasa, reflekton në një linjë krejtësisht të veçantë të Muzeut Kombëtar, kombinimin e fotografisë me projeksionet video, kronikat dhe dokumentarë të kohës, vitrinat që mbajnë objekte të viktimave që u dënuan në gjyqet e diktaturës. Më tej duke folur mbi ekspozitën që do të hapet sot, ministri Pango theksoi se elementët e tjerë do të jenë materiale që përkojnë momente të dhunës gjatë periudhës së komunizmit, por do të ketë dhe materiale që do të shfaqen për herë të parë para publikut. Elementi i tretë janë projeksionet filmike, të cilat janë kolazhe vizive që shfaqin momente të përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës së komunizmit, të cilat së bashku me foto-instalacionet janë materiale pamore origjinale që shfaqen për herë të parë. Elementi i katërt janë objekte të përditshmërisë së të burgosurve të dhuruara prej tyre apo familjarëve të tyre, objekte këto që dëshmojnë histori të tragjike njerëzore, përfundoi Pango. Fondi i kësaj ekspozite do të integrohet dhe do të jetë bërthama e një pavijoni të përhershëm në Muzeun Kombëtar, për t'u transferuar në një muze të ardhshëm vetëm për periudhën e genocidit komunist. Krahas muzeut është menduar të ndërtohet dhe një obelisk, i cili do të vendoset në sheshin  përballë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës Arbnori, në Tiranë. Ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë që përmes efekteve të dritës, zërit, video projeksionet, të përfshijë emocionalisht vizitorët, sigurisht duke i dhënë ndjesinë e përjetuar vërtet momentet dhe ngjarjet e shëmtuara, po aq dhe reale të atyre viteve. Në hapjen e ekspozitës "Nderim viktimave të sistemit komunist" do të marrin pjesë kryeministri i vendit, z.Sali Berisha, ministri i TKRS-së z.Ylli Pango, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, figura të njohura të politikës dhe artit,familjarë të viktimave etj. Ekspozita Nderimi i viktimave të terrorit komunist është organizuar nga MTKRS në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi Shtetëror i Filmit, Instituti i të Përndjekurve, Qendra e Studimeve Albanologjike, Agjencia Telegrafike Shqiptare , Arkivi i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, Ministria e Brendshme si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.  
 

************************************************************
Statistika mbi krimet e komunizmit, të publikuara nga MTKRS:

- Të pushkatuar                     5548              nga këta                         91 gra
- Të burgosur                       14563              nga këta                      445 gra
- Të vdekur në burg                 987              nga këta                          7 gra
- Të futur në psikiatri               308             nga këta                         35 gra
- Të internuar e dëbuar          21401            nga këta                       322 gra

************************************************************************
Të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre klerikë katolikë janë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. Gjatë kësaj kohe u shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe dhe tyrbe.

Email This Klikime: 11

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›