E Diel, 1 Nëntor 2026

Njeriu tingull



Poemthi “Orakuj të mbrëmjes” të Sadik Bejkos ka 15 poezi që të lidhura dhe në ngasje e nxisin njëra-tjetrën, e parandiejnë dhe paralajmërojnë lindjen e asaj që pason. Pamja mbrëmore në fillim shfaqet ngjashëm me një skenë teatri dhe në gjirin skenografik të natyrës do të zgjohet shiriti i kujtesës dhe do të rrëfehen varg bëmash dramatike të dikurshme e që nga ana e vet do të nxisin ëndërrime, përsiatje transcendentale mbi botën, ekzistencën dhe kuptimin. Është çasti kur gjithësia bën kapërcimin ditë-natë që ndjell rrëshqitje të lehtë drejt përkundjes spirituale, drejt një bote kujtimesh ku zhduken kufijtë këtej e përtej, nga e cila, tani më, kanë filluar të vijnë sinjale, kumte kontemplative. Në këtë meskohë, çdo gjë përreth-gjësendet e prekshme, konkrete të botës reale, shfaqen si zbulim i ri, si botë që është përditshmëri e njëkohësisht virtuale. Dielli që lëviz qetë mbi humnerë, derdhja e pjerrtë e rrezeve mbi kodrat tiranase të Saukut, nxit, me këtë rast, ndjenjën e një topitjeje joshëse në fillim, ëndërrimtare, të një shtytjeje fluide drejt një botë-kohe që s’është - në ndjellje të një bote që ka qenë dikur. Dhe siç do të shihet, pas këtij fillimi, vërshimi i hije-territ, që ngadalë dhe sigurt e pushton hapësirën sovranshëm, e shtyn ecjen drejt vizionit të mjegullt, drejt njerëzve dhe bëmave të tretura... Kështu, me 15 poezitë e veta, kjo kryevepërz të bart drejt universit njeri, ngjashëm me poemat a ciklet e poetëve Eliot, Paund, Elitis. Pamjet e shfaqura në horizont, artikulohen si tërësi semantike, në kohë dhe hapësirë. Mbamendja e zgjuar, penetrimesh dramatike vë në lëvizje motive të regjistruara e që zhvillohen, në këtë hapësirë, si struktura të lidhura emocionale, imagjinative dhe refleksive.

Poezia e parë, pra shënon çastin e vijëzimit të kufirit mes ditës dhe natës, çastin kalimtar kur tërhiqet drita dhe shtrihet terri. Hapësira merr pamjen e një sipërfaqeje ujore, hijedrita që shkrihen qetë e pafajshëm në njëra-tjetrën. Shpalimi i faqeve të sedimentuara, kështu sapo ka filluar të trokasë që, menjëherë, në hapin e dytë të ndërrojë perspektivë zëri lirik, në pritje alarmuese: sa s’kanë nisur të brejnë, nga poshtë, nga themeli molat, si valë hijesh që tërheqin pas terrin e plotë…

Në poezinë e dytë, hijet marrin tërësisht në dorëzim hapësirën e harkut pamor të zërit lirik, duke ndjellur një puhizë të lehtë shqetësimi dramatik: i kam frikë mbrëmjet e tilla, me paqe të kufkët, me drita shurdhmemece, me vetminë që i bie cep më cep dhomës... Asgjë edhe kjo mbrëmje, do të shtojë dëshpërueshëm ai, psherëtime ngjyrash, asgjë më shumë…

Poezia tre e poemthit, shikuar nga një kënd, është njëra nga poezitë shtylla. Në ecurinë e saj vihen re disa shkallë perspektivash. Në fillim poeti gjendet në prag të kapërcimit të plotë përtej: e ndjen matanë frymën e saj - e megjithatë i ikën, si fill ajri a rëre, që më pas të akomodohet si në gjendje zero. Lëshohet krahëve të një rënie të butë palëve qiellore a të çarave të tokës, si në hone ajrore të pafundme. Në një shkallë tjetër, ndërron rënia, egërsohet - gur që përplaset shkëmb më shkëmb, por i tëri i vetes, mbyllur brenda: s’ka gjë më të mirë - do thotë zëri lirik, - se burgu i vetes. Tendosja emocionale, zigzageve të ecje-rënieve, egër e butë, ftohtë e ngrohtë, në këtë poezi është dramatike. Rënia nëpër kohë pra është pa flatra, pa mbështetje, pa asnjë degë-kohë, ku të mbahesh, ku të pushosh e të marrësh fuqi për më tej. Dhe, megjithatë, fundi vjen si një prehje kur më në fund arrin të prekësh të paekzistueshmen...

Brenda ngjyrave të këtij mozaiku, në poezinë katër, do të derdhen nuanca, jehona mitike, të amalgamuara si artikulim semantik, tani i ri, i fëmijërisë, si peizazh që qëndron sigurt në kohë dhe hapësirë. Imazhet mitike e magjike, e që lidhen me shfaqjen e Gjyshes sidomos, e të Atit e të Birit, vërshojnë si vrushkuj shkrepjesh, duke e vënë në lëvizje mekanizmin spiral të mbamendjes asociative. Fjala është për të ndodhurat e tretura në kohë, por që si pamje koagulojnë të prira që, në çastin e duhur të shpërthejnë dhe, nën kontrollin dhe zotërimin kreativ të poetit, të artikulohen në art poetik - në një kryevepër me këtë rast.

Edhe kënga pesë është një tjetër shtyllë. Vazhdon shpalimi me mall dramatik, i çfarësisë - sociale, shoqërore, morale, filozofike, - së asaj bote, i atij trualli që, rrjedhimisht e paskësh gatuar pikërisht të tillë zërin lirik: shajni, urrejtje mbushur dëng hambarin dhe, gjakimi i makthët për të qenë ndryshe, për ta shtrydhur kërpudhën me helm, atë të ngulur në tru. Pikërisht brenda kësaj poezie do të artikulohen me mjeshtëri disa nga pamjet e shpërthyera - rendja në zinxhirin e kthesave të dritës për ta shmangur vetëshpërthimin, e mbi shpinë portat që ia kyç edhe vetes.

Ambienti i këngës VI, ku ka ateruar poeti, vendoset brenda një pikëllimi global. Shenjave dhe shënjimeve galaktike kapet rënia në zi e hapësirës së zërit lirik. Mbulesa e zezë do ta marrë në dorëzim gjithësinë: Ariu polar, me yll të kuq u shkund brofshëm dhe haleluja, kuja me jehonë qiellore për marrjen nën pushtet hapësirën e Shkabës nga drapër-çekani.

Në shkallën e shtatë (7) poeti rreket të vërë rend, të sistemojë dhe disiplinojë rrjedhën e rrëmbimshme të udhëtimit poetik, të prekë me delikatesë kopshtin familjar të fëmijërisë që i është hapur pashempash. Ka nuanca të lehta sentimentale, mekje kontemplative.

Ka kujdes për shpërthimet e befta, ende të pavëna nën kontroll gjatë gjallërimit të reliefit të brendshëm e që në çaste, herë-herë, vjen si nevojë për tërheqje- le ta lërë i Larti që, tërë ky zgjim i alarmuar të vihet në shërbim të vetmisë së vet - larg edhe nga ndjellja e rrejshme e mbrëmjes.

Kënga tetë dhe nëntë janë ode gjyshes dhe gjyshit. Gjyshja tani shfaqet e plotë, nën një ankth e trishtim të përhershëm: në lemeri nga rreziqet që i kanosen të birit, nga gojët e territ që e përgjojnë, që i vënë pusi. Vjen zëri i Gjyshit pastaj për ta qetësuar: jo nata, as guri e muri, por jeta, ajo është plot shajni e buaj zorrë-nxjerrë, jeta ku hiçi dhe asgjëja janë sy.

Që nga kënga dhjetë intensifikohet rrjedha dramatike, ecja nëpër kohë-hapësirën poetike, ecja nëpër vete. Vargjet e para të kësaj poezie sjellin pamje shagaliane. Magjikja ndodh në qiell: shndërruar në një re milingonash, nën një strehë mali, e që ndër dhëmbë mban thërrimen e grunjtë - dimrin për ta ushqyer, formohet një varg pamjesh ishullore të një cilësie majash poetike. Jehona dramatike e kësaj poezie do të shtrohet deri në poezinë 13, pas së cilës fillon zbutja, tërheqja e qetë.

Kjo lartësi artikulimi poetik do të shtrihet, po me atë forcë, edhe në poezinë njëmbëdhjetë. Ja gjashtë vargje të një bukurie të rrallë nga kjo poezi:

Më tej pusi babëlok, qafok buzëlagur

me rodhanin e reve dhe sipër kovën

herë përmbys në zi vajtimin tharë e shtypur

herë e plot e në rrëke lotësh derdhur anash

në një gëzim budallaqeje, dhuruese

deri në ndryshkjen kërcitëse të vetvetes...

Është një mozaik poetik i përsosur ku pleksen e shkrihen ngjyrat e jetëdhënësit biblik- kroit babëlok e të virgjër, herë me kovën përmbys e në zi thatësie, herë në lot çurg që s’e lenë të ngjitet kurrë e plotë, e që, megjithatë plot gëzim, budallaqja - e tillë deri në flakje nga njerëzit e pamiradijshëm… Është pusi, me këtë rast i transformuar në një metaforë fati dhe ekzistence njeriu nëpër kohë. Kështu në vijim të portretimit, të vetëportretimit, objektet, fenomenet, gjësendet... lehtësisht shndërrohen në poetizime metaforike...

E pranishme përsëri Gjyshja me ankthin lemeritës për fatin e djalit të vetëm që mund ta gëlltisë terri...

Që në hapje të poezisë 12 përsëritet pjesa e vargut të parë nga poezia 11: Jemi të ashpër, vadhëza, as të pjekur as të papjekur, bimë-frutë as e butë as e egër, ndërsa, rrjedh po me atë ritëm të shpejtuar e dramatik rrëfim-shpalimi i kohës që s’është...

Dhe shfaqja sërishmi e Gjyshes, përherë nga një tjetër perspektivë psikologjike, kësaj here në kulm të lemerisë, përmes klithje-vajeve drejtuar nipit (zërit lirik), djalit të djalit pra, që t’i bëjë zë, ta thërrasë të atin me sa fuqi ka - në këtë buzë nate që merr njerëz, të bërtasë sa të nxjerrë jashtë gurmazin: o baba - thirr deri sa britma t’i bëhet dritë tyt ati! Edhe në këtë poezi, pamjet e kornizuara, që nga ato sociale, psikologjike, mitologjike, që nga bukëzeza e munguar dhe thasët e firosur natën, që nga shpatullat e kallura nga litari, deri te kapërcimi i lumit për së gjati... veçohen secila për origjinalitet dhe kënaqësi estetike.

Bashkë me poezinë 13 shfaqet një fluturim, rënie a ngjitje prapthi. Tani ka filluar tërheqja, zbritja, aterimi kthyes -në tokë. Pas valëve rrokullisëse, është një tërheqje e ngadaltë deti, pas gallopimit prapthi të zërit lirik, tani që andejkohe. Tërheqja do të ketë shijen e ripërtypjes së pikëllimit baladik dhe shija e vetmisë, dhe dilema: do të mundet, vallë të kthehet i plotë - a ka fare kthim të tillë dhe, akoma më shumë, ç’synon ai?

Vargjet e këngëve të fundit të poemthit - 14 dhe 15, i përshkon dukshëm puhiza e lehtë baladike: buka e vënë me dorën e gjyshes, për zogjtë e uritur, apo për udhëtarin e vjetër të natës, mbeti pa u çukitur...

Orakujt e mbrëmjeve

(Rubies, gjyshes sime)

Kodra të Saukut nëpër rrokullimë të mbrëmjes:

U shijon pjerrësia e lartësimi i një dielli hap-plogët

Endja në tezgjah kthjeltish të paqta heshtjesh.

Molat do t’i gërryejnë nga themelet me dallgë hijesh,

Me lojën e hijeve, mullarë e pilogë bari të kositur

Hijesh që dyfishojnë pemët në verdhime, lulepjekurat.

Ngrohtë- ngrohtë, flaktë-flaktë,ashpër-butë,ngeshëm

E thërminjtë rumbullaksi, endur e thërrmuar hijeve-

Pasqyrë tub e mysët, pa dritë e kumb e përtej burimeve.

ËSHTË DIMËR MIKJA IME

Është dimër mikja ime, është dimër

Dimër në male, dimër në fusha kudo dimërim

Është stina mikja ime, është stina e të ftohtit

Pak ngrohtësi, pak ngrohtësi

Pak ngrohtësi diell mbi fytyra mbi ish-njerëz

Mbi fytyrat shtrembëruar nga të ftohtit rrëqethës.

Fushat kanë marrë ujë në brinjë

E malet kanë lidhur kokën me qefinë reje

E ne jetojmë në një qytet rrëshqitës

Tmerrësisht rrëshqitës, tmerrësisht të gurtë

Jashtë çdo kohe, çdo bese, çdo feje.

Këtu ujërat rrëshqasin se guri s’i mban

Era rrëshqet e të merr fjalën nga buza

Bukuria rrëshqet si loti në fytyrën tënde

Këtu është një lëmim ngjethës i ngrirë

Një gri tmerrësisht e thatë, e shtrirë.

Me ç’guxim më ecën ti e ngrohta e qeta

Me ç’frymim ngroh, thur ëndrrat arabeska

Me ç’guxim drithëron drita në sy

ǒqiellëzim ndriton e yllëzon tek ti

Këtu është vendi i thyerjeve, i rrëshqitjeve

I nëpërkëmbjes i pështymave gri.

Me ç’guxim guxon, njerëzon ti...

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›