E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju rrëfej shqiptarët që "pushtuan" Italinë

Edhe ai ka qenë një emigrant. Njësoj si ata që sot mbërrijnë nga deti prej vendeve të tyre të largëta, por edhe të afërta. Si ata, Nicola u largua për të mbijetuar. Ishte thuajse një fëmijë, ende nuk i kishte mbushur 16 vjeç. Mori trenin, la gjithçka: qytezën e vogël që mbante aromë bari të thatë e borziloku, la shtëpinë e tij dhe miqtë. Pas udhëtimit, një qiell gjithnjë gri: Heidbelerg, fabrika, turnet dhe lumenjtë, era e akullt, gjermanët që e shihnin me përçmim... Edhe ai ka qenë një nga ata 27 milionë italianët që në më pak se një shekull -nga viti 1871 deri në vitin 1976- u nisën. Ishte një klandestin në pesë.

Megjithatë, Nicola u kthye më pas. Dhe fati e dërgoi drejt atyre vendeve që njerëzit gjithnjë e kalojnë për të mos vdekur: kufijtë. Me një uniformë ushtarake dhe në zemër plagët e asaj pjese të jetës së kaluar në Gjermani, për tri dekada ka takuar botën në fundin e botës. Turq, shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës, irakianë, kurdë, pakistanezë. Dhe ka riparë veten kur ishte i ri... Kur doli në pension, brigadieri Nicola Montano, agjent i sigurisë publike me detyrë në kontrollin doganor, më në fund vendosi të rrëfejë migrantët e "tij". Ata që ia dolën mbanë dhe ata që nuk janë më... të gjithë... Janë aty të arratisurit nga Porti i Durrësit. Gomonet, skafistët... Heshturazi deri atë ditë, deri në 8 gushtin e vitit 1991, kur anija "Vlora" iu drejtua Portit të Barit me ngarkesën e saj të dëshpëruar me qenie njerëzore. Ishin 20 mijë, të shtypur si në një stivë, të ndalur në port, të varur në litarët e trarët e anijes. Libri i Nicola Montano-s është një dokument; është dëshmia e asaj që sytë e tij kanë parë përgjatë 30 viteve; është një ditar. Çdo faqe është një histori që nis nga viti 1972 e deri në vitin 2008: popuj në arratisje; tokë e premtuar, frikë, mirazh. "Duket se asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas kaq kohësh", thotë Nicola Montano. Këtë libër e ka shkruar për të ndërtuar jetën e tij përkrah atyre njerëzve, "sepse fëmijët tanë duhet të dinë se kushtet aktuale të klandestinëve kanë qenë edhe të baballarëve të tyre"... Është një kronikë e gjatë zbarkimesh dhe eksodesh. Janë faktet e bëra të ditura prej gazetave dhe të "rilexuara" prej atyre që ishin aty, që djersitën dhe vuajtën vërtet. Përllogaritja e të ardhurve, ose të gjallëve apo të vdekurve, të përkthyer në fytyra burrash, grash, pleqsh e fëmijësh... "Fenomeni i emigracionit... sa i shëmtuar, sa fjalë e ftohtë fenomen... duhet vlerësuar me interesin e ndërgjegjes e jo me gjë tjetër", shprehet Nicola dhe sjell edhe një herë shembullin e asaj dite, 8 gushtit të vitit 1991, "Vlora". Dhe sjell ndërmend dialogun mes komandantit të anijes së nisur prej Durrësit dhe komandantit të Kapitanerisë së portit, pyetje dhe përgjigje që do të tregojnë përfundimisht se çfarë ishte "pushtimi i Italisë nga shqiptarët". Kujton: "Unë atë bashkëbisedim tronditës e dëgjova të gjithin nëpërmjet radios, fjalë pas fjale, deri sa nisa të shikoja që shqiptarët zhyteshin të lumtur në ujërat e portit". Verën e shkuar, 17 vite më pas, Nicola Montano e takoi në Shqipëri Halim Milaqin, komandantin e anijes. Është mirë, vetëm se është plakur disi dhe ka ndryshuar punë: është agjent anijesh në Durrës...

Vajtje-ardhjet e jetëve klandestine

Nicola Montano

Në marsin e vitin ‘91 isha në aeroportin Bari Palese. Në mars të atij viti kishin mbërritur në port peshkatare të shumta, ose anije... Mijëra shqiptarë të arratisur në bord. Nëpërmjet radiomarrëses isha në dijeni të emergjencave që herë pas here verifikoheshin në port. Në fund të muajit korrik shefi më tha se do të shkonte me pushime, duke nisur që nga një gushti, kështu që unë duhet të kthehesha në port për ta zëvendësuar. Ato ditë flitej shpesh për mbërritje të mundshme të shqiptarëve. Kishte lajmërime konkrete, sigurisht. Teleshkruesi shtypte vazhdimisht mesazhe që vinin nga Ministria e Brendshme. Kërkohej kujdes maksimal (...).

Gjatë pasdites, ndërsa gjendesha në stacionin portal, po më drejtohej marshalli i Kapitanerisë së portit, miku im. Më dorëzoi një mesazh që Kapitaneria e portit i kishte dërguar Ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes, së Jashtmes dhe prefekturave të Barit e Brindisit. Në mesazh thuhej: "Nga sa na është referuar prej komunikimit nëpërmjet radio ‘Barit‘, nga anija italiane ‘Lady Continentale‘, në orën 16:00 të ditës duket se nga Porti i Durrësit do të nisen një mori njerëzish që kanë sulmuar anijet dhe po kërkojnë të largohen nga vendqëndrimi i anijeve...".

Telefonova në Kuesturë për të sinjalizuar rrethanat. Në zyrë lexova shpejt mesazhet e teleshkruara. Sinjalizonin në mënyrë të shpërqendruar dhe të kushtëzuar vetëm faktin se Porti i Durrësit dhe ai i Vlorës ishin "pushtuar" prej të arratisurve. Rreth orës katër e gjysmë të mëngjesit të ardhshëm (8 gusht 1991), ra zilja e telefonit, e cila më zgjoi. U përgjigj ime shoqe, e cila më kaloi receptorin. "Është kuestori", më tha. "Ju kërkoj ndjesë inspektor, por duhet t‘ju them që një anije shqiptare me mijëra persona në bord, pak më parë ka kaluar Brindisin dhe është drejtuar për në Bari. Nuk e di nëse do t‘ia dalë mbanë. Të përgatitemi për më të keqen. Duhet të shkoni në Kapitaneri për të ndjekur ngjarjen dhe të më lajmëroni".

Thirra me anë të radios patrullën që përbëhej prej agjentëve Grosso dhe Guaçero. Hipa në makinë me ta dhe bëra një xhiro patrullimi. Pavarësisht se ishte ora pesë pa një çerek e mëngjesit, ishte nxehtë. Hipa në digën forane për të parë detin. I qetë dhe i mjegullt. Nuk kishte aspak erë. Ishte e sigurt se dita do të ishte e djegëse. Anije, nuk pashë asnjë për be. Aty-këtu shiheshin barka peshkatarësh. Në orën tetë, erdhën të gjithë kolegët që duhet të bënin turnin e mëngjesit. Enzo, komandant i Skuadrës së detit, me efikasitetin e tij të zakonshëm, përgatiti ekuipazhin për të dalë me motoskafin. Duhet t‘i dilte para anijes shqiptare dhe të më bënte me dije situatën. I ngriti spirancat pas dhjetë minutash. Doli nga porti dhe nisi të lundrojë drejt Monopolit. Telefonova sërish sallën operative të kuesturës për të informuar se, duke nisur që nga ai moment, motoskafi ishte në det. Prej aty, "Peshkaqeni" ynë, kështu quhej motoskafi ynë, do të mund të shihte anijen. Hipa në tarracën e zyrës për të kontrolluar nëse mund të shihja diçka. Asgjë. Mjegulla më lejonte të shihja vetëm në një distancë prej një milje.

Pas rreth 15 minutash, Pasquale, i cili gjendej në bordin e "Peshkaqenit", më thirri nëpërmjet radios. Më tha se e kishin parë anijen. Lundronte e shoqëruar nga anija "Euro". Nuk ishte ende në gjendje të më thoshte se cila ishte situata. Nuk arrinte të shquante mirë për shkak të mjegullës. Mbeta ngjitur pas radios për të dëgjuar Pasquale-n.

Pak më pas, dëgjova zërin e Pasquale-s.

"Hotel Erba 26 nga P.S. 420".

"Përpara".

"Nicola, këtu po ndodh apokalipsi. Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë".

"A ka shumë shqiptarë?".

"Po, ka shumë. Por, nuk mund të të them se sa janë. Anija është e anuar në njërën anë, ndoshta për shkak të ngarkesës. Ata janë ngado. Në stivë, mbi kuvertë edhe në direk".

"Po për të pasur një ide të qartë, mundohu të më japësh një numër".

"Nuk mundem të ta them. Kështu me sy të lirë, unë mendoj se janë nëntë, dhjetëmijë".

"Çfarë tonazhi ka anija?".

"Mendoj se është rreth dhjetëmijë tonelata. Është një anije e zakonshme ngarkimi. Quhet "Vlora", të paktën kështu është shkruar".

"Po anija ushtarake?".

"I qëndron pranë. Shpresoj të mos ketë konflikte, sepse ndryshe këtu ndodh një tragjedi. Ka shumë ngarkesë. Nëse e prek, ajo fundoset".

"Për sa mund të jetë në hyrje të portit?".

"Me këtë ritëm, do të duhet më shumë se gjysmë ore. Fregata "Euro" gjendet në të majtë. Ndoshta për të ndaluar hyrjen në port të ‘Vlorës‘".

"Atëherë, sot na pret një ditë e bukur".

"Sipas meje, nuk është vetëm e sotmja".

"Po nëse kjo anije hyn në port, është vendosur se ku do të qëndrojnë shqiptarët?".

"Ende nuk di asgjë".

... Hipa sërish në digë, por nuk shihja asgjë. Papritmas m‘u duk se pashë një hije në mes të detit. Ishte afër. Ndihej zhurma e motorëve. Anija afrohej pak nga pak dhe sytë e mi arrinin të strukturorin më mirë pamjen që kishin përballë.

Nuk arrija ta besoja, Pasquale kishte të drejtë: e pamundur të thoshe se sa persona mund të ishin në bordin e asaj anijeje. Njerëzit gjendeshin ngado. Mbeta duke parë i hutuar, ishte një spektakël i jashtëzakonshëm, unik. Absolutisht i paparë për mua. As që mund të imagjinohej një gjë e tillë.

Anija ushtarake italiane më pengonte pjesërisht ta shihja atë spektakël. "Vlora" tundej sa në njërën anë në tjetrën, lundronte ngadalë, por e vendosur drejt hyrjes së portit. Anija "Euro" ishte aty, tentonte të ndiqte urdhrat që kishte marrë: ajo anije shqiptare nuk duhej të hynte në port.

Salvatore Cerone, komandanti, kishte marrë urdhrin të bindte shqiptarët, t‘i bënte ata të arsyetonin në mënyrë që të mbërrinin tokën me manovra kinetike. Ajo mundohej të pengonte "Vlorën", duke i qëndruar pranë, dukej sikur i kërcente përreth. Motovedetat ruanin distancën në mënyrë që të mos i prishnin manovrat.

Komandanti i "Vlorës", me sa dukej, e dinte atë që bënte, e dinte që "Euro", nuk mund ta ndalonte të hynte në port. Të paktën nëse nuk do të vendoste të hapte zjarr, ose nëse nuk do t‘i binte anijes së tij. Po, për ta ndalur, anija ushtarake italiane kishte dy rrugë: ose të qëllonte mbi njerëz, ose të tentonte të zhyste "Vlorën".

Por, o Zoti im, a mund t‘i qëllohej asaj anijeje? Asaj pafundësie njerëzish?

U ktheva në zyrë, duhej të komunikoja në kuesturë ato që kisha parë. Pasi kisha telefonuar në sallën operative, në radio dëgjova komandantin e Kapitenerisë të fliste me komandantin e "Vlorës".

"Komandant, qeveria italiane ka vendosur t‘ju mohojë hyrjen në Portin e Barit. Ju duhet të ktheheni në Shqipëri".

"Nuk mund të mohoni hyrjen në Bari. Ju duhet të dini që këtu ka njerëz, që u ka rënë të fikët për shkak të etjes e urisë. Ka fëmijë, gra shtatzëna dhe pleq që kanë nevojë për ndihmën e shpejtë. Nëse këta njerëz nuk pinë, pas disa orësh do të nisin të vdesin. Ka një të plagosur në bord që ka nevojë urgjente për kura. Po vdes për shkak të gjakderdhjes".

"Komandant, ju përsëris që në Itali nuk mund të hyni. Duhet të ndryshoni drejtim. Duhet të ktheheni në Shqipëri".

"Nuk mund të kthehem në Shqipëri në këto kushte. Kam probleme me motorët. Nuk kam mundësi të kthehem mbrapsht. Ekuipazhi nuk ka më fuqi, motorët kanë nevojë për shërbime. Këtu është një i plagosur rëndë. Njerëzit kanë uri dhe etje. Ka fëmijë dhe gra shtatzëna që kanë në mënyrë absolute nevojë për kura".

"Atëherë, mund të ankoroni disi larg. Ne do t‘ju furnizojmë me ujë dhe ushqim. Do t‘ju japim ndihmën e shpejtë të plagosurve".

"Jo, nuk mundem. Jam i detyruar të hyj në port".

U ktheva në mol dhe e pashë "Vlorën", duke tentuar të hyjë në port dalëngadalë, por e paepur. Fjalët e komandantit, ishin të kota. Manovrat e anijes "Euro", të vendosura për të ndalur hyrjen e "Vlorës" në Portin e Barit, rezultuan të kota gjithashtu. "Vlora" kishte fituar hyrjen për në port. Unë gjendesha disa dhjetëra metra larg. Arrija të shihja gjithçka. Shqiptarët ishin në festë. Kishin arritur qëllimin. Britmat prej gëzimit ishin të pafundme, shihja ata njerëz që bërtisnin prej lumturisë, lumturisë që kishin arritur Italinë. Një i ri shqiptar, që me shumë mundësi kishte kuptuar gjithçka, u zhyt në ujërat e portit dhe pas pak, shumë të tjerë ndoqën shembullin e tij. Ishte ora dhjetë, dhjetë e gjysmë dhe tentativa e shqiptarëve për të "pushtuar" Barin kishte nisur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›