Prapaktheu programor i Edvinit – Premton që gjithë shqiptarët të jetojnë me asistencë sociale
Kreu i PS kopjon në mënyrën më të shëmtuar nisma të qeverive soc-komuniste. Rama prezanton si pjesë kryesore të programit elektoral asistencializimin e krejt shoqërisë shqiptare
TIRANE - Partia Socialiste kërkon që të shndërrojë Shqipërinë në një shoqëri me nivelin më të lartë të asistencializimit në kontinentin e vjetër. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është takuar me persona me aftësi të kufizuara në periferi të kryeqytetit për të vazhduar prezantimin e Programit të ri qeverisës të PS, e posaçërisht kapitullin që i përket kësaj kategorie, ku edhe ka premtuar vënien në përdorim të një skeme të re sociale përmes të ashtuquajturës Kartës Sociale që në vërtetë nuk është një shpikje e politikës së re, pasi po gjen një zbatim të gjere prej vjeshtës së vitit të kaluar në vendin fqinj Italinë dhe nga një qeveri e qendrës së djathtës siç është ajo e drejtuar nga Silvio Berlusconi.
Interesantë në këtë program është se nëse në Itali nga kjo kartë opërfitojnë disa kategori të caktuara sociale (në rastin konkrete për qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe me të ardhura nën 6 mijë euro si dhe familjeve me të njëjtat të ardhura por që kanë një fëmijë nën 3-vjeç), kryesocialisti, duke e deformuar këtë kopjo, e prezanton atë në mënyrën më të shëmtuar të saj duke premtuar se kërkon që të krijojë një kartë sociale “për çdo shqiptar e shqiptare” ku “në bazë të profilit individual dhe gjendjes shoqërore e ekonomike, t’i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente shërbime, kujdes social e shëndetësor, arsimor, apo kulturor”.
Nëse në Itali përfituesit e kësaj karte merrnin një shumë shtresë prej 40 eurosh në muaj, nuk dihet sesa është planifikuar që në Shqipëri të përfitojnë nga kjo skemë që ndihmon të gjithë nga pak. Askund, edhe në vendet me novatore në drejtim të skemave asistencialiste edhe për shkak të një popullsie me moshë mesatare të madhe siç janë vendet Skandinave, nuk hasen premtime të një popullzimi të tillë ekstrem kur çdo shqiptar dhe shqiptare do të
futet në skemën e asistencës.
“Duam që të krijojmë për çdo shqiptar e shqiptare, Kartën Sociale, e cila është një kartë që në bazë të profilit individual dhe gjendjes shoqërore e ekonomike, t’i japë mundësi çdo qytetari e qytetareje të përfitojë në mënyrë të thjeshtë dhe tërësisht transparente shërbime, kujdes social e shëndetësor, arsimor, apo kulturor. Kjo sigurisht nënkupton një revolucion në marrëdhëniet mes qytetarit dhe shtetit, dhe për këtë revolucion në radhë të parë Shqipëria ka nevojë”, deklaroi dje Rama.
E megjithatë duket se hesapet janë bërë pa “Hanxhinë”. Pasi nga ana tjetër ai nuk
bën me dije se ku do ti gjejë gjithë ato të ardhura për të asistuar financiarisht si atë që punon dhe atë që nuk punon. Kryesocialisti për me tepër ka premtuar së paku në letër se nëse vjen në pushtet nuk do të rrisë taksat. Ndaj mania për të kopjuar nismat sociale në rastin konkret atë të qeverisë italiane nuk mund të jetë në çdo rast produktive