E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria të vazhdojë në rrugën e zhvillimit ekonomik”

Kryeministri Berisha takon kryebashkiakun e qytetit të Shenzhenit, Xu Zongheng

TIRANE - Në vijim të vizitës zyrtare në Kinë, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë së qytetit të Shenzhenit, Xu Zongheng.
Kryetari i bashkisë së Shenzhenit i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik BOAO dhe për vizitën në këtë qytet.  
Duke i vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve si shumë miqësore, Zongheng tha se Shqipëria ka dhënë një kontribut të çmuar që Kina të marrë përfaqësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kryetari i bashkisë së Shenzhenit tha se kishte marrë informacione për zhvillimin e madh ekonomik të Shqipërisë në vitet e fundit dhe shprehu kënaqësinë që ajo të vazhdojë në këtë rrugë.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha pasi falënderoi kryebashkiakun Zongheng për mikpritjen u shpreh se ndihej shumë i nderuar që ndodhej në këtë vizitë në Shenzhen.  
Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha ftoi Kryetarin e bashkisë së Shenzhenit së bashku me një grup biznesmenësh për një vizitë në Shqipëri, vizitë të cilën Zongheng e pranoi me kënaqësi duke deklaruar se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë.    
Kryetari i bashkisë së Shenzhenit, për nder të kryeministrit Berisha ka shtruar një drekë të shoqëruar me muzikë tradicionale shqiptare e të zbukuruar me kurorat me lule, të cilat përdoren si shenjë respekti dhe nderimi sipas traditës vendase.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›