E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, një histori konfliktesh me ambasadorët e OSBE-së



Raporti i vështirë i Berishës me ambasadoren Glover nuk ka qenë i vetmi me përfaqësuesit e OSBE-ODIHR-it. Kryeministri Berisha, gjatë kohës kur drejtonte PD-në në opozitë, ka pasur marrëdhënie shumë të vështira dhe herë-herë konfliktuale me ish-ambasadorin e OSBE-së, Dan Everts. Kulmi i këtij acarimi u shënua në vitin 1998, ku pas revoltave të dhunshme, të drejtuara nga kryetari i PD-së, institucionet e sapongritura shtetërore u vunë sërish në rrezik si rezultat i sulmeve me armë nga ana e opozitës, të drejtuar nga Berisha. Në atë kohë, ish-ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Dan Everts, dha një ultimatum të hapur në drejtim të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pas dorëheqjes që kishte bërë ish-kryeministri Fatos Nano. “Është hera e fundit që i bëj apel Berishës për të ruajtur qetësinë. Është në favor të tij dhe të mbështetësve të tij që të dorëzojnë armët, sepse, në rast të kundërt, dhuna do të përshkallëzohet”, - deklaroi ambasadori Everts.
Por marrëdhënia e vështirë Berisha-Everts do të vijonte edhe pas largimit të ish-ambasadorit nga Tirana. Everts u emërua në krye të Prezencës së OSBE-së në Kosovë. Kur Berisha tentoi të vizitonte Kosovën, por u pengua për të hyrë në Prishtinë, kreu i PD-së nuk ngurroi të akuzonte ambasadorin Everts si shkaktar të pengimit të vizitës së tij në Kosovë.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›