E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat në festën e PD-së

13/12/2008  Demokratët mbushin Pallatin e Kongreseve në festën e 18-vjetorit e themelimit të partisë

Urime nga politikanë të majtë e oponentë brenda së djathtës. Mungojnë shumë ambasadorë

Festa e 18-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike ka mbipopulluar sallën kryesore të Pallatit të Kongreseve, por edhe hollin e kësaj godine. Flamuri i PD-së dhe ai kombëtar ishin varur si shenjë mirëseardhjeje për të gjithë të ftuarit. Dy shatërvanët ishin zaptuar nga shkuma me ngjyrë blu. Në pozicion të dukshëm organizatorët kishin vendosur tortën e festës, po me ngjyrë blu, në mes të së cilës ishte logoja e PD-së. Shumë njerëz hynin në Pallatin e Kongreseve, mes të cilëve të tepërt ishin punonjësit e administratës shtetërore. Edhe pse nuk shënonte ndonjë përvjetor, demokratët kishin mbushur Pallatin e Kongreseve. Përmes këtij grumbullimi duket se ata kanë dashur të japin sinjalin e fuqisë dhe mbështetjes që gëzon kjo forcë politike. Në holl ishin vendosur disa tavolina, që ishin mbushur me ëmbëlsira e pije të ndryshme, të cilat në fakt nuk u prekën nga organizatorët, por nga disa prej të ftuarve. Rreth orës 17:40, nën tingujt e këngës Thunderstruck (“Shkreptima”) të grupit të metalit AC/DC, hyri në sallë lideri demokrat Sali Berisha, i cili iu drejtua sallës prej nga nisi fjalimin entuziast. Teksa lideri Berisha fliste brenda në sallë, në holl njerëzit konsumonin ndonjë pije energjike. Me të baruar fjalimin, Berisha kryen ritin e prerjes së tortës nën tingujt e këngës së regjistruar Happy Birthday to you! (“Shumë urime për ty”). E treta këngë që ushtojë më shumë ishte It’s my lifte (“Është jeta ime”) e këngëtarit Xhon Bon Xhovi, e cila e shoqëroi Berishën teksa u largua nga festa. Çastet me të vështirë për të ftuarit ishin kur festa mbaroi dhe nisën të dilnin. Njerëzit shtynin njëri-tjetrin dhe të shumtë ishin ata që bërtisnin.

Të ftuarit

Demokratët janë uruar me rastin e ditëlindjes së partisë nga zyrtarë të lartë të partive politike, të djathta e të majta. Pëmbullb Xhufi e Ndre Legisi nga LSI-ja, republikani Sabri Godo, i shoqëruar nga e bija, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, Jak Ndokaj nga PDK-ja, Ekrem Spahia nga PLL-ja, Dashamir Shehi nga LZHK-ja, kryedemokristiani Anton Gurakugi, Tahir Muhedini i Bashkimit Demokratik për Integrim, e veja e Azem Hajdarit, Fatmira së bashku me të birin, kanë bujtur në festën e PD-së. Urime ka bërë edhe princi Leka Zogu. Mes të ftuarve ishin edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Por në festë është vënë re mungesa e një pjese të mirë të ambasadorëve të shteteve të huaja, të Bashkimit Evropian dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në festën e demokratëve ka munguar edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili deri para se të merrte postin e kreut të shtetit gëzonte pozicionin e nënkryetarit të partisë dhe të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së.

Festa e PD-së

Torta ruhet nga Garda

Torta, mbi të cilën ishin vendosur simbolet e PD-së, gjatë gjithë kohës është ruajtur nga të paktën 6 punonjës së Gardës së Republikës. Për rreth 90 minuta, aq sa ka zgjatur edhe fjalimi i Kryeministrit Berisha, vendi ky ishte vendosur torta festive ndoshta ka qenë më i sigurti në mjediset e Pallatit të Kuvendit. 6 punonjës të Gardës dhe dy kameriere kishin rrethuar tortën, duke mos lejuar askënd të ofrohej. Torta është prerë nga Kryeministri Sali Berisha, i cili copën e parë të saj ia ka ofruar bashkëshortes së tij, Liri Berisha. Ndërkohë prerja e tortës festive ka shënuar edhe pikën kulmore të aktivitetit, ku për rreth 10 minuta nuk ka reshtur hedhja e fishekzjarrëve. Një tjetër veçanti në këtë 18-vjetor të themelimit të PD-së ishte edhe fakti se organizatorët ishin kujdesur që gjithçka të ishte blu, madje edhe dritat përreth shatërvanëve.

Themelimi i PD-së

Administrata e Topallit më e devotshmja

Administrata e kryeparlamentares Jozefina Topalli duket se ka qenë më e devotshmja në organizimin e festës me rastin e 18-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike. Kjo ndoshta edhe për faktin se komisioni i ngritur nga PD-ja dhe që është marrë me organizimin e ceremonisë është drejtuar nga nënkryetarja demokrate Topalli. Me apo pa kontribute themelore në radhët e Partisë Demokratike, administrata aktuale e Kuvendit është kujdesur që të jetë sa më entuziaste në çastin që Kryeministri Berisha i është ofruar tortës të vendosur në qendër të hollit. Ky ka qenë edhe çasti kur punonjësit e administratës së institucionit më të rëndësishëm në vend kanë kërkuar nga të pranishmit rrotull vendin ku ishte vendosur torta festive të duartrokitnin sa më fort dhe të ishin sa më entuziastë përballë kreut të PD-së.

Zëvendëskryeministri në ceremoni

Genc Pollo i paduruar në radhë

Zëvendëskryeministri Genc Pollo duket se është mësuar të mos presë gjatë në radhë. Kjo gjë është vënë re edhe dje në mbyllje të festës së Partisë Demokratike, kur Pollo, i shoqëruar nga dy ose tre truproja të tij, ka tentuar të çajë turmën e njerëzve në hyrje të derës së Pallatit të Kongreseve. Furia e zëvendëskryeministri për të ecur përpara ka ndaluar disi hovin vetëm pasi deputeti Tritan Shehu e ka këshilluar të jetë më i përmbajtur, megjithëse të pranishmit në festë nuk kanë preferuar të hapin rrugën për të. Gjithsesi, minutat që Pollo është detyruar të qëndrojë në pritje për të dalë jashtë ambienteve të Pallatit të Kongreseve i kanë shërbyer për të shtrënguar duart apo shkëmbyer përshëndetje me persona të ndryshëm të pranishëm në ceremoni, të cilët ndoshta më parë nuk kanë pasur mundësi të bëjnë një gjest të tillë me zëvendëskryeministrin

Një pjesë e firmëtarëve të themelimit të PD-së

Aleksandër Meksi

Sali Berisha

Azem Hajdari

Gramoz Pashko

Edmond Budina

Bardhyl Reso

Arben Imami

Genc Ruli

Preç Zogaj

Genc Pollo

Eduart Selami

Merita Zaloshnja

Shinasi Rama

Arben Lika

Blendi Gonxhe

Tefalin Malshyti

Arben Meçe

Arben Demeti

Bexhet Reso

Zenel Hoxha

Arian Manahasa

Frrok Çupi

Edlira Dedja

Lazer Stani

Gazmend Mahili

Eduart Zaloshnja

Robert Mane

Albert Jerasi

Nardi Gremi

Edmond Nemërçka

Gëzim Shema

Rasim Hasanaj

Reshit Nushaj

Petrit Ruka

Edmond Trako

Shkëlqim Daja

Ndriçim Xhepa

Kostandin Kapo

Albert Shehu

Agron Çika

Klement Shahini

Tomor Nushaj

Ardian Petrollari

Shahin Kadare

Alma Bendo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›