E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat për ndërrimin e emrit të PP në Kongresin e 91

“Pasi Dritëroi plasi bombën, ndryshoi gjithçka. Rrjedha e qetë u përmbys. Diskutim i padëgjuar”. Kështu i përshkruan Servet Pëllumbi disa nga momentet e Kongresit të 10-të të Partisë së Punës, kur kjo parti mori emrin Partia Socialiste e Shqipërisë.Në 20-vjetorin e kësaj ngjarjeje, gazeta sjell një intervistë me shkurtime të Pëllumbit të dhënë për “Gazetën Shqiptare” dhe të botuar në librin e tij “Bashkëbisedim për politikën”.
Zoti Pëllumbi, meqenëse historia e gjithë Shqipërisë, por edhe e PS-së, ka filluar të sillet në vëmendje kohët e fundit, do të doja mendimin tuaj si një prej themeluesve të kësaj partie. Çfarë kujtoni nga momenti i parë? Cilat ishin zhvillimet që ju kujtoni e që ju kanë lënë më tepër mbresa?
Ngjarjet e vitit 1990- 1991 meritojnë studime të dokumentuara, sepse shënuan një kthesë të madhe, i hapën rrugën kalimit nga monizmi në pluralizëm, nga ekonomia e komanduar në ekonominë e tregut, nga një regjim diktatorial komunist në një regjim demokratik. Me këtë rast do të desha të nënvizoj edhe një herë, së pari, se ky ishte një proces botëror që nisi me rënien e “Murit të Berlinit”, një frymë lirie dhe ndryshimesh që pa tjetër do të vinte edhe tek ne, së dyti, se në Shqipëri, për veçoritë karakteristike të një vendi të vogël e të izoluar, por edhe për mefshtësi e dobësi të tjera njerëzore të udhëheqjes së asaj kohe, u krijuan vonesa që mund e duheshin kapërcyer më me guxim, sidomos duhej edhe një reagim i fortë protestues nga poshtë; dhe së treti, se duhet ruajtur nga subjektivizmi i protagonistëve në një ngjarje të tillë, si ai i vendosjes së pluralizmit politik dhe i formimit të partive politike, përfshi edhe PS-në. Piketa të tilla sot vihen lehtë dhe janë të rëndësishme, por në atë kohë kanë qenë tepër të vështira, prandaj ‘dera’ edhe sot është e hapur për spekulime e rrahje gjoksi. Për konkretizim po i referohem një fakti konkret: Në fillim të Nëntorit 1990 u mblodh Pleniumi i KQ të PPSH-së, në të cilin u tha se forcimi i pushteti popullor ishte i mjaftueshëm për të çuar më tej zhvillimet demokratike. Ndërsa, për pluralizmin politik, për të cilin R. Alia pati kërkuar mendime edhe nga intelektualët më të shquar të vendit, në takimin me ta që në fillim të gushtit, Plenumi tamam në ditët e rënies së “Murit të Berlinit”, nuk shkoi më tej se pluralizmi i mendimit dhe truku për ti quajtur “subjekte të plota pluraliste” disa nga organizatat e masave, që në të vërtetë ishin “rripa transminsioni” të partisë. Madje, kjo u fiksua edhe në projektin e Kushtetutës që nisi të diskutohej. Mbas kësaj i kam shkruar një letër R. Alisë, në të cilën argumentoja nevojën e pranimit të pluralizmit partiak në Shqipëri. Kujtoj që hezitova për ta nisur, e mbajta disa ditë nëpër duar dhe vetëm pas entuziazmit të djalit tim, Beni, dhe ish-pedagogut të tij në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, Ben Tashko, që e shtypën në kompjuterin e Fakultetit, vendosa ta nis letrën me postë. R. Alia, sipas të thënave të një drejtuesi partiak të asaj kohe, që nuk po ia përmend emrin, ua kishte hedhur letrën në tavolinë disa byroistëve, duke u thënë jo pa ironi: “Lexojeni, ja kush do të na mësojë tani se ç’është pluralizmi”. Mbase ngaqë atëherë unë nuk isha ai i besuar i partisë, me që kisha vëllain të burgosur me akuza të montuara si i implikuar “në komplotin Shehu- Hazbiu”. Lexuesi të më ndjejë nëse kjo tingëllon jo aktuale dhe e lidhur me pyetjen, por letra është një dokument konkret i botuar dhe origjinali është në arkiv. Jo se kjo ka ndonjë rëndësi të veçantë për mua, por, gjithsesi, më bën përshtypje pse nuk e ka kujtuar ndonjëherë këtë R. Alia në ‘dëshmitë e tij të përsëritura për historinë’!
Si lindi ideja për të ndërruar emrin nga PPSH në PSSH, si u diskutua dhe u përgatit ndryshimi para Kongresit të Dhjetë?
Që me vendosjen e pluralizmit politik dhe partiak, por sidomos pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991, kur as R. Alia nuk fitoi si deputet në Tiranë dhe PP humbi në të gjitha qytetet kryesore, por sidomos me grevat e minatorëve të Valiasit dhe rënien e Qeverisë Nano, u pa qartë se kapitulli i partisë- shtet duhej mbyllur. Sa më parë, aq më mirë do të ishte. Këtë e kuptuan më shpejt një grup intelektualësh brenda partisë, që nisën të punonin për ta përgatitur për diçka tjetër Kongresin e 10-të të PPSH-së: për të përjashtuar drejtuesit më të lartë të partisë, për të përpunuar një program të ri, në thelbin e vet socialdemokrat dhe për të krijuar kështu një parti të re. Në këtë grup u shquan sidomos M. Lakrori, M. Zeqo, F. Nano, I. Lleshi, D. Dede, V. Kureta etj. Madje, disa prej tyre mendonin që të krijonin një parti të re të majtë, pavarësisht nga Kongresi i 10-të i PPSH-së. Unë nuk kam qenë në këtë grup, nuk kam marrë pjesë as në ndonjë grup tjetër pune, prandaj nuk di hollësi dhe nuk e kam quajtur ndonjëherë veten ‘themelues’. Megjithatë, jam në dijeni se mendimi për të bërë ‘ndryshimin e madh’ në Kongresin e 10-të, duhet të ketë qenë i R. Alisë dhe sidomos i Xh. Gjonit, që mbajti raportin dhe u kujdes për të gjitha çështjet nga fillimi deri në fund. Madje, edhe për gjyqin që iu bë Byrosë Politike të PPSH-së, që u drejtua me mjeshtëri mbresëlënëse nga G. Ruçi. E bënë për të shpëtuar veten a se kishin bindjen se “komunizmi” mori fund, kjo mbetet në ndërgjegjen e tyre. Personalisht, mendoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë, sepse nuk krijoi shumë tensione dhe i hapi realisht rrugën një reformimi të thellë të strukturave partiake, të mbetura tashmë ‘pa kokë’.
Po në Kongres, si u prit ideja e një partie me emër tjetër e sidomos kritikat që iu bënë udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe Enver Hoxhës? A pati reagime komunistësh konservatorë?
Që në raport pati sinjale dhe mjaft kritike, madje indirekt edhe për Enver Hoxhën. Raporti u quajt hap përpara dhe i moderuar. Por edhe për kaq pati diskutime, që nuk pranonin as kritikën më të vogël për Enver Hoxhën. Një linjë të tillë e nxiti sidomos diskutimi i N. Hoxhës. Në një atmosferë të tillë, edhe disa nga anëtarët e Byrosë Politike, si H. Isaj, P. Miska, që ishin rresht pas meje, bisedonin shtruar e qetë për çështje të tjera, se R. Alia, siç më thanë, i kishte siguruar në mbledhjen e Plenumit se nuk kishte për të ndodhur ndonjë gjë e veçantë! Por, pasi Dritëroi ‘plasi bombën’, ndryshoi gjithçka. Rrjedha e qetë u përmbys. Diskutim i padëgjuar. Shkrimtari i madh u paraqit edhe si një politikan e guximtar i madh. Por edhe babaxhan e hokatar, kur në një moment e ndërpreu diskutimin, që po anatemohej e zhurmohej, duke u thënë: “Kjo që po bëni dëshmon se kam të drejtë! Ju nuk rinovoheni!” I fortë, i argumentuar e bindës ishte diskutimi i Moikomit dhe i disa intelektualëve të tjerë, që gjithashtu u zhurmuan. Gjithsesi, gjërat nisën të rrokullisen me shpejtësi. U pa qartë se ky nuk ishte më Kongresi i Partisë së Punës, sepse po lindte para syve tanë një fortë tjetër politike. Duhet ta kesh përjetuar një atmosferë të tillë, që ta besosh plotësisht.
Po ju profesor, si delegat dhe që kishit shkruar e botuar edhe disa artikuj para kongresit për nevojën e rinovimit të jetës politike e partiake, a diskutuat në Kongres?
E kam marrë fjalën pasdite, atëherë kur po diskutohej çështja e emrit dhe po kërkohej një diçka që të përmbante doemos inicialet PPSH. Në diskutimin tim kam mbrojtur jo vetëm ndryshimin e emrit dhe kam mbështetur emrin “Partia Socialiste” (PSSH), por edhe kam theksuar se ky nuk duhet kuptuar si “një ndërrim tabele, sepse është fjala për një parti të re”. Për këtë të fundit, gjithashtu pati zhurmë në sallë, pa folur për ata që dolën në holli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›