E Diel, 1 Nëntor 2026

84 zyrtarë s’e deklaruan pasurinë

Nga Express më 16 qershor 2011 në ora 14:00

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit bëri sot të ditur se 84 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit të paraparë me ligj, ndërsa 26 zyrtarë të tjerë publikë nuk e kanë plotësuar formularin konform ligjit.

Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, në një konferencë për gazetarë, tha se këta emra do t’iu përcillen organeve përgjegjëse për ndjekje penale.

Ndërkohë obligimin e kanë përmbushur 95.4 për qind e zyrtarëve. “Nga 1830 zyrtarë sa kanë pasur të deklarojnë pasurinë, 1746 e kanë deklaruar, 84 nuk e kanë deklaruar dhe 26 e kanë deklaruar pasurinë, por ka mangësi në përpilimin e formularëve të tyre”, tha Preteni, transmeton KosovaPress.

“Të gjithë emrat e këtyre zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë do t’i përcjellë në gjykatat përcjellëse kompetente, kurse për 26 që nuk e kanë plotësuar në formën e kërkuar do të presim afatin ligjor prej 15 ditësh që kjo të evitohet. Dhe në rast nuk evitohet kjo mangësi, edhe këta zyrtarë do të kalojnë ose do t’i bartim emrat e tyre te gjykatat për kundërvajtje”, shtoi Preteni.

Ndër zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë janë emrat e dy deputetëve, Azem Syla nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Rada Trajkoviq nga partia serbe JSL, ndërsa në këtë listë ka edhe zyrtarë nga ministri të ndryshme agjenci publike dhe zyrtarë komunalë.

Bastisjet në Ministrinë e Kthimit me informata nga AKK

Hasan Preteni ka bërë të ditur se aktualisht në agjenci janë duke u hetuar 60 informata për veprime korruptive, disa prej tyre veç kanë marrë epilogun për prokurorit kompetente të vendit dhe ndërkombëtare.

Ai ka konfirmuar se bastisjet e djeshme nga prokuroria e EULEX-it në ministrin për Kthim dhe Komunitete, informacionet janë marrë nga Agjencia kundër Korrupsion.

“Mund të ju them se edhe aktiviteti i djeshëm i prokurorisë së EULEX-it kishte të bëjë me informacion, me një kallëzim penal që burimin e ka nga agjencia. Domethënë gjithçka çka ndodhi dje është fillimi i hetimit penal që prokuroria e EULEX-it e bën në bazë të informacioneve që janë trajtuar fillimisht në agjenci dhe agjencia ka vlerësuar që ajo të bartet në prokurorin e EULEX-it”.

Drejtori Preteni edhe pse ka pranuar se ka një bashkëpunim të mirë, ai ka thënë se ka informacione dhe hetime, por luftës së korrupsionit në Kosovë po i mungojnë shifrat dhe se nuk ka ende aktakuza të ngritura.

Preteni ka shtuar se të gjitha rastet e dyshimta do të përcillen në prokurori, në Qendrën e Inteligjencës Financiare dhe mekanizmat tjera kompetentë.

I pari i këtij institucioni ka theksuar se në raportin e fundit të kësaj agjencie është propozuar që me Ligjin Antimafia të rregullohet konfiskimi i pasurisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›