E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Kujdes xhepat nga Qeveria!

Nga Express më 16 qershor 2011 në ora 13:21

Lëvizja “Vetëvendosje” ka realizuar sot një aksion simbolik, duke vënë para ndërtesës së Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës, mbishkrime “Kujdes xhepat! Qeveria afër”!

“Në Kosovën që po zhytet në mjerim social, janë shtuar edhe vjedhjet delikuente. Këto vjedhje që vijnë si pasojë e varfërisë që e ka pllakosur Kosovën, por edhe si pasojë e degradimit të sistemit të edukimit, janë sporadike, të paorganizuara dhe kanë vlerë të ulët materiale. Për dallim nga kjo, në ndërtesën përballë, atë të Qeverisë së Kosovës, ndodh vjedhja në mënyrë të organizuar dhe në shifra që arrijnë dhjetëra miliona euro. Këto miliona janë nga taksat e qytetarëve të Kosovës.... Kjo qeveri, po vjedh nga qytetari i Kosovës, te tashmen dhe te ardhmen, duke privatizuar ndërmarrjet të cilat janë pronë e të gjithëve, pa u pyetur askush”, ka thënë me këtë rast, aktivisti Kreshnik Ahmeti.

Kjo qeveri, ka vazhduar Ahmeti, vjedh nga qytetari i Kosovës duke trefishuar çmimin e energjise elektrike, pa u brengosur për gjendjen e rëndë ekonomike të këtij qytetari. “Kjo qeveri, vjedh nga qytetari i Kosovës duke lejuar vërshimin e tregut tonë nga produktet e Sërbisë, pa u brengosur për gjendjen e prodhuesit vendor... Madje kjo qeveri, vjedh nga bashkëatdhetarët kur merr prej tyre taksë prej 50 euro sa herë vijnë në Kosovë, duke e konfirmuar kështu mosmirënjohjen ndaj tyre”.

Ky aktivist i “Vetëvendosjes” ka thënë se leximi i listës së plotë të vjedhjeve nga kjo qeverisje merr kohë, por ato qytetarët i dinë dhe po i vuajnë. “Kështu që listën e hajnisë dhe autorët e saj do t’i kundërshtojmë të gjithë bashkë me 22 qershor, ora 12 te Biblioteka Kombëtare.”

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! shpërndanë fletushka dhe ftuan qytetarët për të marrë pjesë në Protestën Kundër Hajnisë, e cila do të mbahet më 22 qershor në Prishtinë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›