E Diel, 1 Nëntor 2026

Brazili ne ndeshjet miqesore me lojtare debutues

I detyruar nga dëmtimet e shumta, Brazili do të luajë me një skuadër të mbushur me debutues në tre miqësoret e radhës. Trajneri i pesë herë kampionëve të Botës, Mano Menezes ka publikuar emrat e lojtarëve të grumbulluar prej tij në sfidat e radhës kundër Argjentinës, Kosta Rikës dhe Meksikës, duke konfirmuar në skuadër Ronaldinjon dhe Neymar.

Ndërkohë, një fanellë të “Selecao” kanë marrë sulmuesi tjetër i Santos, Borges, ai i Botafogos Elkeson, mesfushori i Vasko Da Gama Souza dhe ai i Coritibas Emerson. Po ashtu, mungesa e Leandro Damiao dhe sulmuesit të Milanit Alexandre Pato, që të dy të dëmtuar, i ka hapur rrugën rikthimit në kombëtaren braziliane sulmuesit të Portos, Kleber dhe mesfushorit të Lacios, Hernanes.

"Kemi humbur dy lojtarë shumë të rëndësishëm, por kjo bën pjesë në punën tonë. Duhet të mësohemi me mungesa dhe dëmtime, ndërsa duhet të gjejmë zgjidhje. Për këtë arsye, miqësoret janë shumë të rëndësishme për të krijuar një ide më të qartë për lojtarët që do të jenë të vlefshëm deri në Botërorin e ardhshëm’, ka bërë të ditur trajneri i Mano Menezes.

Brazili do të presë finalet e Kupës së Botës 2014 dhe për këtë arsye është i kualfikuar për në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit. Por deri atëherë, Menezes duhet të formojë skuadrën fituese, e cila do të kthehej te suksesi, pas dështimeve në kompeticionet e fundit si Botërori 2010 dhe Kupa e Amerikës 2011. Pjesë e përgatitjeve janë miqësoret e shumta që ‘Selecao” ka në program, duke filluar me Argjentinën më 28 shtator, me Kosta Rikën dhe Meksikën më 7 dhe 11 tetor.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›