Prasnikar: Skela ishte deçiziv
Trajneri i Energi Kotbusit, Bojan Prasnikar, ka vlerësuar Ervin Skelën si lojtarin më të mirë të këtij sezoni për ekipin e tij që siguroi mbijetesën në Bundesligën 1. Fantazisti shqiptar ka qenë autor i 7 golave dhe 6 asisteve në këtë sezon, duke ndihmuar skuadrën t‘i largohej vendit të fundit në renditje. Për këtë arsye, trajneri Prasnikar e ka cilësuar atë si futbollistin më të rëndësishëm në pjesën më të vështirë të sezonit. "Për një kohë të gjatë, në fazën e rëndësishme në pranverë, Ervin Skela ishte më i miri. Pas tij vijnë Tremel, Rost dhe Cvitanoviç", u shpreh trajneri i Kotbusit. Në fakt, besimi që kishte ai ndaj Skelës, është përkthyer lehtësisht edhe në statistikat e futbollistit të Kombëtares shqiptare. Skela është mes 6 lojtarëve të vetëm që janë aktivizuar në 34 ndeshjet e Bundesligës në këtë sezon. Vetëm tre portierët: Drobni (Herta), Enke (Hanover) dhe Nojer (Shalke) kanë luajtur çdo minutë të kampionatit, ndërsa mesfushori shqiptar është i katërti në listën e më të aktivizuarve.