E Diel, 1 Nëntor 2026

Roma, dyshime mbi titullin: Interin e ndihmuan disa herë

As mbyllja e kampionatit nuk i ka ndaluar akuzat e Romës ndaj Interit, që u shpall kampion i Italisë me vetëm 3 pikë më shumë se verdhekuqtë. Pas mesfushorit Daniele De Rosi, që menjëherë pas mbylljes së ndeshjeve të fundit kishte thënë se shtatë ose tetë ndeshje të zikaltërve ishin manipuluar, tashmë edhe portieri brazilian, Doni, konteston triumfin e zikaltërve. "Interin e kanë ndihmuar në disa ndeshje. Ne të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në këtë kampionat, për fat të keq kemi parë shumë ngjarje jo korrekte", ishin fjalët e "gardianit". Dyshime të forta, të cilat bëhen më alarmante pasi kanë ardhur 24 orë pas fitores dhe nuk mund të thuhet se janë të pamenduara. Në fakt, Doni shtoi: "Tashmë është shumë vonë dhe nuk kemi se çfarë të bëjmë. Zikaltërit e merituan titullin, nuk e di nëse meritat e tyre janë për paraqitjet në fushë, apo për ato që ndodhën jashtë saj, por ata arritën të parët dhe e fituan kampionatin. Duhet të mendojmë për finalen e Kupës". Finalja e trofeut të dytë për nga rëndësia në Itali do të luhet më 24 maj, pikërisht në stadiumin "Olimpik" të Romës. "Kupa mbetet një prej objektivave tona sezonale, shpjegoi Doni. Dëshirojmë ta fitojmë, për ta mbyllur sa më mirë sezonin. Kemi ende shumë entuziazëm, por mendoj se kjo do të jetë një ndeshje normale, e nuk do të shërbejë si hakmarrje ndaj Interit. Kemi zhvilluar një sezon të mirë, duke luajtur gjithmonë bukur. Ashtu si trajneri Spaleti, edhe unë mendoj se kjo skuadër meriton notën 9 e gjysmë. Nëse fitojmë Kupën, sezoni ynë meriton notën 10".

Por, në klubin verdhekuq, tema e gabimeve nga gjyqtarët që favorizuan Interin drejt titullit kampion mbetet një çështje "e nxehtë" edhe në rangun e drejtuesve. Për këtë polemikë kanë ardhur edhe deklaratat e atyre që mënyrën sesi funksionon futbolli e njohin mirë: drejtori teknik Bruno Konti. "Është folur për disa ndihma në favor të Interit, por ne duhet të jemi të kënaqur dhe mos të merremi me këto gjëra, pasi askush nuk na ndihmoi. Për këtë fakt jemi të lumtur. Të gjithë e kanë parë se çfarë ka ndodhur, por Roma duhet të ngrihet mbi këto situata, tha Konti. Zhvilluam një kampionat të madh dhe konkurruam deri në fund. Dëshiroj të falënderoj skuadrën që na dhuroi emocione të mëdha dhe trajnerin Spaleti që ka punuar shumë mirë". Polemika vazhdohet edhe nga drejtori sportiv Prade, i cili ka pengun e përballjes direkte në Milano, të përfunduar në barazim 1-1. "Deri në sekondat e fundit ishim në avantazh. Po ta kishim fituar atë ndeshje dhe mos të kishin ndodhur episode të diskutueshme, si kartoni i kuq për Burdison dhe jo kartoni i kuq i padrejtë për Mekses, tashmë do të kishim folur për një përfundim të ndryshëm të kampionatit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›