E Diel, 1 Nëntor 2026

“Precedentët” e hetimit të zgjedhjeve të vitit 2005 rrëzojnë pretendimet e Edi Ramës në vitin 2010

Analizë/ Leximi ndryshe i vendimeve dhe i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 3 korrikut 2005

Partisë Socialiste i ka mbetur ora në 28 qershor 2009. Saktësisht, koha i ka mbetur në mesditën e kësaj date, edhe ca më saktësisht në Ruzhdie. Ky moment i ngeljes së orës, korrespondon me largimin e komsionerëve socialistë nga qendra e votimit te shkolla e këtij. Pamjet e dhëna në një televizion tregojnë se në dy fuoristradat e vetme luskoze që kanë hyrë ndonjëherë në këtë fshat, fatin e madh për të hipur e udhëtuar me ato, e kishin komisionerët e PS-së. Sigurisht, që ky udhëtim mbresëlënës i komisionerëvë socialistë, nuk ka zgjatur më shumë se disa metra, aq sa ju duhej drejtuesve të furositradave për tu bindur se show i ideuar në Tiranë, kishte gjetur realizimin e tij “perfekt” në Ruzhdie.

Për pasojë, Edi Rama, Vasilika Hysi etj..., etj..., kanë arsye të ç’kurdisin orët e tyre në 28 qershor, në Ruzhdie, pse jo edhe të mallkojnë veten që skenarin e vitit 1996, të tërheqjes nga komisionet të komisionerëve të tyre, nuk e vunë në zbatim edhe në të tjera qendra votimi. I vetmi i fituar, pse jo edhe i vetmi që duhet të shoh me optimizëm Ruzhdien, është deputeti i PS Pirro Lutaj, sepse falë asaj që bënë dy fuoristradat e zeza, duke larguar komisionerët e PS-së, ai është sot “deputeti i Ruzhdies”.

Ndërsa PS-së i ka mbetur ora në 28 qershor të vitit 2009, kjo nuk do të thotë, që akrepat e orës së saj, të mos lëvizin mbrapsht, dhe të shkojnë deri në vitin 2005, vit në të cilin i referohen një komisioni tjetër hetimor të zgjedhjeve të atij viti, por duke “seleksionuar” vetëm ato “argumente” të cunguara e shtrembëruara, për të cilat mendojnë se mund t’ju vijnë në ndihmë.

Nejse...!

Vendimi për komisionin hetimor 2010, më “zemërgjerë” se vendimi i vitit 2005

është folur shumë për një komision hetimor të ngritur në vitin 2005, që edhe ai kishte lidhje me zgjedhjet. Por ajo, që nuk thuhet, apo thuhet gjysma-gjysma, por që bën dallimin me komisionin e ngjashëm të vitit 2010, e bën dallimin midis tyre që në “sqarimin” e vendimeve reciproke.

Kështu, në vendimin e tij të datës 20. 10. 2005, Kuvendi e “etiketonte këtë vendim, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për ZBATIMIN E LEGJISLACIONIT në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit të datës 3 korrik 2005”.

Në vendimin e ngjashëm, të 19. 03. 2010, Kuvendi e “sqaron” këtë vendim “për ngritjen e Komisionit hetimor të Kuvendit për TRANSPARENCëN E ZGJEDHJEVE Të PëRGJITHSHME, të mbajtura në 28 qershor 2009”.

“Zemërgjerësia” e “kokës” së vendimit të para disa ditëve, vihet fare lehtë në dukje, krahasuar me “kokën” e vendimit të 20. 10. 2005.

Ndërsa në vitin 2005, Kuvendi vendoste për hetimin e “zbatimit të legjislacionit”, në vendimin e 19. 03. 2010, Kuvendi shkonte edhe më tej dhe vendoste për hetimin e “transparencës së zgjedhjeve të përgjithshme”. Pikërisht, ky etiketim i vendimit të datës 19. 03. 2010, ishte i njëjtë edhe me artikulimin e projekt-vendimit, që kishin depozituar deputetët e PS-së në Kuvend.

Se sa “i avancuar” është vendimi i para disa ditëve të Kuvendit, për Komisionin Hetimor të zgjedhjeve të vitit 2009, krahasuar me Komisionin Hetimor të vitit 2010, duket edhe në “objektin” e punës respektive të dy komisioneve.

Jo më larg se vendimi për komisionin hetimor të vitit 2005, Kuvendi vendoste hetimin e “akuzave publike për moszbatimin e legjislacionit…”, “zbatimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në zbatim të tij…”, “përdorimin e certifikatave të lindjes për votim në datën 3 korrik 2005…”, “e rrethanave të nxjerrjes së urdhrit të Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit nr. 166, datë 30. 12. 2004, me nr. 5787 prot. ‘Për kodet e certifikatave të lindjes lëshuar nga zyrat e gjendjes civile’ dhe pasojat e tij në procesin zgjedhor...”, “akteve të nxjerra nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit lidhur me hartimin e listave të zgjedhësve, procedurat e ndjekura për hartimin e listave të zgjedhësve dhe gjendja e tyre...”, “heqjes në mënyrë të qëllimshme e zgjedhësve nga listat e tyre dhe dublikimet...”, “shkeljes së dispozitave ligjore të Kodit Zgjedhor në njësitë e qeverisjes…”, “përdorimit të burimeve të administratës publike gjatë fushatës zgjedhore…”, “përdorimit të dhunës nga bandat e armatosura…” dhe “financimet në kundërshtim dhe në tejkalim të dispozitave ligjore nga kandidatët për deputetë...”.

Sikurse shihet, “objekti” i Komisionit Hetimor të zgjedhjeve të vitit 2005, lidhet me hetime procedurash konkrete, për indikatorë të ndryshëm të procesit zgjedhor.

Por, në vitin 2010, saktësisht vetëm pak ditë më parë, sipas edhe kërkesës së deputetëve socialistë, Kuvendi më me “zemërgjerësi”, vendoste edhe për “hetim dyshimesh”, për zgjedhjet e vitit 2009.

Saktësisht në vendimin e tij të datës 19. 03. 2010, Kuvendi vendoste si “objekt” të punës së komisionit Hetimor, “hetimin e akuzave dhe dyshimeve publike të bazuara... për zbatimin e legjislacionit në lidhje me procesin zgjedhor”, “hetimin e dyshimeve dhe akuzave të bazuara... për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit”, hetimin e veprimtarisë të administratës së KQZ-së në lidhje me përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit në procesin e numërimit të votave”, “hetimin e akuzave publike të bazuar për përdorim të mjeteve publike, si dhe të administratës në favor të subjekteve të caktuara zgjedhore”, “hetimin e akuzave të bazuara për presione të ushtruara për largim, transferim apo ulje në detyrë të punonjësve në administratën qendrore, lokale apo të çdo enti publik për shkaqe që lidhen me fushatën, të kryera gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009 si dhe periudhën vijues e pas saj”, “hetimin e rasteve të dhënies në kundërshtim me ligjin të lejeve të përkohshme për personat e dënuar apo duke vuajtur masën e sigurisë arrest me burg, nga administrata e burgjeve gjatë periudhës 29 maj - 28 qershor 2009” dhe “çdo shkelje tjetër që lidhet me procesin zgjedhor që do të rezultojë gjatë hetimit”.

Saktësisht edhe vetë PS-ja, këtë draft për hetim “dyshimesh” ka depozituar për miratim në Kuvend, në momentin e miratimit të të cilit, deputetët e socialistë, tentuan por dështuan në tërheqjen e këtij drafti nga votimi.

Komisionet Hetimore të vitit 2005 dhe 2010, në “respekt” edhe të vendimeve të gjykatave

Ajo që me sa duket ka zemëruar deputetët e PS-së, të cilët pas SMS-së së mbërritur në celularin e Gramoz Ruçit, u “tërhoqën” nga nismat e propozuara prej tyre, ka të bëjë me pikën ku në vendimin e disa ditëve më parë, sikurse edhe në vendimin për Komisionin Hetimor të vitit 2010, parashikohej “respekti” i vendimeve të gjykatave.

Edi Rama e të tjerë në PS kanë artikuluar me forcë këto ditë “analogjira” për precedentë të vitit 2005, që sipas saj duhen pranuar edhe në vitin 2010. Por kur vjen puna, në krahasimin tjetër të komisionit hetimor të 20. 10. 2005, Edi Rama e të tjerë në PS, ose nuk kuptojnë, ose nuk ju vjen për mbarë të pranojnë, se pika “II”, e vendimit të këtij viti, korrespondon me pikën “III” të vendimit të datës 19. 03. 2010.

Saktësisht, këto pikat “II” dhe “III” të dy vendimeve respektive, në thelb janë të njëjta.

Kështu, ndërsa në vendimin e datës 20. 10. 2005, Kuvendi vendoste në pikën “II” të tij se, “Objekti dhe fusha e veprimit të këtij komisioni hetimor duhet të respektojë parimet kushtetuese dhe normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare, duke mos cenuar pavarësinë dhe veprimtarinë e organeve të tjera. Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi veprimtarinë juridiksionale të gjykatave”.

Edhe në vendimin e tij të datës 19. 03. 2010, sërish Kuvendi, nuk e fshihte “merakun” për “respekt” të gjykatave, kur artikulonte në pikën “III” se, “Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje, përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në Prokurori. Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh të cilat tregojnë qartë se për çfarë po hetohet”.

Por, ndërsa për pjesën tjetër të këtij vendimi të datës 19. 03. 2010, Kuvendi kishte vendosur në përputhje me kërkesat dhe propozime te PS-së, pikërisht, “respekti” i vendimeve të gjykatave, ka qenë pjesa “e padurueshme” për socialistët. Nisur nga kjo, duke kërkuar dhe tentuar “hetim të pakufizuar” dhe “këqyrje dhe administrim të fletëve të votimit, në pamundësi për realizmin e pretendimeve të tyre, deputetët e PS-së, u “tërhoqën”, duke “harruar”, këtë herë me dashje, “analogjinë” për respektimin e vendimeve të gjykatave, që Kuvendi parashikonte në vendimin e tij të datës 20. 10. 2005, ashtu sikurse parashikonte edhe në vendimin e tij të para disa ditëve, saktësisht të datës 19. 03. 2010.

Pas kësaj, deputetët e PS-së, mund të vazhdojnë ti referohen një vendimi të Ilirjan Celibashti të vitit 2005, dhe të zhurmojnë për “precedentin”, por për këtë duhet të kenë bindjen se e bëjnë për t’i mbushur mendjen vetes, sepse sa për të tjerët, ende mbetet e pakuptimtë, se si PS-ja për ngritjen e Komisionit Hetimor të vitit 2005, pranonte “respektimin” e vendimeve të gjykatave, dhe në vendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e vitit 2009, nuk e pranon në mënyrë selektive këtë “precedent”.

Vendimet e KQZ-së në vitin 2005 dhe Raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor

Zëra të ndryshëm të PS-së, kanë edhe qejf të artikulojnë një vendim të KQZ-së në vitin 2005, sipas të cilit vendosjes hapja e disa kutive të materialeve zgjedhor. Por, përpos kësaj pjese të qejfit, fshihet frikë, për të artikuluar më tej fatin “e hapjes së kutive” në vitin 2005.

Për të qenë më racional, po sjellim në vëmendjen e kujtdo, se Kryetari i Komisionit Hetimor “Për zbatimin e legjislacionit në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 3 Korrik 2005”, Arben Isaraj i drejtohej KQZ-së me shkresat me nr. 2225/5 prot., nr. 2225/6 prot., dhe nr. 2225/7 prot., të datës 16. 11. 2005 dhe për nevoja hetimi i kërkonte një pjesë të dokumentacionit, sikurse ishin, “Listat e zgjedhësve të cilat ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore të Qendra Votimit të 22 Zonave Zgjedhore (ZZ); Tabelat e Rezultateve për partitë politike dhe koalicionet (Model 57-07) të GNV-ve të 22 zonave zgjedhore; Fakset e ardhura në KQZ nga këto Zona Zgjedhore me rezultat paraprake pas numërimit të kutive të para nga GNV-të dhe; Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve për partitë politike dhe Koalicionet (Model 40-05) të këtyre KZZ-ve”.

Nga një vështrimi shpejtë, i artikulimit të kësaj kërkese, bie në sy, se pavarësisht vendimit, apo përgjigjes së KQZ-së, Arben Isaraj nuk i referohet ndonjë ligji në kërkesën e tij për materialet e votimit nëpër kutitë e votimit. Pavarësisht kësaj, kur rruga ishte kaq e thjeshtë dhe kaq e shkurtër, ku mjaftonte ngritja e një komisioni hetimor dhe një kërkesë e këtij komisioni në KQZ për materialet zgjedhore (sikurse në vitin 2005) dhe PS-ja do të kishte kursyer 9 muaj konsumim politik në vitin 2009-2010, për të mos bërë zhurmë për një ligj (të panevojshëm), për ti kërkuar KQZ-së materialet zgjedhore, (sikurse kishte bërë Aren Isaraj në vitin 2005)... Dhe pas kësaj, pas mosmiratimit të këtij ligji (të panevojshëm), ishte edhe më e panevojshme zemërimi i deputetëve të PS-së në seancën e fundit të Kuvendit...

Kjo është njëra anë...

Ana tjetër ka të bëjë me “përgjigjen” e KQZ-së, aq shumë të dëshiruar dhe aq shumë të artikuluar të “eksponentëve” të PS-së.

Në përgjigjen e saj, me vendimin nr. 1687 të datës 18. 11. 2005, vetëm dy ditë pas kërkesë së Arben Isarajt, kryetarit të Komisionit Hetimor, KQZ vendos hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe nxjerrjen prej tyre vetëm të listave të zgjedhësve. Nuk dihet se pas këtij vendimi, u hapën apo jo kutitë, i nxorën apo jo listat, si edhe ju dorëzuan këto lista apo jo kërkuesit Arben Isarja.

E rëndësishme është të dihet për “fatin” e kërkesave të tjera...

Për sa i përket kërkesave të tjera të Arben Isarajt, për “Tabelat e Rezultateve për partitë politike dhe koalicionet (Model 57-07) të GNV-ve të 22 zonave zgjedhore; Fakset e ardhura në KQZ nga këto Zona Zgjedhore me rezultat paraprake pas numërimit të kutive të para nga GNV-të dhe; Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve për partitë politike dhe Koalicionet (Model 40-05) të këtyre KZZ-ve”, këto kërkesa u përcollën me indiferentizëm në kufijtë e injorimit dhe mosvlerësimit të tyre, nga ana e KQZ-së.

Arben Isaraj, ka përgjegjësinë të sqarojë, mbi ç’argumente injoroi Ilirjan Celibashi e Dëshira Subashi në 18. 11. 2005, kërkesat e tij të tjera për materialet e tjera zgjedhore... dhe pastaj ti bashkohet korit të zhurmaxhinjve në PS.

Meqenëse jemi te KQZ-ja e vitit 2005 dhe te vendimet e saj, është një fakt tjetër, por që nuk dihet pse nuk përmendet dhe që lidhet me fatin e vërtetë të fletëve të votimit. Ndërsa, Komisioni Hetimor, vazhdonte punën e tij për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2005, ende pa u mbyllur puna e këtij komisioni dhe pa u hartuar e prezantuar në Kuvend raporti përfundimtar, KQZ-ja me Udhëzimin Nr. 1, datë 30. 01. 2006, dhe Vendimin Nr. 14, atë 22. 02. 2006, vendos asgjësimin e “fletëve të votimit, kundërfletëve të votimit dhe gjithë artikujve të tjerë”, të paklasifikuar në këto udhëzime e vendime.

Ndërsa PS-ja, si “precedent” i referohet një vendimi të KQZ-së, për gjysmën e një kërkese të Arbe Isarajt, po aq “me dashje” “harron” edhe “precedentin” tjetër, atë të shprehurit të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e vitit 2005.

Lidhur me “kalin e betejës” së opozitës sot, “precedenti” i Komisionit Hetimor të vitit 2005, na kujton se edhe atëherë ishte refuzuar kërkesa për hapjen e kutive të fletëve të votimit dhe rinumërimit të tyre. Edhe në vitin 2005, kjo kërkesë argumentohej me pa bazueshmërinë dhe kundërshtimin me Vendimin nr. 18, datë 14. 05. 2003 të Gjykatës Kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa PS-ja refuzoi të paraqiste prova në këtë komision, pavarësisht kërkesave në KQZ, sikurse edhe refuzoi të bëhej pjesë e përgatitjes dhe prezantimit të raportit, megjithëse kishte kryesimin e tij, ishte Bujar Nishani, nënkryetari i këtij komisioni që ndërsa prezantonte raportin e Komisionit Hetimor, sqaronte edhe arsyen e refuzimit të hapjes së kutive të fletëve të votimit dhe rinumërimit të tyre.

“Përderisa të gjitha ankimimet e këtyre subjekteve politike ishin përgatitur në Kolegjin Zgjedhor, i cili ka dhënë vendimet e tij të formës së prerë, për rrjedhojë, kërkesa e këtyre subjekteve për të hapur kutitë e fletëve të votimit dhe kryer procesin e rinumërimit të votave në disa zona elektorale ishte në kundërshtim të hapur me objektin e veprimtarisë së këtij komisioni të përcaktuar nga Kuvendi i Shqipërisë me vendim nr. 8, datë 20. 10. 2005, pika II dhe në kundërshtim të hapur me Vendimin nr. 18, datë 14. 05. 2003 të Gjykatës Kushtetues të Republikës së Shqipërisë”, shprehej Bujar Nishani në Kuvend, në seancën e prezantimit të Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar, në datë 09. 03. 2006.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›