Precedenti Basha, rrëzohen kërkesat e Bares

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi rrëzimin e kërkesave të Aldo Bares, bazuar në precedentin e ministrit të Brendshëm
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet vendosi dje rrëzimin e të gjitha kërkesave paraprake të mbrojtësit ligjor të të pandehurit Aldo Bare, avokat Vladimir Meçi, duke i lënë këtyre të fundit të vetmen alternative, atë të gjykimit të shkurtuar. Aokati Meçi kërkoi një javë kohë që të konsultohej me klientin e tij në lidhje me kërkesat e tjera në vazhdim, mes tyre edhe atë të gjykimit të shkurtuar.
Ndërkohë, këtu e 15 muaj më pare, ishte vetë kryesuesja e trupës gjyqësore të këtij procesi penal, gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila pranoi një kërkesë të tillë të bërë nga avokatët e ish-ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, për skandalin e rrugës Durrës-Kukës, duke shpallur të pavlefshme kërkesën për gjykim dhe vendimin e dërgimit të dosjes në gjyq pasi i pandehuri nuk ishte njohur me ata.
Po për këtë fakt edhe i pandehuri Bare kërkoi pavlefshmëri, pasi edhe pse i arrestuar në Turqi prokuroria nuk e kishte njohur me letër-porosi për mbylljen e hetimeve dhe dërgimin e çështjes në gjyq, duke mjaftuar vetëm me njoftimin e familjarëve të tij dhe avokatin e zgjedhur nga familja.
Po ky veprim i prokurorisë, është cilësuar nga mbrojtja si i bazuar në ligj, duke mjaftuar me njohjen me materialet të avokatit të mbrojtës të caktuar nga familja, edhe pse vetë Bare ishte i arrestuar në Turqi dhe priste procesin gjyqësor të ekstradimit të tij.
Sipas avokatit, Bare është arrestua në Turqi me 25 mars 2006, e që nga ky moment ai nuk është njohur me akuzën dhe vendimin e dërgimit të dosjes në gjyq, bashkë me kërkesën për gjykim.
Sipas prokurorisë, Aldo Bare akuzohet për "Vrasje me paramendim" ndaj pesë personave; "Mbajtje pa leje të armëve"; "Shkatërrim të pronës me zjarr"; "Krijim i organizatës kriminale dhe kryerje së veprave penale nga organizata kriminale".