Varreza e Dajtit, ja emrat e të dyshuarve
Avokati i Popullit harton listën e parë të personave që mund të jenë varrosur në periferi të Tiranës. Ja 43 të ekzekutuarit
Zbulimi i varrezës në periferi të kryeqytetit ka ringjallur shpresat e shumë familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë regjimit komunist. Edhe pse të afërmit pretendojnë për 3500 të vrarë që nuk iu dihet varri, deri tani është hartuar lista konkrete dhe e dokumentuar për 43 prej tyre.
Ata janë vrarë në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Avokati i Popullit ka përpiluar dosjet përkatëse.
Kryesisht informacioni është mbledhur në rrugë vullnetare por më kryesorja janë vendimet e gjykatave për ekzekutimin e njerëzve. Sipas komisionerit të Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, ekzistojnë dyshime që në varrezën masive të gjendur disa ditë më parë në rrëzë malit të Dajtit ndodhen eshtrat e 43 njerëzve që ndodhen në listën e publikuar sot nga "Shekulli".
Ekziston gjithçka në ta, por jo ajo copë letre që do të ishte dhe fundi i makthit të mijëra njerëzve që prej 20 vitesh janë në kërkim të eshtrave. Pikërisht ajo copë letre ku përpiloheshin të dhënat e sakta të vendit të ekzekutimit të të dënuarve politikë të regjimit komunist mungon në të gjitha dosjet që ka mundur të grumbulloje Avokati i Popullit.
Sipas praktikës së atyre viteve, dosja e vendimit të gjykatës plotësohej me firmën e prokurorit të çështjes, mjekut ligjor që vërtetonte vdekjen, ekzekutorit dhe hartën ku groposej viktima pas vrasjes së tij, kryesisht me një plumb pas koke. Por në të gjitha dosjet që ekzistojnë aktualisht në këtë institucion, fletët e fundit mungojnë, kjo për faktin e vetëm se dosjet janë siguruar jo në rrugë ligjore.
Kështu lista e hartuar nis me Xhelal Koprenckën, e përfundon me Dali Ndreun. Sipas komisionerit Haluca, në këto dosje flitet vetëm për akuzat që kanë rënduar mbi viktimat e regjimit komunist, ku në të shumtën e rasteve ato janë qesharake. Ndërsa për vendin e saktë të varrosjes së tyre ende nuk dihet asgjë, kjo për faktin e thjeshtë se dokumentacioni i këtyre dosjeve konsiderohet ende sekret.
Deri më tani varrezat e zbuluara janë falë bashkëpunimit të familjarëve të viktimave me anëtarët e togave të pushkatimit. Po në këtë mënyrë duket se është hartuar dhe dosja e parë e të ekzekutuarve në Shqipëri. Ka qenë pikërisht ndihma që kanë kërkuar të afërmit e të ekzekutuarve që ka çuar në hartimin e kësaj liste. Sipas komisionerit Haluca, të afërmve të viktimave të regjimit komunist deri më tani nuk iu është dhënë informacioni i duhur nga institucionet shqiptare.
Ndërkohë, falë bashkëpunimit, apo dhe blerjes së informacionit me para, përveç malit të Dajtit dyshohet të ketë varrezë masive në Yzberish, në zonën e quajtur repartit kundratankeve, apo dhe në Shkodër dhe Vlorë. Megjithatë, përveç hartimit të kësaj liste me 43 persona deri më tani, asnjë prej institucioneve Shqiptare nuk ka ndërmarre një nismë për zbulimin e eshtrave të viktimave të regjimit komunist.
LISTA
Xhelal Koprencka
Fadil Kokomani
Hajro Pashaj
Skender Doja
Pol Zefi
Dervish Bejko
Sokol Sokoli
Tonin Ndoj
Fran Mirakaj
Petro Daja
Fuat Kurti
Skender Muço
Zef Prela
Riza Zoti
Kamber Prishta
Petref Prishta
Myrteza Prishta
Qamil Prishta
Sherif Prishta
Ali Çoku
Çerçiz Qendro
Xhaferr Qendro
Feti Mema
Musa Mema
Atem Qendro
Lab Shena
Haziz Kaloshi
Asllan Kaloshi
Muharrem Kaloshi
Sefedin Kaloshi
Mahmut Kaloshi
Qemal Kaloshi
Selim Sul Kaloshi
Elez Kaloshi
Rabije Kaloshi
Nazif Bajraktari
Sulltana Ndreu
Gani Ndreu
Zenel Qendro
Dali Ndreu
Liri Gega
Në vjeshtë të vitit të kaluar, Avokati i Popullit propozoi ngritjen e komisionit. Ende kryeministria nuk i ka dhënë një përgjigje
Kryeministria injoroi propozimin për eshtrat
TIRANË- Gjashtë muaj më parë, Avokati i Popullit ka depozituar në kryeministri kërkesën për një nismë ligjore për verifikimin e të vrarëve të regjimit komunist por kjo kërkesë është anashkaluar nga kryeministri Berisha.
Por dje, pak ditë pas zbulimit të varrezës dhe pak ditë përpara nisjes së negociatave për krizën politike, kryeministri "shpalos" në mbledhjen e qeverisë propozimin për ngritjen e një Task-Force.
Shkresat zyrtare të Avokatit të Popullit nëpërmjet të cilave kërkohet ngritja e një Komisioni Shtetëror për të identifikuar vendet e caktuara për ekzekutimet e të dënuarve nga diktatura komuniste, kanë zbuluar se e gjithë nisma e qeverisë në fakt është e kopjuar. Për muaj të tërë kryeministri ka heshtur ndaj propozimit të Avokatit të Popullit dhe tani deklaron se është gati të bëjë gjithçka për të dënuarit e regjimit komunist.
"Dua tu informoj se javën që vjen qeveria do të vendosë ngritjen e një Task Force, e cila do të merret me kërkimin, gjetjen, e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve të këtij vendi, punonjësve që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm e vetëm se besonin tek fjala e lirë, tek zoti, tek vendi i tyre, pra ne vlera që janë sa hyjnore aq edhe njerëzore". Kështu ka deklaruar dje kryeministri Sali Berisha duke bërë me dije ngritjen e një komisioni propozimin e të cilit e ka mohuar për muaj të tërë.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, ka qenë Avokati i Popullit ai që i ka propozuar kryeministrit ngritjen e një Komisioni Shtetëror për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Propozimi i bërë nga Avokati i Popullit vinte pas qindra kërkesave të mbërritura për ndihmë në këtë institucion nga familjarët e viktimave.
Në këtë propozim të bërë nga Avokati i Popullit, jo vetëm që kërkohet ngritja e komisionit por edhe denoncohen emrat e njerëzve që sot janë në administratën e lartë shtetërore por kanë marrë pjesë në togën e ekzekutimit apo edhe gjyqet politike.
Sipas propozimit të bërë, komisioni të përbëhej nga ish-të përndjekur politikë, nga Ministria e Drejtësisë, ajo e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme, Sektori i Arkivave si dhe ekspertë të Mjekësisë Ligjore. Detyra e këtij komisioni, sipas propozimit të Avokatit të Popullit, do të ishte pikërisht gjetja dhe më pas ekzaminimi i plotë i eshtrave dhe dërgimi i tyre pranë familjarëve.
"Për masat që do të merrni në zbatimin e këtij rekomandimi ju lutem të na ktheni përgjigje brenda afatit ligjor prej 30 ditësh të parashikuar në nenin 22 të ligji për "Avokatin e Popullit",- thuhet në shkresën dërguar në vjeshtë të vitit të kaluar kryeministrit Sali Berisha.
Burime nga Avokati i Popullit thonë se deri më dje nuk ka mbërritur asnjë përgjigje zyrtare nga kryeministri në lidhje me propozimin e bërë në vjeshtë të vitit të kaluar.
***************************
Eshtrat janë zbuluar në prill të vitit të kaluar por fakti është bërë publik vetëm në kohën kur nisën negociatat Rama-Berisha
Dyshime për publikimin e varrezës së Dajtit
TIRANË- Zbulimi i varrezës së regjimit komunist në periferi të Tiranës vetëm pak ditë më parë ka hedhur dyshime të forta për kohën e gjetjes së eshtrave dhe momentin e publikimit të saj.
Zyrtarisht është dokumentuar se varreza është zbuluar në prill të vitit të kaluar. Në atë kohë, tre persona kanë dorëzuar në morgun e Tiranës katër qese me eshtra njerëzish. Ata kanë kontaktuar me mjekët dhe u kanë thënë se eshtrat u përkisnin të pushkatuarve të regjimit komunist. Eshtrat janë marrë në dorëzim por askush nuk është marrë më me to.
Madje as policia nuk ka kryer hetime për personat që i kanë sjellë, vendin ku i kanë gjetur, ekzistencën e eshtrave të tjera. Dhe historia e eshtrave bëhet publike pikërisht kur presidenti bën publike datën e tryezës ku do të takohet me Edi Ramën dhe Sali Berishën.
Historia mbeti e fshehur deri të shtunën e kaluar deri kur Jovan Plaku është paraqitur në morgun e kryeqytetit. Këtë herë ai ka dorëzuar 19 qese me eshtra. Kockat vinin sërish nga e njëjta varrezë.
Megjithëse prej një viti, në varrezën që ndodhet në afërsi të Linzës janë bërë gërmime nga të afërm të viktimave komuniste, janë gjetur eshtra, janë dërguar për ekspertizë edhe jashtë vendit deri atë ditë askush nuk ka folur për këtë fakt.
Dy historitë nuk do të kishin asnjë lidhje nëse ekspertët e mjekësisë ligjore nuk do të kishin dyshimet se pikërisht eshtrat e dorëzuar në prill të vitit 2009 do t'i përkisnin, Koço Plakut, ish-inxhinierit të naftës së pushkatuar gjatë regjimit komunist.
Është pikërisht i biri i tij, Jovan Plaku ai që ka bërë dorëzimet e 19 qeseve me eshtra në morgun e kryeqytetit. Për punonjësin e morgut, Jovan Plaku është prezantuar si oficer i policisë gjyqësore.
Ende nuk dihet përse Plaku e ka bërë një gjë të tillë dhe përse nuk është hetuar se kush ishte ky oficer i policisë që dorëzoi eshtrat. Babai i tij, inxhinieri gjeolog Koço Plaku, është pushkatuar nga regjimi komunist në vitin 1976 së bashku me Milto Gjikopullin si pjesëtarë të grupit armiqësor në naftë ku u dënuan edhe gjashtë inxhinierë të tjerë.
Dy femra
Mes viktimave të ekzekutuar në repartin 313 në afërsi të Linzës dyshohet në jenë dhe dy gra. Të paktën këtë dyshim kanë ngritur ekspertët nga këqyrja e eshtrave të mbërritura pak ditë më parë në këtë institucion. Mjekët kanë ngritur këtë hipotezë nga veshjet e viktimave që janë gjetur nëpër qeset e plasmasit.
Zhduken eshtrat e dëshmorëve të Lushnjes
LUSHNJË - Kreu i Shoqatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Lushnjës ka denoncuar zhdukjen e eshtrave të disa dëshmorëve, të cilët me një vendim të këshillit bashkiak do të varroseshin në varrezat e dëshmorëve. Sipas Pasho Uruçit, është thyer dritarja e një dhome që ndodhet në varrezat e dëshmorëve dhe janë zhdukur disa thasë me eshtra.
Zyra muze që ndodhet në varrezat e dëshmorëve të luftës është gjetur e thyer mëngjesin e djeshëm. Ka qenë vetë Uruçi ai që ka vënë në dijeni për këtë vjedhje policinë e qytetit, Bashkinë e Lushnjes, si dhe prokurorinë e Lushnjës, ndërsa ende nuk dihen autorët.
**********************
Shoqata e të përndjekurve në Shkodër i kërkon shtetit gjetjen e eshtrave të më shumë se 400 personave të vrarë në komunizëm
Të përndjekurit: Zbardhni misterin e vrasjeve
SHKODËR- Ish-të përndjekurit politikë të Shkodrës bëjnë apel që shteti shqiptar të merret seriozisht me gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve nga regjimi komunist. "Ne kërkojmë rezolutën e dënimit të krimeve të komunizmit dhe kjo është jo vetëm kërkesë e jona, por dhe e ndërkombëtarëve.
Qeveritë e ndryshme dhe shteti shqiptar e kanë lënë në harresë gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve, varret e të cilëve akoma sot nuk dihen. Ne nuk duam hakmarrje, por duam të vihet në vend dinjiteti ynë.
Ato nuk janë thjesht viktima të diktaturës komuniste, por janë heronj të fjalës së lirë, që u vranë sepse kundërshtuan diktaturën komuniste. Në Shkodër janë mbi 400 të tillë që akoma nuk u dihet varri, ku 62 janë klerikë.
Unë bëj apel që kush ka dijeni, të tregojë për vendet ku mund të jenë varrosur dhe të përfitojnë edhe nga shpërblimi i ofruar nga qeveria", -tha Zenel Drangu, kryetar i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë të Shkodrës. Sipas tij, shteti e ka të lehtë të zbulojë të vërtetën pasi në diktaturë asgjë nuk kalonte pa u shënuar në dokumentet zyrtare.
Ndërsa Xhina Tërnaku, ish-e përndjekur politike shprehet se është motër e një të pushkatuari që prej shumë vitesh i kërkohen eshtrat, por akoma nuk i janë gjetur.
Simon Jubani, klerik i cili ka vuajtur 26 vjet në burgjet komuniste shprehet se e kujton momentin e pushkatimit të parë publik të disa personave në pjacën e qytetit të Shkodrës, në qendër të saj, me qëllim terrorizimin e njerëzve. "Janë pushkatuar në mes të ditës kur kishte shumë njerëz, në qendër të qytetit.
Nuk e di a i kanë varrosë veç e veç, bashkë apo i kanë tërheqë familjet trupat e tyre, por ishte një terrorizim i të gjithëve", shprehet Simon Jubani, prifti që mbajti meshën e parë pas ndalimit të fesë në nëntor 1990 në Shkodër.
HETIMET
Prokuroria delegon dosjen në polici
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, pas tre ditë veprimesh hetimore e procedurale delegoi dosjen penale të zbulimit të eshtrave oficerëve të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, duke i kërkuar verifikimin dhe administrimin e një sërë provash materiale në lidhje me identifikimin e mundshëm të personave që janë ekzekutuar nga regjimi komunist.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës. Sipas tyre, ende nuk ka një regjistrim të procedimit penal në lidhje me zbulimin dhe më pas ekzaminimin eshtrave të gjetura pranë fshatit Qesarakë, rrëzë malit të Dajtit. Shkak për këtë mos regjistrim të procedimit penal është bërë mungesa e bazës ligjore në raste të tilla pasi një gjë e tillë nuk është parashikuar në Kodin Procedurës Penale.
Gjithashtu, këto burime njoftuan se për kryerjen e disa veprime procedurale, si atë të verifikimit të të dhënave të personave të pushkatuar nga regjimi komunist janë ngarkuar oficerë të policisë pranë Drejtorisë së Tiranës.
"Janë urdhëruar oficerët e policisë së kryeqytetit që të kryejnë disa verifikime në arkivat e Ministrisë së Brendshme për emrat e personave të pushkatuar nga regjimi",- thanë burimet, duke saktësuar se këto prova do të administrohen në dosjen e "zhvarrimit të të vrarëve".