Shqipëria në izolim

Në Dardhë dëbora shkoi në 40 cm. Llogoraja u bllokua 9 orë, qytetarët u ngujuan në makina. Lezha nën ujë. I gjithë vendi vuan rikthimin e dimrit
Situata e rëndë meteorologjike ka dhënë pasojat e saj negative edhe në rajonin e Korçës, atë të Vlorës dhe Gjirokastrës. Mësohet se Korça është përfshirë prej mëse 48 orësh nga dëbora, trashësia e së cilës në Dardhë i ka kaluar 40 centimetrat, ndërsa 10 fshatra janë bllokuar. Mes tyre përmendet zona e Vithkuqit, një pjesë e zonave të banuara në Moglicë, ku termometri regjistroi -2 gradë. Ndërkohë, në Qafën e Qarrit, në aksin Korçë-Kolonjë, trashësia e dëborës ishte 20 centimetra, për të vazhduar me rreth 10 centimetra në rrethin e Korçës. Dhori Çekrezi, shef i zyrës së emergjencave civile pranë Prefekturës së Korçës, tha se po punohet me borëpastruese, por disa fshatra po vuajnë gjithashtu edhe mungesën e energjisë elektrike. Fshatrat e izoluar janë Dardha, Arza, Sinica, Shtylla, Grabocka, Panariti, Moglica, Dusharit etj. Për sa u përket akseve nacionale që lidhin Korçën me pjesën tjetër të vendit, ata janë të kalueshëm pa zinxhirë, me përjashtim të segmentit Pogradec - Qafë-Thanë. Ndërkaq, reshjet e borës kanë bllokuar edhe aksin Vlorë-Himarë, ku situata ishte kritike për mëse 9 orë. Me dhjetëra qytetarë dhe automjete u “ngujuan” në rrugën e pakalueshme, për shkak të mjegullës së dendur dhe trashësisë për 20 cm të dëborës. Kalimi ishte më i rrezikshëm në dy pika pranë Qafës së Llogorasë, tek “Çezma” dhe në dalje të saj. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Rrugëve, Saimir Haxhiut, firma “Spartak sh.p.k” është përgjegjëse për këtë gjendje, pasi mesa duket, nuk ka operuar në kohë për zhbllokimin e situatës. Kjo firmë merr për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror 600 mijë lekë. Ndërkaq, në qarkun e Gjirokastrës janë bllokuar segmentet rrugore që lidhin zonat malore të Frashërit në Përmet dhe Zagorisë në Gjirokastër, ku trashësia e dëborës varion nga 30-60 cm, si dhe kanë mbetur të izoluar rreth 3 mijë banorë. Reshjet e dendura të dëborës kanë bllokuar segmentin rrugor Orgen-Frashër, duke ndërprerë çdo lëvizje të automjeteve në zonën me rreth 2 mijë banorë. “Po kështu, fshatrat si Deshnicë (Përmet), Zhej (Gjirokastër) dhe Dhjar (Gjirokastër) kanë mbetur pa energji elektrike”, tha zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Ai shtoi se po punohet për përballimin e situatës, madje është ngritur edhe shtabi i emergjencës.
Përmbytje nga shiu, izolim nga bora
SHKODËR - Reshjet e dëborës dhe të shiut gjatë 48 orëve të fundit kanë bërë që situata në qarkun e Shkodrës të konsiderohet me probleme serioze. Mësohet se tre fshatra të komunës së Hajmelit janë përfshirë nga përmbytjet, ndërsa zona më problematike është ajo e Paçramit. Si pasojë e kësaj situate, është bllokuar rruga që lidh këtë fshat me autostradën, si dhe janë përmbytur shumë toka bujqësore. Sipas banorëve të Hajmelit, numërohet rreth 700 dynymë tokë të përmbytura, në një zonë me 3500 banorë. Në inspektim të zonës ishte dje edhe kryetari i kësaj komune, Lekë Bibaj, i cili u shpreh se kjo zonë vuan përmbytjen sa herë që ka reshje të dendura. “Unë i qëndroj ende premtimit elektoral për ndërtimin e kanaleve kulluese, i cili ende nuk është vënë në zbatim”, tha kryekomunari, i cili shoqërohej nga prefekti i qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu. Në të vërtetë, banorët shprehen tejet të shqetësuar, pasi përmbytja e pjesshme e ditës së djeshme mund të përfshijë sot gjithë fshatin Paçram, pasi kanalet në të cilët nuk është vënë dorë që prej 15 vitesh, janë totalisht të bllokuar. Prefekti Cungu tha se nga institucioni që ai drejton, janë marrë të gjitha masat që të zbatohen me përpikëri udhëzimet nga drejtoritë përkatëse, sidomos nga Bordi i Kullimit. Përveç reshjeve, bora në zonat e thella të Dukagjinit dhe Vermoshit ka bllokuar rrugët, në të cilat nevojitet domosdoshmërish përdorimi i zinxhirëve. Zona e Selcës dhe Lepushkës në komunën e Kelmendit janë të bllokuara, ndërsa në vështirësi të mëdha është edhe Qafa e Malit në Pukë dhe rruga për në Theth. Mësohet se në Vermosh, Qafa e Bordolecit është mbuluar me rreth 40 cm borë.
Frika bën “xham” rrugët
ELBASAN - Një fjalë e urtë popullore thotë se “frika ruan vreshtat”, por në Elbasan mesa duket zhbllokon edhe rrugët. Edhe pse stuhitë e dëborës kanë mbuluar qarkun e Elbasanit, ku në disa zona trashësia e dëborës ka shkuar në 50 cm, të gjitha rrugët rurale që lidhin komunat e me qendrat urbane janë të zhbllokuara. Probleme në qarkullimin në Elbasan janë konstatuar në akset rrugore Elbasan - Qafë-Kërrabë -Tiranë, Elbasan - Qafë-Thanë, Elbasan-Gramsh. Ndërsa aksi rrugor Librazhd-Peshkopi ishte i bllokuar nga bora, veçanërisht në lartësitë e Shupenzës. Trashësia e borës arriti deri në 0.4 m në disa fshatra të thellë malorë, si në Zavalinë, Labinot Mal, Lenia, Skënderbegas, Poroçan, Rrajcë, Stëblevë, Hotolisht etj., ku temperaturat shënonin disa gradë nën zero. Prodhimet e stinës në shumë serra janë shkatërruar si pasojë e ngricave.
I. Vreto/J. Xhaferi/B. Shehu/ M. Kalaja/V.Idrizi