E Shtunë, 31 Tetor 2026

Predhat e Mihal Delijorgjit, çmontimi vazhdon në Poliçan

• Predhat e pashpërthyera që u mblodhën të përhapura në fshatin Gërdec, rreth fabrikës së Mihal Delijorgjit, si dhe ato që ishin bërë dalje në magazinat e MEICO-s, por që ende nuk kishin mbërritur në Gërdec do të dërgohen në Poliçan për t’u çmontuar.

Fatos Mahmutaj

Vendimi është marrë dy ditë më parë në Ministrinë Mbrojtjes, ndërsa pritet që nesër të nisë transportimi i tyre me kamionë ushtarakë dhe nën masa të rrepta sigurie. Shkak për të urdhëruar dërgimin e tyre në Poliçan është bërë fakti që në këtë vend ekziston mundësia e demontimit të tyre pa sjellë pasoja të rënda në raste aksidentesh. Për më tepër në Poliçan janë të gjitha ambientet e përshtatshme si dhe kushtet e mjetet e demontimit të predhave. Aktualisht një pjesë e mirë e këtyre municioneve ndodhen të “magazinuara” në pikën e grumbullimit të skrapit në Durrës, e cila është në pronësi të Mihal Delijorgjit. Ende nuk dihet nëse në Poliçan demontimi i municioneve të rrezikshme do të vazhdojë të jetë ekskluzivitet i “Alba Demil”, apo do kryhet nga efektivë të ushtrisë. Të paktën efektivët e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë pastrimit të fshatit Gërdec, po grumbullojnë të gjitha copat e skrapit të gëzhojave apo predhave të shpërndara në një rreze, që shkon deri në disa kilometër rreth kraterit të shpërthimit.
Masat
Rreziku i shpërthimeve apo aksidenteve me pasoja të rënda ka bërë që Ministra e Mbrojtjes të reflektojë, duke mos lejuar demontimin e municioneve të artilerisë me mjete primitive dhe njerëz jo profesionistë. Burime të Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë se, municionet që po grumbullohen në Gërdec nga forcat e ushtrisë po mbahen në ruajtje të rreptë nga efektivë të Policisë Ushtarake, ndërsa nuk lejohet të kryhet asnjë veprimtari tjetër pranë tyre. Po kështu edhe kamionët e pashkarkuar ende, që ndodheshin ditën e tragjedisë në pikën e skrapit të Delijorgjit, në Durrës po qëndrojnë nën mbikëqyrje të rreptë. Burime të Ministrisë pohojnë se këto masa do të vazhdojnë, derisa ato të transportohen në Poliçan, në zonën e ish-kombinatit të prodhimit të armatimit dhe municioneve. Të njëjtat burime thonë se, lëvizja e municioneve të rrezikshme do të kryhet vetëm me mjete ushtarake dhe në përputhje të të gjitha rregullave të sigurisë teknike. Vetëm pasi të dorëzohen në Poliçan të gjitha lëndët e rrezikshme që ndodhen në Gërdec dhe Durrës, pritet heqja e masave të sigurisë. Tashmë veç shkatërrimit në total të ish-fabrikës së demontimit në Gërdec, arsyeja kryesore për transportimin e municioneve në Poliçan është frika e shkaktimit të ndonjë shpërthimi tjetër, që do të kishte pasoja të frikshme në këtë zonë, ku shumica e banorëve jetojnë nëpër çadra pranë shtëpive që u rrënuan mesditën e 15 marsit.
Materialet
Aktualisht, predhat që gjenden të shpërndara nëpër fshatin Gërdec dhe zonën përreth po grumbullohen në zonën pranë ish-fabrikës së “Alba Demil”. Në këtë pikë lëndët shpërthyese janë transportuar prej trupave ushtarake, efektivë të operacionit të ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes për pastrimin e zonës së ndotur dhe minuar nga shpërthimi. Në këtë operacion nuk kanë munguar edhe forcat e huaja, që kanë ardhur në ndihmë të shtetit shqiptar. Të paktën dy ditë më parë Qendra e Bashkuar Operacionale e Ministrisë së Mbrojtjes pohoi se, në operacion vepruan 107 forca të Komandës Mbështetëse, nga të cilat 14 trupa të DCA daneze dhe 11 forca të TMK. Sipas tyre, në terren operuan 27 mjete, nga të cilat 4 mjete daneze dhe 4 mjete të TMK. Si rezultat i kësaj pune, u pastrua një sipërfaqe prej 4.5 ha, si dhe u grumbulluan 66 predha të rrezikshme dhe 39 predha të parrezikshme. U grumbulluan 6800 kg mbeturina skrapi. Gjithashtu, u transportuan dhe u shtruan 130 metër kub çakëll dhe u ruluan 600 metër katrorë sipërfaqe rrugore. Po kështu u bë 130 metër rrethim me tel me gjemba dhe u vendosën 6 copë tombino. Ndërkohë, pohohet se vatra e shpërthimit është mbikëqyrur nga ekspertët amerikanë të ATF.

Prokuroria mbledh dokumentet e
“Alb Demil” nga banorët e zonës

TIRANE – Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, ka marrë në pyetje gjatë ditëve të fundit një numër të konsiderueshëm ish-punonjësish të fabrikës së demontimit në Gërdec. Pjesa më e madhe e tyre janë pyetur rreth momentit të shkëndijës së parë, e cila më pas shkaktoi shpërthimet në seri të grumbujve me predha dhe depozitave të barutit. Ndërkaq, një pjesë tjetër e punonjësve kanë dhënë sqarimet e tyre për kushtet e punës në fabrikën e çmontimit. Ata janë pyetur në veçanti, lidhur me mungesën e pajisjeve të shuarjes së zjarrit dhe mosrespektimin e kushteve të sigurisë teknike në fabrikë. Ndërkaq një pjesë tjetër e punëtorëve, kryesisht ata që ishin marrë me paketimin e fishekëve nga arkat e mëdha të drurit dhe të hekurit në kuti kartoni më të lehta, kanë dhënë deklarime të hollësishme rreth këtij fakti. Versioni i trafikimit të fishekëve, që MEICO çonte në Gërdec për paketim dhe më pas për shitje jashtë Shqipërisë, po verifikohet nga Prokuroria, pasi ende hetimet nuk kanë filluar zyrtarisht në këtë pistë. Prokuroria ka marrë kontakt edhe me banorë të zonës që kanë gjetur dokumente të firmës “Alba Demil”. Banorët i dorëzuan dokumentet në Prokurori.     

Berat, kryebashkiaku: Ndihmë për depot e rrezikshme
BERAT – Kryebashkiaku i Beratit i kërkon ndihmë deputetit të zonës, Erjon Braçe të ndërhyjë për të evituar rrezikun që përbën për qytetin pikat e gazit, karburantit apo depot e amoniakut. Sipas Fadil Nasufit, ato ndodhen pranë zonave të banuara, duke bërë që qytetarët çdo ditë të jetojnë me frikën e një shpërthimi me pasoja si në Gërdec. Nasufi deklaroi se, në qytetin e Beratit ndodhen 10 pika karburanti në afërsi të pallateve, 30 pika gazi dhe 5 depo amoniaku. Kryebashkiaku ka kërkuar ndihmën e organeve përkatëse të kryejnë verifikimin dhe largimin e pikave të rrezikshme nga lagjet e banuara.

Poliçani
Ministra e Mbrojtjes, tashmë pas tragjedisë së rëndë të 15 marsit në Gërdec ka zgjedhur Poliçanin, si vendin e duhur për të demontuar municionet e artilerisë. Transportimi drejt uzinës që ndodhet në qytezën e izoluar të Jugut do të bëhet nën masa të rrepta sigurie dhe me mjete të ushtrisë. Po kështu, në të njëjtën mënyrë do të kryhet edhe çmontimi i këtyre lëndëve të rrezikshme. Në të këtë vend ekzistojnë poligone të posaçme, shumica në tunele dhe të pajisur me mjetet e duhura për të kryer veprimtari të tilla.

Transportimi
Predhat e grumbulluara në Gërdec dhe ato që mbetën pa u marrë në dorëzim nga “Alb Demil”, që aktualisht ndodhen në Durrës do të transportohen me mjete ushtarake dhe nën masa të rrepta sigurie në Poliçan, në ish-uzinën e armëve ku do të vazhdohet me demontimin e tyre. Tashmë këto predha po mbahen në ruajtje nga efektivët e Policisë Ushtarake, në mënyrë që të shmangen ngjarje të rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›