E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB do të financojë për rrugët rurale

• Kanë përfunduar dje negociatat mes Bankës Botërore dhe qeverisë për ndërtimin e rrugëve dytësore dhe lokale në vend.

Objekti kryesor i këtij projekti është të përmirësojë aksesin në shërbimet esenciale dhe tregjet, veçanërisht në zonat rurale. Kostoja totale e projektit të Bankës Botërore parashikohet të jete 40 milionë dollarë, me 20 milionë dollarë nga një kredi e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), 15 milionë dollarë nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID), dhe 5 milionë dollarë si bashkëfinancim nga qeveria shqiptare. Projekti parashikohet të aprovohet nga Bordi i drejtorëve në qershor të këtij viti.
Zbatimi i projektit do të bëhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me mbështetjen e Komitetit Ndërministror të ngritur nën drejtimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit. I gjithë programi pritet të përfshijë rreth 1000–1500 km rrugë sekondare dhe lokale, me një fond që pritet të arrijë rreth 200-400 milionë dollarë. Qeveria shqiptare po negocion me donatorë dhe institucione financiare ndërkombëtare si Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›