Predhat në Gërdec bashkë me djegoret, dyshime për tregti
• Dorëzimi i djegoreve bashkë me predhat në Gërdec është një veprim...
Dashamir Biçaku
... që lë vend për dyshime të forta se, predhat e kalibrit të rëndë mund të jenë tregtuar pasi dorëzoheshin në fabrikën e Mihal Delijorgjit. “Predhat e kalibrit të rëndë të dërgohen në fabrikën e demontimit në Gërdec bashkë me djegoret”. Ky është shënimi që përmban urdhri i drejtuar strukturave të ushtrisë shqiptare, i cili kërkon që ato t’i dorëzojnë ndërmarrjes MEICO gjithë sasinë e municioneve për demontim. Shënimi në këtë urdhër është parë me habi nga ushtarakë të pyetur nga gazeta “Panorama”, si dhe nga oficerë që aktualisht mbajnë detyra në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Ata mendojnë se prania e djegoreve në fabrikën e demontimit është e pajustifikuar, sepse djegoret nuk çmontohen nga privati dhe se ato nuk mund të përdoren për nxjerrje skrapi. Sipas ushtarakëve, dërgimi i predhave me djegore në Gërdec apo kudo tjetër bëhet vetëm në rast se, predhat kanë për destinacion përdorimin ushtarak, pra qitjen. Eshtë e qartë se predhat që shkonin me djegore në Gërdec nuk janë qitur aty, ndërsa urdhri lë dyshime se ato janë treguar me qëllim për t’u përdorur në veprime ushtarake. Dyshime të tilla bëhen edhe më të besueshme duke iu referuar deklarimeve të punonjësve të firmës se, ata kanë paketuar fishekë në fabrikën e Gërdecit, të cilët jo vetëm që nuk janë çmontuar, por janë treguar jashtë vendit. A ka ndodhur e njëjta gjë edhe me predhat si me fishekët? Kjo është një pyetje të cilës pritet t’i japë përgjigje Prokuroria, që ka sekuestruar dhe po verifikon të gjitha dokumentet.
Urdhri
Municionet e kalibrit të rëndë që duhet t’i dorëzohen ndërmarrjes së Ministrisë së Mbrojtjes MEICO, nga komandat e ndryshme të Forcave të Ushtrisë, bashkë me djegoret e tyre që ndodheshin në arka. Ky veprim që duhej kryer është një pjesë e urdhrit të hartuar për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e përgatitur nëpërmjet një shkrese MEMO nga drejtori i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm, Kolonel Dashnor Çaushi. Shkresa është një projekt urdhër që lut ish-ministrin e Mbrojtjes Mediu, të hedhë firmën e tij, mbi dokumentin ku veç të tjerave kërkohet kalimi i një sasie predhash nga magazinat e ushtrisë në ato të MEICO-s në Gërdec. Shkresa mban datën 22 nëntor 2007 dhe është hartuar nga drejtori i Logjistikës Çaushi, ai i Legjislacionit, Ndue Marku dhe ka kaluar nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Leitnant, Luan Hoxha. Sipas specialistëve, rregulli i daljes së municioneve kryhet bashkë me djegoret, në përgjithësi në arka të posaçme. Dorëzimi i tyre mund të kryhej me djegore, ose pa djegore sipas destinacionit që kishin predhat. Në fund të projekt-urdhrit të përgatitur për ministrin e Mbrojtjes, ku ndodhet edhe pasqyra e municioneve sipas sasive dhe kalibrave që do t’i kalonin në dorëzim MEICO-s, ka një shënim urdhërues në të cilin thuhet: Municionet të dorëzohen së bashku me djegoret.
11184 tonë
është sasia e municionit që ishte planifikuar nga Komandat e Mbështetjes dhe ajo e Forcës së Bashkuar për t’u dorëzuar në Gërdec
6 zyrtarë
të Ministrisë së Mbrojtjes kanë kaluar në duart e tyre urdhrin e ish-ministrit të Mbrojtjes, të datës 7 dhjetor 2007
Urdhri për predhat kaloi edhe te shefi i Shtabit
TIRANE - Urdhri i përgatitur për ministrin e Mbrojtjes i firmosur më 7 dhjetor të vitit 2007, i është kërkuar mendim edhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Po ashtu si shkresa MEMO, dërguar Mediut edhe për Gjeneral Lejtnant Luan Hoxhën është ndjekur e njëjta rrugë. Më 22 nëntor të vitit të kaluar projekt-urdhri i ka kaluar për mendim Luan Hoxhës, ku sqarohet praktika për municionet që ndodheshin në magazinat e dy komandave, asaj të Forcës së Bashkuar dhe asaj të Mbështetjes Logjistike. Në shkresë është bashkangjitur projekt-urdhri i përgatitur për Mediun, bashkë me pasqyrën shoqëruese, në të cilën tregohej se 11 mijë tonë municione të kalibrit të rëndë duhej të çmontoheshin. Në këtë sasi, municionesh për çmontim, kishte predha kundërajrore, municione për avionë bombardues të kalibrave 20 deri në 37 mm. Në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, komisioni i posaçëm në Ministrinë e Mbrojtjes, kishte kategorizuar llojet e municioneve që do të çmontoheshin dhe do të dilnin jashtë funksionit të tyre për luftim. Po ky komision, kishte miratuar edhe çmimet e shitjes së municioneve që hiqeshin nga depot e ushtrisë. Çmontimi sipas shkresës, do të kryhej nga SACI (“Southern Ammunition Company INC”, e mbikëqyrur nga MEICO. Ky fakt, bën me dije se, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ka qenë në dijeni të procesit që kryhej në Gërdec. Pas kësaj praktike, ish-kreu i Mbrojtjes Mediu, ka firmosur urdhrin e tij me nr. 2044, të 7 dhjetorit 2007.
Evidenca: MEICO çoi në Gërdec predha të avionëve bombardues
TIRANE - Në listën e municioneve që do të dorëzoheshin nga njësitë e ndryshme të Forcave të Ushtrisë thuhet se, predhat që do të demontoheshin i përkasin kalibrave 20-45 milimetra, si dhe 100-152 mm. Sipas tabelës në total, shuma e municionit për demontim kap shifrën e 11 184 tonë. Kjo është sasia që Komanda e Forcës së Bashkuar (KFB) dhe Komanda Mbështetëse (KM), kishin në dispozicion dhe që duhej të dorëzonin tek ndërmarrja MEICO. Sipas pasqyrës, KFB-ja kishte në dispozicion në depot e saj 1 663 tonë, municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, që ishin klasifikuar për asgjësim. Në të kundërt KM-ja kishte disa herë më tepër, rreth 9 521 tonë, municione predha të kalibrave të ndryshëm. Më tepër se gjysma e predhave që ishin klasifikuar nga specialistët si të nevojshme për t’u demontuar arrinin në rreth 8 100 tonë. Ato ishin predha të kalibrave 122 mm deri në 152 mm. Në municionet e kësaj pasqyre nuk mungojnë as predhat e llojeve të tjera si ato të avionëve, kundërajrorë, blindëshpuese dhe thërrmuese. Në të gjitha këto raste vetëm pak nga këto municione janë të papërdorshme. Kështu predhat e avionëve të kalibrave 30 dhe 37 mm, supozohet se nuk mund të përdoren. Kjo së paku për dy nga destinacionet e deklaruara ku janë shitur armët nga “AEY”, në Irak dhe Afganistan. Por kjo nuk përjashton mundësinë që kjo kategori të jetë shitur në rajone të tjera luftimesh në botë, kryesisht në Afrikë.
Oficeri i FA-ve: Çmontimi i djegoreve proces i rrezikshëm
TIRANE- Një oficer i lartë i Forcave të Armatosura i pyetur dje nga gazeta “Panorama”, dha të njëjtin mendim me specialistin e ushtrisë, duke pohuar se djegoret e predhave, kanë shkallë të lartë rrezikshmërie, çka i bën të pa përdorshme për skrap. “Ato nuk mund të përdoren për skrap, pasi nuk kanë elementë të mjaftueshëm që e bëjnë atë për përdorim skrapi, por për më tepër janë të ndejshme për shkak të lëndës që ato përmbajnë”, tha zyrtari i ushtrisë. Sipas tij lënda e hegzogjenit, që përmban djegorja e bën atë aq të ndjeshme sa që shpërthimi i saj mund të provokohet nga elementë të tjerë që mund të prekin djegoren. “Një pakujdesi në trajtimin e djegores, mund të shkaktojë minimalisht dy gishta dhe një sy të personit që merret me djegoren”,- pohon oficeri i ushtrisë që nuk preferoi të identifikohet. Më tej ai tregon se çmontimi i këtij elementi të municionit, kryet në një distancë prej më tepër se 150 metra minimalisht nga vendi ku janë vendosur predhat apo baruti. Sipas këtij specialisti të armatimit ka disa mënyra të asgjësimit të kësaj djegoreve. Mënyra e parë është ajo e çaktivizimit të saj nëpërmjet shpërthimit një për një. Në këtë mënyrë djegorja vihet në një gropë që e cila zihet me një thes rëre dhe më pas provokohet shpërthimi. Mënyra e dytë është ajo shpërthimit në grup të një sasie të caktuar djegoresh së bashku. Ato vihen në poligon të posaçëm të ndërtuar për shpërthimin e predhave dhe djegoreve që janë caktuar të çmontohen dhe më pas shpërthehen.
Ushtaraku: Djegoret nuk përdoren për nxjerrje skrapi
Djegoret e predhave të çfarëdo kalibri, nuk mund të përdoren për të përfituar skrap nga përpunimi apo demontimi i tyre.
Dashamir Biçaku
Ky është konfirmimi që vjen nga specialistë të Forcave të Armatosura. Sipas specialistëve në asnjë rast mbetjet e djegores apo pjesët përbërëse të saj nuk mund të përdoren për t’u shitur për skrap. Kjo pasi procesi i çmontimit të djegores, kërkon një angazhim dhe një punë shumë më të madhe e cila nuk justifikon sasinë e metalit që mund të përfitohet prej saj. “Procesi i çmontimit të djegoreve kërkon një kosto aq të madhe sa që nuk ia vlen t’i hysh kësaj pune. Madje ky proces mund të konsiderohet aq i vështirë sa edhe montimi i djegoreve në të gjithë elementët dhe pjesët përbërëse të saj”, tregon një oficer me përvojë në Ushtri, që kërkon të ruajë anonimatin. Sipas të njëjtit, edhe pjesët përbërëse të djegoreve, janë tepër të ndjeshme kundrejt elementëve të ndryshëm me të cilët ato bien në kontakt e që mund të provokojnë shpërthimin e tyre. Vetë djegorja sipas ushtarakëve shërben për të shpërthyer predhën, pasi është kryer qitje nga një grykë zjarri, përgjithësisht nga topat kundërajrorë, apo armë të tjera që shërbejnë për sulme kundër objekteve të blinduara apo të zakonshme. Përdorimi i djegoreve për të nxjerrë metal prej tyre duket i vështirë edhe për shkak se ato përmbajnë elementë të ndjeshëm që gjatë çmontimit paraqesin rrezikshmëri të lartë.
Ndarjet
“Në përcaktimin e pjesëve dhe elementëve përbërës të djegoreve, specialistët i ndajnë ato në disa lloje. Në secilin prej këtyre llojeve, çdo djegore ka elementë që në një lloj tjetër mund të mos gjenden”, pohon oficeri me gradën kolonel. Djegoret ndahen në dy lloje të mëdha, nga ato që vihen në majën e predhës dhe quhen djegore majore. Kategoria e dytë quhet fundore, që do të thotë se ajo vendoset në fund të predhës. Veç kësaj nënndarjeje djegoret e predhave kanë edhe klasifikime të tjera, sipas kategorive të luftimit të përcaktuara nga ushtarakët. Predhat nën 100 milimetra sipas specialistëve janë përgjithësisht unitare që do të thotë se djegoret janë të vendosura në predhë kurse predha qëndron në gëzhojën përkatëse. E kundërta ndodh me ato predha që janë mbi 100 milimetra, për shkak se pesha e tyre është tepër e madhe dhe ato kërkojnë me tepër energji për transportimin e tyre pas qitjes. Për këtë efekt ato vihen në arka, ku çdo pjesë e municionit është e veçuar nga pjesët e tjera përbërëse. Në total elementët e përgjithshëm të një djegoreje, ndahen në shtatë pjesë përbërëse.
Djegorja
Thuajse të gjitha djegoret kanë disa elementë të përbashkët që janë, dy susta në anë të saj, mbi të cilët vendoset një sferë. Sferat dhe sustat vendosen në brendësi të trupit të djegores. Specialistët pohojnë se sferat janë elementë që pengojnë që susta dhe fundi i predhës të takohen me njëra-tjetrën. Në rastet kur sferat bien ose dalin nga vendi ku janë vendosur nëpërmjet një procesi teknologjik, ndodh edhe shpërthimi i djegores. Ajo ka mekanizmin e saj rrahës, gotëzën e detonatorit që është vetë detonatori. Ndërkaq të gjitha djegoret veç pjesëve dhe elementëve shpërthyes kanë, edhe elementët e sigurisë, që ndahen në tri kategori. Të siguruara, gjysmë të siguruara dhe të pasiguruara. Specialisti pohon se: Të gjitha këto janë elementë të ndërlikuar të ndjeshëm, çka e vështirësojnë procesin e çmontimit të tyre dhe më pak të mundshme e bëjnë përdorimin e këtyre djegoreve për skrap”.
Gërdec, sot nis shpërndarja e parave për shtëpitë
Sot fillon shpërndarja e fondit për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara si pasojë e shpërthimit në Gërdec.
Aristir Lumezi
Në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes, bëhet e ditur se shpërndarja do të kryhet në agjencitë e katër bankave kryesore që ndodhen në Vorë. Sipas të njëjtit burim, deri tani, mbi 95% e banorëve nuk kanë pasur objeksione për fondin e vënë në dispozicion, ndërkohë që të gjitha ankesat e paraqitura do të shqyrtohen me korrektësi dhe në mënyrë individuale. Po dje, gjatë paradites, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë një takimi që zhvilloi në Bashkinë e Vorës, shprehu vendosmërinë e qeverisë për të zbatuar në kohë të gjitha vendimet që ka marrë, kryesisht ato që kanë të bëjnë me dëmshpërblimin e dëmeve që u janë shkaktuar banorëve, nga ngjarja e 15 marsit në Gërdec. Sipas Nishanit, “janë rreth 4 mijë objekte të vlerësuara, ku gati 95% e banorëve të këtyre objekteve nuk kanë paraqitur ankesa. “Ka rreth 150 ankesa, por është normale dhe e kuptueshme që në një numër të tillë të ketë dhe pretendime”, tha Nishani. Ministri i brendshëm ka sqaruar dhe procedurat se si do të përfitohen këto fonde nga familjarët. “Dy janë hapat që do të ndërmerren në rast ankesash, sipas tij, së pari, një ekip ekspertësh së bashku me kryefamiljarin që ka pretendime për vlerësimin e dëmit, do të shkojë tek objekti i dëmtuar dhe do të bëjë edhe një herë rivlerësimin e tij. Ndërsa, në rast se kryefamiljari nuk është dakord me këtë kosto që parashikohet për rindërtimin apo rikonstruksionin, atëherë qeveria do të kontaktojë vetë kompani private për të bërë riparimet e të gjitha dëmeve tek objekti i dëmtuar”, tha Nishani.
Shtabi i emergjencave, i drejtuar nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Kryetari i bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, në prani të deputetit të zonës Astrit Patozi u mblodh dje në bashkinë Vorë për të diskutuar rreth situatës së krijuar pas publikimit të vlerësimit përkatës për çdo të dëmtuar. Në takim u vendos që për ankesat që kanë banorët në lidhje me vlerësimet e publikuara të krijohet një grup pune për shqyrtimin e tyre, i përbërë nga specialistë të Bashkisë Vorë, ALUIZNI, Këshilli i Qarkut dhe Enti i Banesave.
Vendimi
Qeveria vendosi fondin prej 1.57 miliardë lekë për të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit. Gjithashtu qeveria ka përcaktuar dhe tre rrugët nga do të merren fondet për dëmshpërblimin. Në mbledhjen e qeverisë është miratuar propozimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, i cili propozon që fondi prej 1.57 miliardë lekë të reja të përfshijë edhe të gjitha donacionet që janë dhuruar nga qytetarët si dhe organizata ndërkombëtare. Kështu, nga fondi prej 1.57 miliardë lekësh nga donacionet e ndryshme që kanë ardhur, vetëm 150 milionë lekë të reja do të përdoren për dëmshpërblimin e të prekurve nga tragjedia e Gërdecit. Pjesa tjetër do të merret nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe Fondi i kontingjencës. “Burimet e financimit të dëmeve pasurore, sipas vendimit të sipërpërmendur, në vlerën 1.572 milionë lekë, janë si më poshtë vijon: a) dhurimet e derdhura në llogaritë bankare, të hapura për këtë qëllim, në masën 150 milionë lekë; b) fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në masën 800 milionë lekë; c) Fondi i kontingjencës, në masën 622 milionë lekë”, saktësohet në vendimin e miratuar nga qeveria.
Rama: Do ndërtojmë shtëpinë e 3 jetimëve
Kreu socialist u premtoi dje tre jetimëve të familjes Cani se deputetë të saj do financojnë në përfundimin e shtëpisë së tyre pas humbjes së prindërve. Edi Rama, bëri të ditur se duhet dhënë një ndihmë urgjente ndaj fëmijëve jetim. Kryetari i opozitës, u premtoi atyre, se me ndihmën e deputetit Sadri Abazi dhe sipërmarrësve të Partisë Socialiste, shtëpia e tre djemve do të ndërtohet e gjitha. “Janë shumë familjet e dëmtuara, janë shumë nevojat, por në radhë të parë familjet, që kanë humbur njerëz dhe jetimët, që nuk ka asnjë mundësi të vazhdojnë jetën, duhen ndihmuar me urgjencë. Ne morëm përsipër së bashku me njerëzit tanë sipërmarrës, që t’i lehtësojmë të ardhmen këtyre tre djemve të mbetur pa prindër. Shtëpia për të cilën kanë zbritur nga larg, nga malet e Martaneshit dhe për të cilën u vranë prindërit ka mbetur pa çati, ndërkohë që shtëpia, që kanë me qira është e përkohshme dhe duhet të dalin në fund të prillit. Ne me mundësitë tona modeste dhe me angazhimin e drejtpërdrejtë të një përfaqësuesi në parlament të partisë sonë, që është edhe sipërmarrës, do t’i ndihmojmë që të hedhin çatinë dhe që të hyjnë brenda dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të ndërtojnë familjet e tyre, të ndërtojnë jetën e tyre. Kjo nuk është zgjidhje për të gjithë”, tha Rama.
Topalli e Liri Berisha vizitojnë të mbijetuarit e Gërdecit
Të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit, të cilët janë strehuar në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës janë vizituar dje nga afër nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryetarja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, Liri Berisha. Topalli dhe bashkëshortja e kryeministrit kanë qëndruar gjatë me banorët dhe kanë biseduar me ta lidhur me kushtet e qëndrimit, si dhe problematikat e tyre për të ardhmen. Në këtë takim paraditen e djeshme ato janë njohur nga afër me kërkesat e banorëve gjatë qëndrimit në këtë shtëpi strehimi dhe kanë pohuar se, duhet bërë sa më shumë që pasojat e ngjarjes së rëndë të 15 marsit të lënë sa më pak gjurmë në jetën e gjithsecilit prej tyre. “Ky është një ambient shumë i mirë dhe i përshtatshëm për fëmijët që të çlirohen nga shokimi i tragjedisë”, ka thënë Topalli në Kovalishencën e Durrësit. Në një prononcim për mediat Topalli tha se, gjendja e fëmijëve të strehuar në këtë qendër po përmirësohet gjithnjë e më shumë. “Trauma e tyre është e thellë, por në këto mjedise ata kanë të gjithë kujdesin për ta harruar sa më shpejt tragjedinë e 15 marsit”, theksoi Topalli. “Nënat e këtyre fëmijëve tashmë po shohin nga e ardhmja, prandaj që të gjithë po punojmë që këta banorë të rikthehen sa më shpejt në banesat e tyre”, u shpreh Topalli. Ndërkohë që kryetarja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, Liri Berisha, ka bërë thirrje për t’i qëndruar sa më pranë të gjithë të prekurve si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht. “Duhet edhe të përpiqemi që t’u krijojmë ambiente sa më normale dhe funksionale dëfrimin dhe mësimin në mënyrë që sado pak këtyre njerëzve t’u hiqet nga syri dhe mendja ai stres i madh që kanë përjetuar”, ka deklaruar për mediat zonja Berisha. Shpërthimi i fuqishëm i Gërdecit më 15 mars shkaktoi të paktën 24 të vrarë dhe rreth 300 të plagosur, si dhe një dëm ekonomik mbi 20 milionë dollarë.
Haxhinasto: Të mos spekulohet me ftesën
Lëvizja Socialiste për Integrim vlerësoi dje gatishmërinë e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të SHBA-së dhe të gjithë vendeve të NATO-s për të ftuar për anëtarësim Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit. Këtë deklaratë e bëri dje në një konferencë për shtyp, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto. “Por ftesa për në këtë samit, nuk duhet të jetë objekt i spekulimeve nga Qeveria dhe politika në përgjithësi, pasi askush prej tyre nuk mund të marrë meritën e kësaj ftese, veçse popullit shqiptar që me vullnetin dhe kontributin e tij ka kohë që ndjehet pjesë e NATO-s dhe e objektivave të saj për paqen e stabilitetin”, tha Haxhinasto. Sipas tij, “kjo ftesë është gjithashtu meritë e strategjisë largpamëse të kësaj aleance, për të zgjeruar zonën e sigurisë kolektive dhe për të konsoliduar reformat e standardet në secilin vend”. Gjithashtu kryetari i KDK-së së LSI-së u shpreh se “ftesa për në NATO që do të merret së shpejti është një detyrim më tepër i kësaj qeverie për të treguar përgjegjshmëri dhe për të mos mbetur tek standardet e Gërdecit”. “Për LSI, reforma më e madhe për Shqipërinë është t’i shkohet deri në fund Gërdecit, me përgjegjësi politike, me transparencë e ligjshmëri, në mënyrë që kjo tragjedi e paprecedent të mos përsëritet më”, tha Haxhinasto. Sipas tij, kjo reformë fillon tek dhënia e dorëheqjes së Kryeministrit Berisha dhe lejimi i drejtësisë të bëjë detyrën e saj pa presionin e politikës. Kjo do të bëjë ta meritojmë ftesën e NATO-s, do të sjellë një stabilitet më të madh politik në vend, stabilitet që fillon kur ka përgjegjshmëri të madhe politike”.
BE: Shqipëria, shembull për vendet e tjera të rajonit
Bashkimi Evropian ka vlerësuar progresin e bërë deri tani nga Shqipëria, duke e cilësuar atë frymëzues për vendet e tjera të rajonit.
Këtë e bëri të ditur dje ministri ynë i Jashtëm, Lulzim Basha, pas takimit informal të mbajtur në Slloveni mes ministrave të jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Gjatë një konference për shtyp kreu i diplomacisë shqiptare u shpreh se, “Gjatë këtij takimi ministrat e jashtëm kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e deritanishëm midis vendeve të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kanë identifikuar fusha të tjera prioritare të këtij bashkëpunimi. Dialogu për liberalizimin e vizave të cilin Shqipëria e ka filluar disa javë më parë me vizitën e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian në Tiranë, zoti Frattini, bashkëpunimi në fushën e transportit, arsimit, energjisë dhe programe të tjera si dhe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të policisë kanë qenë disa prej fushave kryesore të identifikuara në këtë dialog të Bashkimit Evropian dhe vendeve aspirate të Ballkanit Perëndimor”, tha Basha. Sipas ministrit tonë të Jashtëm, për herë të parë në 17 vjet marrëdhënie mes Shqipërisë dhe BE-së, kjo e fundit ka dhënë mesazhe të forta vlerësimi për vendin tonë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. “Ky vlerësim vjen në vazhdën e vlerësimeve të tjera, siç ishin ato të shprehura gjatë vizitës së zv/presidentit të KE-së z. Frattini në Tiranë, apo të shprehura gjatë dialogut politik të Trojkës, përkatësisht nga sekretari i Përgjithshëm dhe përfaqësuesi i lartë Havier Solana dhe nga komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn”, vlerësoi ministri Basha. Sipas tij, “kjo demonstron qartësisht se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe BE-së po hyn në një fazë të re të rëndësishme në raport me aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është i njëjti vlerësim për reformat politike dhe ligjore të ndërmarra nga Shqipëria vitet e fundit, që qëndron në themel të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, proces të cilin shpresojmë ta kurorëzojmë me sukses javën që vjen në Samitin e Bukureshtit”, deklaroi Basha. I pyetur lidhur me pasojat negative që mund të sjellë ngjarja e Gërdecit, e cila ndodhi pak ditë përpara marrjes së ftesës së anëtarësimit në strukturat euroatlantike, Basha theksoi se, procesi i anëtarësimit në NATO është një proces, i cili kalon nëpërmjet shumë reformave. Sipas Bashës, reforma e sigurisë dhe Forcave të Armatosura është një komponent shumë i rëndësishëm, por reformat politike, ligjore dhe ekonomike kanë qenë në theks dhe në fokus të marrëdhënies sonë me aleancën në tre vitet e fundit. “Vlerësimi i aleancës si në përmbyllje të ciklit të tetë në maj të vitit që kaloi ashtu edhe në përmbyllje të ciklit të nëntë në janar të këtij viti gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha në krye të një delegacioni edhe me anëtarë të opozitës, kanë qenë vlerësime mjaft pozitive”, u shpreh Basha. Sipas tij, “përmbushja e kritereve politike, ligjore, vazhdimi me sukses i reformave të ndërmarra nga Shqipëria, të cilat vlerësohen edhe nga BE-ja si shembull frymëzimi për vendet e tjera të rajonit, po bëjnë bazën e vendimmarrjes politike në Bukuresht, vendimmarrje për të cilën kemi të gjithë arsyen të besojmë se do të jetë pozitive për Shqipërinë”. Në të njëjtën kohë, kreu i diplomacisë shqiptare i bëri thirrje klasës politike që marrëdhënia e vendosur me BE-në të trajtohet me rëndësinë e duhur, e cila, sipas tij, do të shpaloset edhe në javët dhe muajt e ardhshëm pas Samitit të Bukureshtit, ku marrëdhënia e vendit tonë me BE-në do të hyjë në një fazë të re dhe të intensifikuar bashkëpunimi. a.sh
Biberaj: Opozita të jetë pjesë e reformave
Deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, u shpreh dje se opozita duhet të vazhdojë të jetë pjesë e reformave, pasi sipas tij, sjellja konstruktive e saj gjatë këtij viti ka ndikuar për marrjen e ftesës në NATO. Duke folur në një prononcim për mediat deputeti demokrat u shpreh se, “Reformat nuk i shërbejnë vetëm një maxhorance dhe qeverisë, por i shërbejnë gjithë spektrit politik, ndaj mesazhi për opozitën është që të jetë pjesë e reformave, siç ka qenë realisht gjatë këtij viti, pasi sinjalet e bashkëpunimit që ka dhënë opozita kanë pasur patjetër impakt pozitiv, lidhur me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO”. Sipas tij, “marrja e ftesës për anëtarësim në NATO do të ketë obligime për Shqipërinë, e cila duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe bashkëpunimi me opozitën do të jetë një element i rëndësishëm në këtë drejtim”. “Ne duhet të vazhdojmë në rrugën e reformave për kodin elektoral dhe sistemin e drejtësisë, si dhe në reforma të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Biberaj.
Topi e Berisha,bashkë për në NATO
Dy ditë para nisjes së Samitit të Bukureshtit, i cili do të vendosë dhënien e ftesave për tre vendet e Kartës Adriatik 3, bëhet zyrtar edhe delegacioni që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë samit. Gjatë një konference për shtyp kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, ka bërë publik emrat e zyrtarëve të lartë të vendit të cilët do të udhëtojnë për në Rumani. “Delegacioni zyrtar që do të niset nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit, do të përbëhet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ambasadori i akredituar në Bruksel, ambasadori në Rumani, si dhe kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare”, u shpreh Basha.
Policia: Diveroli s’është në Shqipëri, zbulohen udhëtimet
Efraim Diveroli, i njohur si presidenti i kompanisë AEY, e cila dyshohet se është përfshirë në aferën e tregtisë së armëve, ka kryer tri hyrje-dalje në Shqipëri gjatë vitit 2007.
Aktualisht i dyshuari nuk rezulton të jetë në Shqipëri pavarësisht deklaratave të personave të tij të afërm. Ata kanë pretenduar se Diveroli mund të jetë aktualisht në Shqipëri, por një fakt i tillë nuk qëndron. Lajmi është konfirmuar për gazetën "Panorama", nga burime të besueshme të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, 22-vjeçari me banim në Florida, i cili ka blerë municione nga Shqipëria për t'i shitur në Afganistan, për llogari të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, ka pasur hyrje-dalje periodike në Shqipëri, por vetëm gjatë vitit 2007. Të gjitha këto lëvizje të tij, nga Florida në drejtim të Shqipërisë, janë kryer në një distancë kohore mesatarisht çdo tre ose 4 muaj. Mbërritjet e Diverolit në Shqipëri dhe anasjelltas largimet nga vendi janë kryer nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Në muajin maj të vitit të kaluar, Policia Kufitare e Rinasit, ka regjistruar për herë të dytë në hyrje, pasagjerin me emrin Efraim Diveroli me shtetësi amerikane. Ai kishte udhëtuar nga Florida dhe në Rinas ka zbritur me një avion të shoqërisë italiane të fluturimeve "Alitalia". Ai ka mbërritur në mesditë, për t'u nisur më pas drejt Tiranës, ku dyshohet se ka zhvilluar takime që lidhen me tregtinë e municioneve.
Misteri i Diverolit
Pas kësaj mbërritjeje në Shqipëri, Diveroli mësohet se ka qëndruar disa ditë dhe më pas është larguar në mëngjes, ndërsa ka lënë pistën e aeroportit të Rinasit, po me një avion të "Alitalia"-s. Gjatë këtyre qëndrimeve të tij, në Shqipëri, të cilat përgjithësisht kanë zgjatur mesatarisht nga katër ditë secila, Diveroli ka zhvilluar edhe takimet e tij, me personat dhe përfaqësues të kompanive me të cilët po kryente edhe biznesin e tregtisë së municioneve drejt Afganistanit. Nga regjistrimet e udhëtimeve të tij në aeroportin e Rinasit, në një rast është verifikuar një qëndrim shumë i shkurtër i bosit të kompanisë amerikane AEY, në Shqipëri. Partneri i Pinarit dhe i ndërmarrjes MEICO, ka qëndruar fare pak në Tiranë në një udhëtim që besohet se mund të ketë qenë i dyti i tij, në Shqipëri. Qëndrimi i shkurtër i Diverolit në Tiranë ka ndodhur në muajin gusht të vitit të kaluar. Ende nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i udhëtimit të tij dhe përse ka qëndruar një periudhë kaq të shkurtër bosi i AEY në Shqipëri, në verë të vitit të shkuar. Udhëtimi i fundit i Efraim Diverolit, në Shqipëri është regjistruar në muajin nëntor të vitit të kaluar. Në këtë kohë Diveroli ka qëndruar katër ditë duke vazhduar takimet me bashkëpunëtorët e tij. Sipas burimeve të policisë, shitësi i armëve shqiptare në Afganistan, është regjistruar në hyrje në Shqipëri, më 13 nëntor të vitit 2007. Ai ka hyrë në mesditë dhe është larguar me 17 nëntor më tepër se tri ditë, pasi kishte mbërritur. Ai ka kaluar kufirin në orën 03:00 të mëngjesit, duke u larguar me destinacion të parë Milanon si tranzit për të udhëtuar më pas për në SHBA.
Përgjimi provon praninë e Diverolit në Tiranë në 2007-ën
TIRANE - Një bisedë e përgjuar lidhur me tregtinë e municioneve që bliheshin nga MEICO, provon praninë e Efraim Diverolit në Tiranë në vitin 2007. Ai është regjistruar duke diskutuar me biznesmenin shqiptar Kosta Trebicka lidhur me blerjen e fishekëve nga ndërmarrja shtetërore MEICO. Diveroli kishte nënkontraktuar kompaninë "Xhoi" në pronësi të Trebickës, për të bërë paketimin në kuti kartoni të fishekëve që po blinte në Shqipëri për t'i dërguar më pas në Afganistan. Nga transkriptimi i bisedës së bërë publike pak ditë më parë, mësohet se Diveroli dhe Trebicka flasin mes tyre rreth hyrjes në lojë të një firme shqiptare, e cila po paketonte fishekët që shiteshin nga ndërmarrja MEICO. Kjo bisedë e përgjuar në rast se provohet vërtetësia e saj mund të konsiderohet si një provë se Efraim Diveroli ka qenë në Shqipëri gjatë vitit 2007 dhe ka kryer takime dhe biseda që lidhen me blerjen e fishekëve nga ndërmarrja shtetërore shqiptare MEICO për llogari të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Në kuadër të hetimeve të filluara në SHBA lidhur me aktivitetin e firmës AEY dhe mënyrës se si ajo ka zbatuar objektin e tenderit të dhënë nga Departamenti i Mbrojtjes mësohet se para autoriteteve amerikane ka dhënë deklarime edhe biznesmeni shqiptar Kosta Trebicka, i cili ishte nënkontraktuar nga Diveroli për paketimin e fishekëve të destinuar për në Afganistan.
Të afërmit: Diveroli mund të jetë në Shqipëri për biznes
TIRANE - Institucionet e specializuara shtetërore filluan verifikimet për lëvizjet e Efraim Diverolit në Shqipëri, pasi në SHBA filloi një hetim nga FBI-ja rreth mundësisë që presidenti i kompanisë AEY të ketë abuzuar me një tender që i është dhënë nga Departamenti i Mbrojtjes për blerje municionesh. Diveroli dhe disa zyrtarë të tjerë pritet të dëshmojnë për atë që ka ndodhur pasi kompania AEY kishte marrë të drejtën për të blerë municione, duke deklaruar se do t'i merrte ato në Holandë, kur në fakt fishekët e blerë shkonin nga Shqipëria në Afganistan dhe i përkisnin prodhimit kinez. Mediat amerikane shkuan në vendbanimin e Efraim Diverolit duke kërkuar reagimin e tij mbi një artikull të bërë publik nga gazeta prestigjioze "New York Times", por të afërmit thanë se, Diveroli mund të ishte në Shqipëri. Pas këtij fakti mësohet se autoritetet shqiptare kanë bërë verifikimet e tyre dhe kanë arritur në përfundimin se ish-presidenti i kompanisë në hetim federal në SHBA, aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri. Nuk është e qartë nëse policia dhe strukturat e tjera të sigurisë kanë lajmëruar palën amerikane për konstatimin se Diveroli nuk ndodhet në Shqipëri. Verifikimet janë bërë pas dyshimeve se Diveroli mund të jetë duke kryer ndonjë aktivitet të parregullt. Gjithsesi një fakt i tillë është konfirmuar për gazetën "Panorama" nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. Ata thanë se, hyrje-daljet e Diverolit janë të gjitha të dokumentuara pasi ai i është nënshtruar të gjitha procedurave të kontrollit dhe monitorimit si çdo udhëtar i zakonshëm i linjave të transportit ndërkombëtar, me pikënisje apo mbërritje Tiranën. Mediat amerikane kanë kontaktuar në telefon me Diverolin, i cili nuk dha komente jo vetëm për vendndodhjen e tij, por as lidhur me faktet e bëra publike nga "NY Times" për abuzimet e AEY me tenderin e blerjes së municioneve luftarake që shkonin për të furnizuar ushtrinë afgane. Nëse vërtetohet se Diveroli ka blerë fishekë të prodhimit kinez në Shqipëri në emër të Departamentit të Shtetit, atëherë në SHBA pritet të merren masa pasi atje është e ndaluar të blihen apo të kryhen veprime të tjera me municione apo armatime që i përkasin prodhimit kinez. t.s
Delijorgji-firma SAC, misteri i kontratave
TIRANE - Në të gjitha dokumentet zyrtare që bëjnë fjalë për dorëzimin e municioneve nga ndërmarrja MEICO, firma e kontraktuar për demontimin e tyre rezulton të jetë kompania amerikane SAC. Mirëpo kjo e fundit pasi kishte nënshkruar kontratën me ndërmarrjen MEICO, është fakt se ka nënkontraktuar firmën shqiptare të Mihal Delijorgjit për të realizuar demontimin e predhave në Gërdec të Vorës. Në pamje të parë duket sikur ndërmarrja MEICO nuk ka asnjë lidhje me firmën "Alba Demil" në pronësi të Delijorgjit dhe në fakt në dokumentet zyrtare ky pretendim pasqyrohet në mënyrë të qartë. Në asnjë dokument nuk është e shkruar që MEICO do t'i dorëzojë firmës "Alba Demil" municione apo predha ndërsa. Por në të vërtetë, ajo që nuk duket në dokumente, ka ndodhur. Mjetet e ushtrisë shqiptare që transportonin municionet dhe predhat në fabrikën e Gërdecit në emër të ndërmarrjes shtetërore MEICO, dorëzonin materialet luftarake në oborrin e fabrikës në pronësi të Mihal Delijorgjit. Ky i fundit në një deklarim publik pak ditë më parë është shprehur se ishte nënkontraktuar nga kompania amerikane SAC vetëm për çmontimin dhe nuk kishte dijeni për të dhëna të tjera. Sipas të dhënave të zbuluara nga hetimet e Prokurorisë, ndërmarrja MEICO dhe drejtuesi i saj Ylli Pinari në momentin që kanë nënshkruar kontratën me kompaninë amerikane SAC kishin paracaktuar se firma që do të kryente demontimin ishte subjekti në pronësi të Mihal Delijorgjit, "Alba Demil". Prokurorët po verifikojnë veprime të ndërmarrjes MEICO, të cilat përbëjnë ndërhyrje që në procesin e demontimit të predhave e municioneve të angazhohej kompania e Delijorgjit.
Patrick Henry: Delijorgjin ma detyroi Pinari si partner
Për herë të parë, Patrick Henry, presidenti i "Southern Ammunition", tregon lidhjet e tij me Delijorgjin, Pinarin dhe shpërthimin e Gërdecit.
Bëhet fjalë për presidentin e kompanisë amerikane që kishte kontraktuar ALB DEMIL, për të çmontuar fishekët dhe predhat. Ai sërish mohon të ketë pasur punë në Shqipëri që pas dhjetorit të vitit të kaluar, megjithëse pranon të ketë qenë në Tiranë vetëm një javë para shpërthimit. Nga ana tjetër, Henry zbulon lidhjet e tij me kompaninë tjetër amerikane, AEY, e cila po hetohet për trafikun e fishekëve nga Shqipëria në Afganistan. A ka pasur trafik fishekësh nga Gërdeci drejt AEY dhe pse në të dy rastet kontraktuesit e amerikanëve në Shqipëri, ishte Delijorgji. Përplasja mes dy kompanive amerikane për tenderët e fishekëve në Departamentin e Mbrojtjes në SHBA, dhe kontrolli i FBI. "Me Delijorgjin më lidhi Pinari, më tha se ishte më i miri për këtë punë". Gazeta boton të plotë shkrimin e djeshëm të "The Sun News". Gazetari David Wren, ka arritur të komunikojë me Patrick Henry.
Bizneset e armëve tërhoqën vëmendjen pas shpërthimit në Shqipëri
"The Sun News"
Koincidencat dhe një sërë ngjarjesh të pazakonta e kanë shtyrë një biznes të një qyteti të vogël, perëndimor, Horry County në një hetim ndërkombëtar për korrupsion të mundshëm politik dhe shitje ilegale armësh në Shqipëri. Nuk ka asnjë tregues se "Southern Ammunition Co.", e cila ka vepruar nga një ndërtesë e pa përshkruar në Loris, ka bërë ndonjë gjë ilegale. Por një hetim i FBI-së në një seri shpërthimesh vdekjeprurëse këtë muaj në një depo municionesh në Shqipëri ka hedhur dritë mbi një rrjet të errët biznesi privat që blen, shet dhe çmonton fishekë të vjetër të armëve te kombet ish-komuniste. "Southern Ammunition" është një nga këto kompani. Ajo ka funksionuar prej mëse një dekade, në një zonë prej rreth 19-akre në U.S. 701, por duket se i ka kaluar radarët e shumë banorëve të Horry County. "Southern Ammunition" shesin disa lloje municionesh komerciale, teprica ushtarake dhe disa të ndaluara, sipas adresës në web, e cila gjithashtu parashikon statusin e kompanisë si Fushë e Huaj Tregtare. Ky status i lejon tregtarëve të armëve të importojnë armë të prodhuara në vende të huaja në Loris, ku armët mund të modifikohen dhe rishiten në Shtetet e Bashkuara.
"Southern Ammunition" ka çmontuar gjithashtu municion të kalibrit të vogël për vende të huaja, duke përfituar nga puna e kontraktuar dhe metali skrap shtypet.
Ishte puna e "Southern Ammunition" në Shqipëri, një vend në Evropën Juglindore, që tërhoqi vëmendjen e FBI-së. Patrick Henry, presidenti i Southern Ammunition, tha se është kontaktuar nga hetuesit federalë javën e kaluar, por vetëm për dokumentacionin e hetimit më të madh të FBI-së në shpërthimet shqiptare. "Ne nuk ishim të përfshirë në asgjë atje në kohën e shpërthimit", tha Henry për "The Sun News" duke shtuar se "Ne përfunduam punën më 8 dhjetor dhe të gjithë pjesëtarët e skuadrës sonë u kthyen në shtëpi përpara Krishtlindjeve".
"Southern Ammunition" ka një kontratë qeveritare për të çmontuar municion të kalibrit të vogël nga depot të cilat, kanë rezerva të mëdha të viteve 1950, epokën e artilerisë ruse dhe kineze.
"Southern Ammunition" ka pajisur me mjete dhe mbikëqyrës, por ia ka nënkontraktuar pjesën më të madhe të punës një kompanie shqiptare të quajtur "Alb Demil", e cila drejtohet nga Mihal Delijorgji.
Shpërthimet e 15 marsit kanë zgjatur për orë të tëra, duke marrë jetën e 23 njerëzve, plagosjen e 300 të tjerëve dhe shkatërrimin e më shumë se 400 shtëpive në fshatin Gërdec, pranë kryeqytetit Tirana. Këto shpërthime kanë hedhur dritë mbi mundësinë e korrupsionit që ka përfshirë Delijorgjin, i cili raportohet se ka lidhje me mafien. Delijorgji u arrestua pas shpërthimit dhe tani ndodhet në burgjet shqiptare. Delijorgji akuzohet se shet municione nga depot shqiptare në AEY me bazë në Majami, e cila ka pasur një kontratë qeveritare për të dërguar armë në Afganistan për forcat e sigurisë që luftonin kundër Talebanëve dhe Al-Kaedës.
Pentagoni e ka ndërprerë kontratën e tij me AEY, sipas "The New York Times", sepse municioni në Shqipëri ishte në gjendje aq të mjerueshme sa ushtria afgane mund të përdorte vetëm një pjesë të vogël të tij. Gjithashtu, një pjesë e municionit konsiderohet ilegale për kompaninë amerikane pasi është fabrikuar në Kinën komuniste. AEY, e cila nuk ka njohje me "Southern Ammunition", mohon çdo gabim. Henry tha se nuk beson që asnjë pjesë e municionit të kalibrit të vogël të kompanisë së tij është çmontuar për të shkuar nga Delijorgji dhe AEY në ushtrinë afgane. "Por tashmë asgjë nuk do të më habiste", tha ai. "Southern Ammunition" ka bërë para në Shqipëri duke marrë fishekët bosh të tunxhit dhe duke i shitur ato për metal skrapi.
Henry tha se e konsideron të tepërt që kompania e Delijorgjit ka dorëzuar vetëm gjysmën e tunxhit të fishekëve që "Southern Ammunition" duhej të merrte. "Gjithçka që ata mendonin se ishte tunxh doli se ishte çelik i larë me tunxh", tha Henry. "Të paktën ky ishte shpjegimi që morëm ne", shtoi ai. Henry tha se kishte rënë dakord që të nënkontraktonte Delijorgjin me insistimin e Ylli Pinarit, drejtorit të "Meico", e cila është Agjencia e Eksportit të Armëve të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes. "Pinari më tha se Delijorgji kishte çmilitarizuar 800 tanke dhe do të ishte një zgjedhje e mirë pasi ai kishte bërë shumë punë të tjera në këtë fushë më parë", tregon Henry. Pinari është futur në burg këtë muaj i akuzuar për inskenim bashkë me Delijorgjin për të shitur municion nga depot shqiptare për AEY.
Henry tha se e dinte për AEY sepse "Southern Ammunition" kishte konkurruar pa sukses kundër kompanisë nga Majami në fillim të vitit 2007 për kontratën e furnizimit të trupave afgane me municion. Henri tha se nuk e kishe idenë nëse AEY kishte ndonjë lidhje me Delijorgjin derisa një miku i tij i kishte treguar për raportin e "The New York Times", të enjten. Henry tha se hera e fundit që i kishte vizituar depot shqiptare ishte një javë para shpërthimit. "Ne i kishim ende pajisjet tona aty, dhe po përpiqeshim të merrnim ato dhe një pjesë të materialit tonë përsëri në SHBA", tha ai duke sqaruar se "Nuk isha aty kur ndodhi shpërthimi. Isha në Gjermani". Shqipëria duhet të çmontojë municionin e saj të vjetër përpara se të hyjë në NATO, një hap që shpreson ta hedhë muajin e ardhshëm. Ka pasur raporte në agjencitë e lajmeve se "Alb Demil" ka përdorur personel të pa trajnuar, përfshirë gra dhe fëmijë, për të çmontuar municionin në Gërdec. Henry tha se ai nuk është në dijeni se ndonjë person i pa trajnuar po punonte për kontratën e "Southern Ammunition". "Alb Demil", ka gjithashtu një kontratë tjetër të palidhur me këtë të parën për çmilitarizimin e municionit të kalibrit të madh në depo. Një punë e tillë kushton miliona dollarë, si në tregun e ligjshëm dhe atë të zi në ish-vendet komuniste të etura për t'u çliruar nga municioni i rrezikshëm dhe i prishur i armatimeve sovjetike. Dhe pjesa më e madhe e kësaj pune, përfshirë "Southern Ammunition", është i pa vënë re nga publiku i gjerë. Megjithatë gjithçka ndryshoi pas shpërthimit në Shqipëri. "Për një farë kohe, telefoni binte pa pushim", tha Henry duke iu referuar fluksit të kërkesave për intervista që stafi i tij kishte marrë këtë muaj. "CNN dhe gjithë të tjerët dëshironin të flisnin me ne".
Gërdec, 6 dëshmitarët që mbajnë në burg “fajtorët”
Gjashtë dëshmitarë të ngjarjes së ndodhur në Gërdec kanë "kryqëzuar" të arrestuarit e parë për tragjedinë, Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, Mihal Delijogji, pronar i firmës "Alb Demil" dhe Dritan Minxolli, drejtues teknik i fabrikës së demontimit.
Trazhgim Sokolaj
Rrëfimet e gjashtë dëshmitarëve janë renditur mes provave më të forta të Prokurorisë së Tiranës jo vetëm për ndalimin e tre të akuzuarve për tragjedinë, por edhe për mbajtjen e tyre në burg deri në përfundim të hetimeve. Faktet që tregojnë gjashtë dëshmitarët kanë mbështetur akuzën e vetme të ngritur deri më tani nga Prokuroria ndaj tre të arrestuarve për "shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët luftarake dhe radioaktive". I pari në listën e dëshmitarëve që ka rrëfyer për hetuesit të dhëna me efektin e provës, është ushtaraku në lirim Petrit Behari. Specialisti i xhenios ishte një nga 120 punëtorët që ditën e katastrofës ndodhej në fabrikën e vdekjes ku si pasojë e shpërthimeve ka marrë një plagë në shpatull. Ai është marrë në pyetje prej hetuesve menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në Gërdec kur ndodhej në spital, duke marrë mjekime mes viktimave të tragjedisë. Në datat 15 dhe 16 mars, Petrit Behari ka treguar për hetuesit se në fabrikën e Gërdecit punohej jashtë të gjitha kushteve të sigurisë. "Predhat hidheshin e përplaseshin në tokë pa kujdes gjatë punës për çmontimin e tyre", është shprehur para hetuesve specialisti i xhenios. Ushtaraku në lirim është nga ata dëshmitarë të Prokurorisë që ka dhënë edhe versionin më të besueshëm dhe të argumentuar rreth momentit që shkaktoi katastrofën. Sipas Petrit Beharit, një prej karrocave që përdorej për transportimin e barutit nga brenda fabrikës sapo ishte salduar dhe ishte e nxehtë kur mbi të është hedhur barut i cili menjëherë ka marrë flakë. Kjo më pas ka aktivizuar shpërthimet pasi baruti ishte shumë pranë dhe i hedhur në grumbuj përtokë, ndërsa më tutje ishin predhat që janë aktivizuar prej zjarrit gjithashtu. Një tjetër dëshmitar në dosjen e Prokurorisë është Sadik Sulaj, 51 vjeç, i pyetur në Vorë ditën e tragjedisë më 15 mars 2008. Nëse nuk do të dëshmonte atë ditë, edhe pse në gjendje të rëndë nga dëmtimet që kishte marrë, ndoshta dëshmia e tij nuk do të hynte kurrë në dosjen "Gërdeci". Tri ditë pas ngjarjes, Sadik Sulaj, ish-punëtor i fabrikës së demontimit, u rendit mes viktimave të tragjedisë pasi vdiq nga plagët e shumta që kishte marrë prej shpërthimit. Ermira Berisha, e cila punonte në fabrikën e firmës "Alb Demil", në momentin kur ndodhi shpërthimi ka dhënë deklarime për hetuesit e çështjes më 16 mars në Spitalin Qendror Universitar, ku kishte mbërritur për mjekim si pasojë e plagëve dhe djegieve të shumta që kishte marrë. Gruaja 36-vjeçare ka qenë në depon e çmontimit brenda fabrikës në momentin kur ka ndodhur shpërthimi. Në rrëfimet e saj për hetuesit ajo ka pranuar se në fabrikë punonin njerëz të pa trajnuar, se aty mungonin kushtet e sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri dhe se ka qenë zjarri ai që ka shkaktuar aktivizimin e shpërthimit masiv të municioneve që ndodheshin në Gërdec. Luiza Zeneli, 38 vjeçe është një tjetër dëshmitare e Prokurorisë së Tiranës, ish-punëtore e fabrikës që ka treguar rrethana të tragjedisë së ndodhur në fshatin Gërdec ndërsa ishte e plagosur dhe duke marrë mjekime në spital më 16 mars 2008, kur është marrë në pyetje nga grupi i hetimit. Edhe dëshmia e saj është cilësuar provë materiale nga Prokuroria në dosjen penale që fajëson tre të arrestuarit e dyshuar si "fajtorë" për tragjedinë.
Tre të arrestuarit apelojnë masën
Avokatët përfaqësues të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe Dritan Minxollit të arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, kanë ankimuar në Gjykatën e Apelit, vendimin e Faktit të Tiranës për mbajtjen në burg të tre personave të arrestuar deri në përfundim të hetimit. Të dyshuarit kërkojnë në Apel një masë sigurie më të lehtë sesa "arresti me burg" që vendosi Gjykata e Faktit me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës.
Dëshmitari që vdiq 2 ditë pasi tregoi ngjarjen për hetuesit
TIRANE - Sadik Sulaj, 51 vjeç është renditur në listën e viktimave të tragjedisë së Gërdecit vetëm dy ditë pas ngjarjes. Ai kishte marrë dëmtime serioze nga shpërthimi në fabrikën e Gërdecit ndërsa ka dëshmuar për oficerët e Policisë Gjyqësore gjatë një ndalese në Vorë. Sulaj bashkë me të plagosur të tjerë ishte evakuuar nga zona e rrezikut rreth orës 15:00 të 15 marsit ndërsa në Vorë priste mbërritjen e ambulancës që bashkë me të dëmtuar të tjerë do ta transportonte për në spitalet e kryeqytetit për ndihmën e parë. Në këtë kohë hetuesit kanë marrë deklarime prej këtij dëshmitari i cili për shkak të dëmtimeve të shumta fizike që kishte marrë nuk mundi të mbijetonte dhe humbi jetën në spital. Sipas të dhënave zy