E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifat e ujit, qeveria i heq të drejtën pushtetit lokal

• Tarifat e ujit tani do të përcaktohen vetëm nga Enti Rregullator i Ujit, duke ja hequr kështu këtë të drejtë pushtetit lokal.

Sipas ndryshimeve të bëra në ligjin “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimin e përpunimin e ujërave të ndotura”, Enti ka të drejtë të gjobisë të gjithë ato subjekte që nuk u binden rregullave. Për subjektet që nuk paguajnë në kohë detyrimet e tyre financiare ndaj Entit vlera e gjobës do të arrijë deri në 100 mijë lekë. Ndërsa për sa i përket tarifave, subjektet që nuk zbatojnë vendimet e Entit Rregullator të Ujit vlera e gjobës do të jetë sërish 100 mijë lekë. Sipas ndryshimeve të bëra në ligj, subjektet që nuk zbatojnë kushtet e vëna në licencë do të gjobiten me 50 mijë lekë.
Vendimmarrja
Ndryshimet e bëra në 2005 në ligjin “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimin e përpunimin e ujërave të ndotura”, në vend që ta përmirësonin atë krijuan shumë konflikte brenda vetë ligjit, duke ndërhyrë dhe prekur kompetencën kryesore të ERRU-së, atë të vendosjes së tarifave të ujit për konsum publik. Kështu sipas ndryshimeve të bëra në atë kohë, thuhet se ky ligj përbën autoritetin e vetëm në bazë të të cilit do të përcaktohen tarifat dhe çmimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe po në këtë ligj, në një pikë tjetër të tij thuhej se njësitë e qeverisjes vendosin çmimet apo tarifat në bazë të metodologjisë së përllogaritjes së tarifave të miratuara nga ERRU. Miratimi i këtyre ndryshimeve në vitin 2005 u argumentua me procesin e decentralizimit të shërbimit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Por në të vërtetë ky proces nuk kishte fare lidhje me miratimin e tarifave, por vetëm me kalimin e pronësisë të sistemeve të ujësjellësve, pra nga pushteti qendror që në këtë rast ishte Ministria e Ekonomisë në pushtetin vendor, tek njësitë përkatëse të qeverisjes vendore. Decentralizimi kishte të bënte me ndryshim të autorësisë të së drejtës së pronësisë. Nga ana tjetër edhe sektori i ujësjellës-kanalizimeve është shumë i rëndësishëm për popullsinë dhe për rrjedhojë personat që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë duhet të jenë shumë të kualifikuar. Këta persona duhet të licencohen nga ERRU në bazë të kritereve të përcaktuara në akte nënligjore. Por edhe në rastin kur njësitë e qeverisjes vendore kanë në pronësi ujësjellësin, të gjithë subjektet duhet të pajisen pranë ERRU-së me licencë për ushtrimin e aktivitetit të grumbullimit të shpërndarjes dhe trajtimit të ujit për konsum publik.

100 mijë
lekë është vlera e gjobës për subjektet që nuk paguajnë brenda afatit të caktuar detyrimet e tyre financiare pranë Entit Rregullator të Ujit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›