Prefekti Deliallisi: Do ndëshkohen drejtorët e korruptuar
Sipas tij, ka pasur shumë letra nga ana e qytetarëve, të cilët janë ankuar për rastet e korrupsionit
ELBASAN Gjatë një takimi me përfaqësues të drejtorive dhe institucioneve të ndryshme në shkallë qarku, prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi ka tërhequr vëmendjen për rastet e abuzimeve me detyrën dhe korrupsionin që është evidentuar në disa nga këto drejtori. Deliallisi ka deklaruar se “mjaft qytetarë i janë ankuar me letra e mënyra të ndryshme Kryeministrit, por edhe institucionit të Prefektit, lidhur me fenomene korruptive nga drejtues të veçantë që gjatë ushtrimit të detyrës shkelin ligjin. Kjo është e patolerueshme e do të merren masa të menjëhershme në rast se vërtetohen. Një ndër pikat e nxehta ka qenë edhe mënyra e punësimit, ku janë konstatuar disa raste në kundërshtim me normat dhe rregullat”. Prefekti Elbasanit kujtoi se për këto raste po merren organet e specializuara. “Për rastet në fjalë po merren struktura të specializuara, siç janë zyra e krimit ekonomik e financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Por edhe organet e drejtësisë. Unë ju ftoj që në punën tuaj t’i përmbaheni vetëm ligjit, në mënyrë që të parandalohet korrupsioni që është bashkudhëtar në këtë sistem ekonomik”. Prefekti i Elbasanit u ndal në disa nga problemet më të mprehta që shqetësojnë aktualisht Elbasanin, siç janë ndotja e mjedisit dhe fusha e plehrave, aksidentet, ALUIZNI dhe zjarret.
Fatos Salliu