Vetëm mirëmbajtësit fillojnë punën në minierën e Bulqizës
BULQIZË Vetëm punëtorët e mirëmbajtës kanë filluar punën në minierën e kromit të Bulqizës, ndërkohë që minatorët e prodhimit do ta fillojnë punën ndoshta ditën e enjte. ACR dhe komisioni i grevës deklaruan fundjavën e kaluar se dje do të niste puna në të gjithë sektorët e prodhimit. Por administrata e minierës ka vendosur që fillimisht të kontrollohen me imtësi të gjitha frontet e punës, për të siguruar jetën e minatorëve. Burime pranë këshillit sindikal të minatorëve thanë se ACR-ja ka porositur që fillimisht të punojnë mirëmbajtësit e galerive, duke përforcuar shinat, larguar ujërat e tepërta nga galeritë dhe duke vendosur armaturat mbrojtëse në galeritë e rrezikshme. Pas punës së mirëmbajtësve, drejtoria e minierës do të ftojë specialistët e avari-shpëtimit pranë Ministrisë së Ekonomisë. Vetëm këta të fundit do të japin garanci për rifillimin e punës në minierë, ndryshe puna e mirëmbajtësve do të zgjasë disa ditë. Janë të paktën 100 mirëmbajtës që kanë marrë përsipër të përmirësojnë kushtet e minatorëve dhe të sigurojnë jetën e tyre, ndërkaq 600 minatorët e tjerë, ndoshta brenda pak ditëve do të nisin punën normalisht në galeritë e nëntokës. P. HASA