PS: Po thellohet varfëria në vend
Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin në lidhje me thellimin e deficitit tregtar në vendin tonë. Nënsekretari për Programin në PS, Ervin Bushati, tha se thellimi i raportit midis importeve dhe eksporteve ka bërë që në Shqipëri varfëria të pësojë rritje. “Partia Socialiste shpreh shqetësimin për një raport të paimagjinueshëm për një vend europian mes importeve dhe eksporteve të produkteve ushqimore, 10 me 1, që do të thotë se në 2008 importet ushqimore ishin 10 herë më të larta së eksportet tona me botën”, - tha Bushati. Ai deklaroi se qeveria nuk mund të mburret me rritjen ekonomike, përderisa varfëria në Shqipëri është ulur këmbëkryq, ndërkohë që deklaroi se Partia Socialiste synon që të nisë luftën kundër varfërisë me anë të programit të saj për bujqësinë. “Askush nga qeveria nuk mund të flasë sot për politika mbrojtëse në raport me tryezat e bukës së shqiptarëve, as për rritje të paparë ekonomike: në një kohë kur s’kemi mundësi që të konsumojmë atë që prodhojnë bujqit e fermerët e vendit, dhe kur jemi thellësisht të varur nga ajo çka prodhojnë bujqit e fermerët jashtë kufijve të vendit. Partia Socialiste, me programin e saj të ri për bujqësinë, pas 133 ditësh do të nisë luftën reale me varfërinë ne Shqipëri”, - tha Bushati.
Ndahet nga jeta ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Vladimir Prela
Ndahet nga jeta ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Vladimir Prela. Prela humbi jetën dje paradite në shtëpinë e tij në Tiranë, pas një ataku kardiak. Prela njihet si një diplomat me karrierë, gazetar dhe analist i njohur në shtypin e shkruar. Ambasadori Prela është vlerësuar për angazhimin e tij si ambasadori ynë në Maqedoni për thellimin e bashkëpunimin dypalësh. Gazeta “Albania” u shpreh familjarëve, të afërmeve dhe miqve të tij ngushëllimet më të thella për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur.
16 Shkurt 2009