E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti: Ndalni largimet pa kriter, do të paguani dëmshpërblim

07/10/2011  Drejtuesit vendorë “fshesë” punonjësve pas zgjedhjeve. Sinjalizime për nepotizëm

ELBASAN- Në shumë komuna e bashki ka filluar largimi në masë i punonjësve të administratës, por edhe në gjendjet civile duke mos respektuar procedurat përkatëse. Në një takim me kryetarët e komunave në Prefekturë, prefekti Shefqet Deliallisi ka paralajmëruar disa drejtues në Librazhd, Gramsh e Peqin, që të ndalojnë ndryshimet pa kriter në administratë të nisura pas zgjedhjeve. Deliallisi u shpreh se ka sinjalizime se spastrimet po shoqërohen me punësim të rrethit familjar, të shokëve dhe miqve dhe me preferencë politike.

Nepotizmi

Ai ka kërkuar t’i jepet fund nepotizmin duke i kujtuar kryetarëve të njësive vendore se ka një kod të nëpunësit civil që ndalon largimet të pajustifikueshme nga puna. “Duhet të tregoheni të kujdesshëm për lëvizjet nga puna duke respektuar profesionalizimin dhe duke mënjanuar rekrutimet nepotike. Nëpunësit e larguar kanë të drejtën e çeljes së proceseve gjyqësore dhe vendimet e gjykatësve detyrojnë njësitë vendore që të paguajnë shpenzimet në rast të humbjes së këtyre proceseve gjyqësore me nëpunësit. Funksionojnë dy ligje në këtë drejtim dhe gjykata do të vendosë pro të larguarve duke vendosur edhe vlerën e zhdëmtimit. Kjo rëndon në arkën e komunës, por edhe në dëm të vetë komunitetit”, tha Deliallisi. Prefekti ka paralajmëruar vendorët që të mos vënë dorë edhe në buxhet pasi ka sinjalizime se mjaft kryetarë komunash po ndryshojnë strukturën e buxheteve të mëparshme. Ai gjithashtu u ndal edhe në një pikë tjetër lidhur me largimet nga puna. “Punonjësit e zyrave të gjendjeve civile janë të trajnuar e nuk mund të ndryshohen pa arsye. Ata që i zëvendësojnë duhet të plotësojnë kriteret e vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjeve Civile. Prefekti kërkoi vendorëve të mos i bëjnë presion këtyre punonjësve, pasi pasojat do të bien në punën e tyre. Për shkak të mungesës së eksperiencës, prefekti u kërkoi kryetarëve të rinj të kenë parasysh se ka një ekip kontrolli siç është Auditi dhe në rast të parregullsive komunat do të detyrohen të paguajnë dëm ekonomik dhe kjo do të rëndojë sërish në arkën e komunave dhe do të përkthehet në më pak shërbime për komunitetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›