E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për Licensën e dyte 3 G fitohet nga AMC

TIRANE-Licensa e dytë 3 G në Shqipëri fitohet nga kompania celulare AMC. Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare, (AKEP) bëri të ditur se Kompania Celulare AMC fitoi garën për licensën e dytë 3G pasi ofroi shumën më të lartë. Tenderi u zhvillua në ambjentet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare.
AKEP konfirmoi se pjesëmarrëse në tender kanë qenë kompanitë AMC dhe Eagle Mobile, ndërkohë që operatori i katërt i telefonisë së lëvizshme Plus nuk ka marrë pjesë në garë.

Kompania AMC në këtë garë ofroi 15.1 milionë euro për licencën e dyt 3G, ndërsa Eagle Mobile ka bërë një ofertë prej 12.9 milion euro. Pas hapjes së ofertave, AKEP bëri dhe klasifikimin, duke shpallur fituese, AMC.

Gara për licencën e dytë 3G u çel në qershor të këtij viti. Çmimi dysheme i kësaj gare ishtë 12.5 milionë Euro dhe kushtet ligjore e teknike ishin po ato të garës për licencën e parë 3G, që u hap në vjeshtë të vitit të kaluar, dhe u fitua nga kompania Vodafone Albania me ofertën 31.4 milionë Euro.

Përdorimi i teknologjive të brezit të tretë të njohura si 3G apo Third Generation nga kompanitë celulare sjell një kapacitet shumë më të lartë në transmetimin e të dhënave në telefonat e pajisjet celulare dhe rrit shumë herë shpejtësinë e internetit në këto aparate.

AMC, Blatsios: Kemi nisur nga puna për 3G
Kompania celulare AMC, pasi u shpall ofertuesja më e lartë dhe plotësoi çdo kriter teknik të tenderit, iu dha e drejta të zbatojë teknologjinë 3G në Shqipëri.

Drejtori Ekzekutiv i AMC, zoti Dimitris Blatsios, tha sot se marrja e 3 G rrit përgjegjësinë për Kompaninë pasi e vendos në pozitat e operatorit celular që thyen monopolin në këtë treg.
Blatsios theksoi se tashmë ka nisur puna në disa qytete për të sjellë 3G tek klientët.
“Me marrjen e licencës për t’u ofruar teknologjinë 3G abonentëve tanë, vërtetuam sërish se novacioni është elementi thelbësor i rritjes tonë. AMC ka hedhur shumë hapa nga fillimet e saj, kur ishim krenarë që sollëm të parët në treg përfitimet e komunikimit celular. Sot kemi mundësinë ta çojmë komunikimin drejt të ardhmes, ku njerëzit flasin, dërgojnë mesazhe, lundrojnë në internet, ndërveprojnë dhe ndajnë botën e tyre në kohë reale. Marrja e licencës së dytë 3G ka edhe përgjegjësi, pasi na vendos në pozitat e operatorit që thyen monopolin, i cili vonoi përparimin e bandës së gjerë ëireless në Shqipëri. Kemi filluar punë për të sjellë 3G në të gjitha qytetet e mëdha deri në fund të vitit dhe të vazhdojmë shtrirjen e mëtejshme në vitin 2012, në mënyrë që kushdo të përfitojë nga kjo teknologji. Përqendrimi ynë i vazhdueshëm tek vlerat tona thelbësore na jep energjinë dhe angazhimin e nevojshëm për të ecur para.”

Teknologjia e re e bandës së gjerë do të ofrojë internet dhe komunikim multimedia në celular të shpejtë e të besueshëm. Nga produktet dhe shërbimet e sofistikuara të 3G përfitojnë plotësisht përdoruesit e smartphones, ndaj kjo teknologji do të ketë efektin më të madh në rastin e iPhone të Apple.
AMC jo vetëm solli zyrtarisht iPhone në Shqipëri, por tani do të ofrojë edhe infrastrukturën e përparuar, në mënyrë që përdoruesit t’i shfrytëzojnë sa më mirë funksionet e tij moderne.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›