E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalimi i kancerit të gjirit: Bëj kontroll, Shpëto jetë

TIRANE- “Bëj kontroll, shpëto jetën dhe familjen'. Nën këtë slogan ka nisur sot ecja ndërgjegjësuese e qindra qytetareve të kryeqytetit në aktivitetin e organizuar nga kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, , kushtuar parandalimit të kancerit të gjirit.

Marshimi nisi nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe vijoi përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" për t’u ndalur përpara ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit.

Zonja Topalli lëshoi apelin për të kryer ekzaminimet, si një mundësi shumë e mirë për të fituar betejën me këtë sëmundje të rëndë.

"Sot, të gjitha bashkë jemi këtu me krenari, për të gjitha ato gra që kanë fituar betejën kundër kancerit dhe janë këtu të pranishme dhe do të kërkoja një duartrokitje për secilën prej tyre, për besimin, kurajon, kauzën e jetës. Jeta është gjëja më e rëndësishme dhe kauza e jetës është kauza më e shenjtë," tha Topalli.

Ftesës së kryeparlamentares Topalli iu përgjigjën edhe përfaqësuese të trupit diplomatik në Tiranë, gra deputete, si dhe dhjetëra gra të shquara nga fusha të ndryshme shoqërore. Të pranishëm në aktivitetin e organizuar kundër kancerit të gjirit, ishin dhe mjekë të njohur në fushën e onkologjisë.

Doktor Shahin Kadare, pasi bërë një shpjegim të shkurtër profesional të rëndësisë së diagnostikimit të hershëm të sëmundjes, nënvizoi se në shumë raste gratë kanë mundur të fitojnë betejën ndaj kancerit të gjirit.

"Ekzaminimet e rregullta periodike të gjirit nëpërmjet mamografisë, ekzaminimet klinike te mjeku senolog dhe ekzaminimet që mund të bëjë vetë gruaja janë shumë të rëndësishme, sepse bëjnë të mundur që një numër i madh rastesh të kancerit të gjirit të mjekohen me sukses të plotë," tha dr.Kadare.
.
Si doktoreshë dhe grua, znj. Liri Berisha nënvizoi se ndërgjegjësimi dhe kultura shëndetësore janë dy armë të rëndësishme në luftën kundër kancerit të gjirit.
"Është shumë më e lehtë dhe më pa dhimbje të parandalosh sesa të kurosh. Ndoshta ka ardhur koha që kontrolli i kancerit të gjirit të futet në depistimet e detyrueshme, sepse mendoj se gra të shëndetshme do të sjellin breza të shëndetshëm," tha znj.Berisha.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›