Prefekti Pajuni biseda në shkollat e mesme për uljen e përdoruesve të drogave
DURRËS - Prefekti i qarkut të Durrësit, Klodjan Pajuni, kërkoi dje fillimin e një fushate bisedash në shkollat e mesme, përmes të cilave specialistë të sektorit të Antidrogës, mjekë dhe prokurorë të informojnë të rinjtë lidhur me rreziqet e përdorimit të lëndëve narkotike, si dhe mbi legjislacionin përkatës të kësaj fushe. Gjatë një takimi të organizuar në mjediset e Prefekturës së Durrësit u bë e ditur se parandalimi i kultivimit të lëndëve narkotike dhe përdorimi i tyre nga të rinjtë është vënë në qendër të një plani masash, ndërmarrë nga institucioni i prefektit në bashkëpunim me të gjithë institucionet dhe organizmat e pushtetit vendor në bashki dhe komuna. Prefekti Pajuni vlerësoi punën për bllokimin e rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike, por, nga ana tjetër, shprehu shqetësimin e tij lidhur me rritjen e numrit të përdoruesve e lëndëve narkotike, ndaj dhe kërkoi fillimin e një fushate bisedash për minimizimin e rasteve. Nga ana tjetër ai kërkoi bashkëpunimin e Drejtorisë së Policisë së qarkut, Prokurorisë dhe SHISH-it me të gjithë drejtuesit e bashkive, komunave dhe fshatrave lidhur me identifikimin e kultivuesve të mundshëm të lëndëve narkotike.
29 Shkurt 2008