Zjarr në Dardhë, dëmtohen 3 ha me kullota dhe shkurre
KORÇË - Zjarri i djeshëm, që përfshiu për disa orë zonën në afërsi të fshatit turistik të Dardhës, 14 km larg Korçës, ka dëmtuar rreth 3 hektarë me kullotë dhe shkurre. Burime të policisë së Korçës thanë për gazetën se “po hetohen shkaqet e rënies së këtij zjarri, që ka dëmtuar një zonë të mbrojtur si park kombëtar në afërsi të fshatit turistik, Dardhë”. Të njëjtat burime thanë se nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënieje të qëllimshme. Zjarri i shfaqur rreth orës 17:00 të ditës së djeshme u shua në të gdhirë të ditës së sotme, falë ndërhyrjes së grupeve të emergjencës, që punuan për orë të tëra me mjete dore, pasi ndërhyrja e zjarrfikëseve ishte e pamundur për shkak të terrenit të thyer malor. Situata tashmë është nën kontroll, ndërsa po merren masa për parandalimin e rasteve të tjera me qëllim mbrojtjen e pyjeve.
29 Shkurt 2008