Prefekti, letër Ramës: Zhblloko trafikun!
Prefekti i Tiranës i ka dërguar dje një letër kreut të bashkisë së kryeqytetit, njëkohësisht kryetarit të PS-së, Edi Rama, ku i kërkon të zhbllokojë bulevardin Dëshmorët e Kombit për ti dhënë zgjidhje kaosit të trafikut të krijuar. Në letrën e tij ai shpreh se shqetësimet vijnë nga banorët, organet e qeverisjes vendore, por dhe nga policia e qarkut. Prefekti i Tiranës, pasi informon lidhur me kërkesën për leje, për të bërë tubim, drejtuar policisë nga Partia Socialiste, saktëson se sipas këtij, dokumenti ishte njoftuar për zhvillim proteste në datat 30 prill dhe 1 maj. Më pas është njoftuar zyrtarisht me shkresë të kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën zhvillimi i protestës në bulevardin Dëshmorët e Kombit nga data 30.04.2001 deri në 30.05.2010 e cila bie në kundërshtim me nenin 2, germa c e ligjit, Për tubimet, sipas të cilit nuk parashikohen tubime që zgjasin më shumë se një ditë, - sqaron prefekti. Kruja vijon më tej se protesta vijoi me grevë, ndërkohë që drejtoria e policisë ka kërkuar zhbllokimin e bulevardit. Në zbatim të ligjit Për prefektin ai u ka kërkuar organizatorëve të protestës të zhbllokojnë bulevardin Dëshmorët e Kombit në funksion të normalizimit të trafikut. Zoti Rama në cilësinë e prefektit të Tiranës iu kërkoj të mos përdorni funksionin publik në favor të funksionit politik dhe të ndërhyni si kryetar bashkie për të zgjidhur këtë situatë për zhbllokimin e bulevardit, -përfundon letra e prefektit Kruja.