E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti njësive vendore: Në ndalim ndërtimet pa leje

30/09/2011  Paralajmëron masa, justifikohen me mbivendosjen e kompetencave me ndërtimorët

ELBASAN- Me iniciativën e prefektit të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u zhvillua në prefekturë një takim për parandalimin e ndërtimeve pa leje në shkallë qarku. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm të gjithë kryetarët e bashkive, drejtues të nënprefekturave, si dhe struktura të tilla si Inspektorati shtetëror i Ndërtimit, Aluizni etj. Në fjalën e marrë me këtë rast prefekti Shefqet Deliallisi u shpreh se “gjatë kësaj periudhe ka informacione dhe ka konstatuar se ka mjaft ndërtime pa leje në territoret e bashkive dhe komunave dhe se gjithçka ndodh përballë indiferencës së pushtetit vendor. Ndërtimet janë shtuar veçanërisht gjatë fushatës elektorale dhe strukturat përgjegjëse nuk kanë bashkëpunuar mes tyre për të parandaluar fenomenin”. Ka reaguar menjëherë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili u shpreh se shkaqet e gjithë kësaj katrahure vijnë nga mangësitë ligjore. “Tre nga katër kryeinspektorët e bashkisë ndodhen në proces gjyqësor dhe kjo ndodh sepse pronarët ankohen në Prokurori e gjykatë e kështu nis çështja penale ndaj bashkisë. Kryebashkiaku i Elbasanit hodhi idenë e krijimit të një strukture të përbashkët nën drejtimin e Këshillit të Qarkut. Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, u shpreh se ishte në dijeni të problematikës, por jo të gjitha rastet janë ashtu siç tha kryetari i Bashkisë së Elbasanit. Ai theksoi nevojën e një riorganizimi dhe bashkëpunim në zbatim të ligjit në të kundërt do të ketë edhe masa për vetë vendorët. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›