E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Qendrore ul interesin bazë në 5 pikë përqindjeje

30/09/2011  Pritet rënie e interesave të kredisë në lekë

Banka e Shqipërisë vendos uljen e normës bazë të interesit të lekut, duke dhënë mundësi për uljen e kostos së kredive në lekë. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori tha se interesi do të ulet në 5 për qind, nga 5.25 që ka qenë deri më tani. “Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25% duke e çuar atë në nivelin 5%. Kjo i shërben arritjes së objektivit për inflacionin në periudhë afatmesme dhe njëkohësisht ofron kushtet monetare të nevojshme për stimulimin e aktiviteteve ekonomike në vend. Kam besimin që masa do të transmetohet në nivelin e caktuar”, - tha Fullani. Guvernatori shprehu shqetësim për ecurinë e ekonomisë. Stimuli fiskal, por mbi të gjitha performanca e bizneseve janë faktorët kryesorë për rritjen ekonomike. “Ecuria e ekonomisë shqiptare do të përcaktohet nga rritja e shkallës së konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të saj dhe zgjerimi i prezencës së mallrave dhe shërbimeve tona në tregjet e eksportit”, - tha ai. Ky vendim përkthehet me stimul të ri për biznesin dhe ekonominë shqiptare, pasi ndikon në kostot e kredisë në lekë. Huamarrja më e lirë ndihmon bizneset, ul koston e borxhit të qeverisë dhe ul koston e parasë në qarkullim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›