Prefektura e Korçës shpërndan ndihma për banorët e përmbytur në Shkodër
Nën kujdesin e prefektit të qarkut Korçë, Andrea Mano, fondacionit holandez “Ndihmë për Shqipërinë” si dhe të presidentit të futbollit të ekipit “Skënderbeu”, Agim Zeqo, u nisën dje drejt Shkodrës 7 kamionë me ndihma
Vazhdon solidariteti i institucioneve të ndryshme të shtetit dhe i vetë qytetarëve, për të ndihmuar zonat e prekura nga përmbytjet e natyrës në veri-perëndim të vendit.
Dje nga Prefektura e Korçës janë nisur 7 kamionë me ndihma për Shkodrën. 4 prej tyre janë siguruar me ndihma në ushqime, veshmbathje dhe krevate, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. Ndërsa 3 prej tyre janë me koncentrat për bagëtitë. 1 kamion tjetër kryesisht me ushqime është nisur nga presidenti i klubit të futbollit “Skënderbeu”, Agim Zeqo, i cili shprehu solidaritetin përmes kontributit të tij të veçantë. Ndihmat bënë të mundura edhe nga bashkëpunimi me fondacionin holandez “Ndihmë për Shqipërinë”.
Të gjithë kamionët me ndihma u shoqëruan nga prefekti i qarkut Korçë, Andrea Mano, i cili bëri edhe dorëzimin e ndihmave në Dajç dhe bazën ushtarake, Gjadër.
Kamionët me ushqim për blegtorinë u dorëzuan në zonën e Dajçit, e cila është një prej komunave më të prekura nga përmbytja e ditëve të para të Dhjetorit. Ndërsa, pjesa tjetër e ndihmave, ajo për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore, u dorëzuan në bazën operacionale të ushtrisë, në Gjadër.
Fatkeqësia natyrore e pak ditëve më parë në Shkodër, shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale si dhe detyroi një pjesë të mirë të banorëve, për t’u evakuuar nga shtëpitë e tyre. Qeveria shpalli gjendjen e emergjencës dhe kërkoi solidaritet të gjerë, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet.
Veprimi human i prefekturës së Korçës duhet të shërbejë si shembull edhe për prefekturat e tjera të vendit si dhe për të gjitha ato institucione apo bashki.