E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Aspiratat për bashkim të kombeve të Ballkanit përmbushen duke përzgjedhur alternativën e Brukselit

19-12-2010 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri Ilir Meta në Beograd


Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ishte i pranishëm në kongresin e Partisë Demokratike Serbe, në mesin e pesë krerëve të delegacioneve të partive të huaj, anëtarë të Internacionales Socialiste. Kreu i LSI-së dhe njëherazi nr 2 i qeverisë shqiptare iu drejtua kongresit të kësaj partie me një fjalë të posaçme, duke uruar zhvillimin e tij si dhe duke theksuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe dy partive respektive. Në fjalimin e mbajtur në kongres, zëvendëskryeministri tha se është një nder i madh që merr pjesë në këtë kongresi dhe se Partia Demokratike e Serbisë ka qenë motori i transformimit dhe Europianizimit të Serbisë post konfliktuale. Sipas Metës, kjo parti përfaqëson platformën për të cilën një njeri i madh si lideri i ndjerë Xhinxhiç dha një kontribut të jashtëzakonshëm, dhe mbi të cilën u adoptua një vizion i ri për të ardhmen e Serbisë dhe popullit të saj, vizionin e vlerave Europiane. “Me kënaqësi të madhe e shikoj se trashëgimia e Zoran Xhinxhiç mbetet gjallë dhe është çuar më tej nga lidershipi i Presidentit Tadiç”, theksoi zëvendëskryeministri. Në fjalimin e tij, Ilir Meta iu referua edhe integrimit të popujve të rajonit të ndarë në shumë shtete, duke e vënë te shqiptarët, të cilët edhe pse ndodhet në disa shtete, bashkimin e tyre të vërtetë do ta gjejnë në Evropën e Bashkuar, në Bruksel. “Të gjithë kombet tona dhe qytetarët tanë, të ndarë në shumë shtete, duhet të bëjnë një zgjedhje: të bashkohen së bashku në Bruksel. Le të vazhdojmë të punojmë për këtë objektiv madhor. Le të inkurajojmë qytetarët tanë të kontribuojnë për një jetë më të mirë, duke ndarë së bashku kontribute dhe përgjegjësi, kudo që ata jetojnë në Kosovë, në Bosnjë, në Preshevë, në Maqedoni edhe gjetkë; le t’i japim më pak rëndësi kufijve dhe vijave tona ndarëse dhe le t’i arrijmë objektivat reciproke duke u bashkuar në veprime të përbashkëta. Le ta bëjmë integrimin mes nesh objektivin sublim të rajonit tonë. Unë jam shumë i sigurt se kjo është e mundshme. Unë kam besimin se partia juaj do të vazhdojë të jetë një forcë iluminuese në Serbi, një forcë e progresit dhe e integrimit”, deklaroi Meta, duke iu drejtuar liderëve të Partisë Demokratike të Serbisë dhe kryetarit të saj, Boris Tadiç. Numri dy i qeverisë shqiptare solli në vëmendje se shqiptarët dhe serbët prej një kohe të gjatë, për dekada me radhë kanë qenë të imponuar nga ushtrimi i raporteve të cunguara si dhe më tepër me frymë armiqësore. “Ne duhet të luftojmë që e ‘mira’ të mbizotërojë ndaj së ‘keqes’. Kjo është tendenca e realiteteve të reja. Kjo është gjithashtu një nevoje për të prezantuar një imazh të ri dhe të vërtetë të asaj që ne përfaqësojmë në botë: atë të një Ballkani të evropianizuar”, tha më tej Meta, duke përçuar frymën e standardeve evropiane në Beograd tek përfaqësuesit politik të Serbisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›