E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzues praktik për natyralistët dhe aktorët përgjegjës për mbrojtjen e natyrës ndërkufitare

Një udhëzues praktik për natyralistët dhe aktorët përgjegjës për mbrojtjen e natyrës ndërkufitare, është mundësuar nga projekti "Bashkëpunimi ushtarak për promovimin e ruajtjes së natyrës ndërkufitare gjatë Brezit të Gjelbër Evropian (Evropa Juglindore)". Sipas Qendrës rajonale të Mjedisit (REC), ky projekt është i fokusuar në afrimin e sektorit civil me atë ushtarak, duke kombinuar mbrojtjen e natyrës me sigurimin e paqes në zonën ndërkufitare, ndërsa shtrihet në kufirin trepalësh ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës.  Objektivi kryesor i këtij projekti është të afrojë së bashku sektorët civilë dhe ata ushtarakë, duke kombinuar mbrojtjen e natyrës me sigurimin e paqes në zonën trepalëshe, e cila formon një pjesë integrale të rrjetit ekologjik të Brezit të Gjelbër Evropian. 

Projekti “Bashkëpunimi civilo-ushtarak për nxitjen e mbrojtjes së natyrës përgjatë Brezit të Gjelbër Evropian” (Evropa Jug-Lindore)” u zbatua gjatë vitit 2008 dhe u financua nga Agjencia Federale Gjermane për Mbrojtjen e Natyrës (BtN). Gjatë zbatimit të tij, u mblodhën së bashku aktorë të mbrojtjes së natyrës, ushtrisë dhe policisë kufitare dhe përfaqësues të pushtetit vendor për të diskutuar interesat e përbashkëta në ruajtjen e natyrës dhe të gjejnë rrugët e bashkëpunimit ndërmjet tyre. Kjo u realizua nëpërmjet takimeve dhe aktiviteteve trajnuese me aktorët e mësipërm mbi çështje ekologjike dhe social-politike të rajonit kufitar. Shqipëria shquhet për një larmi të madhe biologjike dhe peizazhore. Në origjinë të kësaj llojshmërie, qëndrojnë pozicioni gjeografik, faktorët gjeologjikë, pedologjikë, hidrologjikë, relievi dhe klima.  Larmia e madhe e ekosistemeve dhe habitateve (ekosistemeve detare, bregdetare, laguna e vende të lagëta, delta lumenjsh, duna ranore, liqene, lumenj, shkurreta mesdhetare, pyje gjethegjërë, halorë dhe të përzjerë, livadhe dhe kullota subalpine e alpine, ekosisteme të maleve të lartë), ofron një larmi të pasur llojesh bimore dhe shtazore, duke përfaqësuar rreth 30% të florës europiane. Për ruajtjen e kësaj pasurie biologjike, REC Shqipëri ka zbatuar dhe po zbaton një sërë projektesh konkrete dhe trajnuese në këtë fushë, një ndër të cilët dhe Projekti “Bashkëpunimi civilo-ushtarak për nxitjen e mbrojtjes së natyrës përgjatë “Brezit të Gjelbër Evropian” (Evropa Jug-Lindore)” .

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›